Ekonomia

Mirëmbajtja e sistemit rrugor, marrëveshja prej 66 milion eurosh mbërrin në Kuvend

Në Kuvend pritet të nisë shqyrtimin një marrëveshje kredie në vlerë rreth 66 milion euro, që do të përdoret për mirëmbajtjen e sistemit rrugor dhe për rritjen e sigurisë.

Marrëveshja e huasë është nënshkruar me Bankën Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim dhe ka afat maturimi 22.5 vjet, nga të cilat 7 vjet pa pagesë principali. Objektivat e projektit janë që 1335 kilometrat e rrjetit rrugor që ka vendi të mirëmbahen periodikisht dhe të përmirësohen kushtet e sigurisë.

Paralelisht me investimet dhe rregullimet në sistemin rrugor shqiptar, projekti parashikon dhe analizimin e të gjitha kontratave për ndërtimin e rrugëve, me qëllim që vlerësohet nëse janë përmbushur të gjitha detyrimet kontraktuale. Rrjeti rrugor në Shqipëri është një nga asetet më të shtrenjta, vlerësuar me gjashtë miliardë dollarë, dhe një nga asetet kyç që mbështet zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të punës.

Mirëmbajtja e rrjetit rrugor ka qenë vazhdimisht e keqfinancuar, duke minuar qëndrueshmërinë e sektorit. Një nga sfidat kryesore të zhvillimit të tij është përmirësimi i menaxhimit dhe mirëmbajtja e rrjetit. Parashikimet e qeverisë shqiptare janë që deri në vitin 2020, numri i fataliteteve të reduktohet me 50 për qind. Siguria rrugore mbetet një problem i madh social dhe shëndetësor në Shqipëri.

Numri i fataliteteve vjetore mbetet shumë i lartë, krahasuar me disa vende të rajonit, dhe shumë herë më i lartë se vendet e Evropës Perëndimore. Qeveria shqiptare ka rritur vëmendjen ndaj reformës së sigurisë rrugore dhe synon që, deri në vitin 2020, të reduktojë me 50% numrin e fataliteteve.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button