Mirënjohje për Yuri Kim dhe gjithë ambasadorët amerikanë, përfshirë atë që më shpëtoi nga rrëmbimi i organizuar nga SHIK-sit e Berishës
Nga Zef Brozi
Respekt e Mirënjohje për ambasadoren e nderuar Yuri Kim dhe gjithë ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që kanë shërbyer në Shqipërinë tonë të dashur.
Mirënjohje e pamasë ambasadores së nderuar Yuri Kim e cila vazhdon misionin e saj fisnik në Shqipëri. Ajo po zbaton me vendosmëri politikat e President Biden për luftën ndaj korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë në Shqipëri, për vazhdimin e përfundimin me sukses të Reformës në Drejtësi dhe për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit të shumëanshëm midis SHBA dhe Shqipërisë.
Që nga viti 2008 e deri tani kam njohur e takuar edhe ambasadorin John L. Withers II, zëvëndës ambasadorin Stephen Cristina dhe ambasadorin Donald Lu. Ambasadori Withers lexonte shumë dhe kishte njohuri të admirueshme edhe për Shqipërinë, madje edhe për letërsinë shqiptare. Kur ai më citonte edhe pjesë nga autorë shqiptar unë më të qeshur i thoja se ju e njihni letërsinë shqipe mbase më mirë se shumë shqiptar. Nga takimet dhe bisedat me ambasadorin Withers kur unë isha në Shqipëri me një projekt të USAID-it ne vitet 2007-2010 kam vënë re jo vetëm se sa shumë ai e donte Shqipërinë, por edhe shqetësimin e tij se korrupsioni marramendës shtetëror ishte një rrezik i madh për fatet e demokracisë në Shqipëri.
Në takimet që kam pasur me Ambasadorin Lu ai fliste me admirim për Shqipërinë dhe ishte shumë i përkushtuar ndaj Reformës në Drejtësi. Ai do të mbahet mend edhe si ambasadori që bëri të mundur miratimin nga Parlamenti të ndryshimeve dhe amendamenteve kushtetuese për Reformën në Drejtësi me 140 vota, pra me votat e të gjithë deputetëve, përfshirë edhe ata që kishin qenë kundërshtarë të reformës deri ditën e votimit. Ai bëri gjithcka qe ishte e mundur për të inkurajuar organet e dejtësisë për të hetuar e ndëshkuar korrupsionin e zyrtarëvë të lartë dhe për zbatimin e Reformës në Drejtësi pa vonesa.
Ambasadori Ryerson është shumë i njohur në Shqipëri për kontributin e cmuar që ai dha publikisht në fitoren e opozitës gjatë fushatës për zgjedhjet pluraliste parlamentare të 22 Marsit 1992. Këngëtari mirditor Mark Gjoka (Mjeshtër i Madh) në këngën “Kapidan Preng Dede Gjomarkaj” ka disa vargje të bukura dedikuar vizitës së Ryersonit në Mirditë në ato vitë të vështira dhe ndryshimesh të vrullshme. Ja disa vargje të këngës: “Pret Mirdita mik të rrallë/Ryerson mirëse ke ardhë/Mirëse vjen nga Amerika/ Ditë të bardh ka sot Mirdita.”
Me ambasadorin Joseph Edward Lake që erdhi në Shqipëri pas Ryersonit u njohëm në periudhën e vështirë kur lufta ndaj Gjykatës së Kasacionit dhe terrori shtetëror ndaj meje si kryetar i saj u bënë haptazi dhe me egërsi tmerruese diktatoriale. President Berisha kishte vendosur ta vinte plotësisht nën thundrat dhe kontrollin e tij gjyqësorin dhe ta përdorte atë për interesat e tij personale e politike. Ndërsa unë dhe disa gjyqtarë të tjerë të motivuar nga vizioni ynë për një gjyqësor të pavarur dhe për një drejtësi të barabartë për të gjithë sipas ligjit, po i rezistonim me aq sa mundnim ndërhyrjeve e sulmeve brutale të pushtetit Berishian. Natyrisht për të huajt, pra edhe për disa ambasada në Shqipëri, nuk ishte e lehtë të kuptonin atë që po ndodhte në betejën e ekzekutivit kundër Gjykatës së Kasacionit edhe për shkak të dizinformimit të qëllimshëm të pushtetit Ekzekutiv. Aq më tepër kur pothuajse mungonte media dhe shtypi i pavarur dhe pushteti mashtronte lehtësisht shqiptarët, të huajt dhe institucionet ndërkombëtare në Shqipëri, në Europe dhe në Amerikë. Në takimet që pata më ambasadorin Lake e kuptoja shqetësimin e tij për cfarë po ndodhte dhe dëshirën e tij që situata të qëtësohej e normalizohej. Shtëpia e Bardhë dhe vetë Presidenti Klinton nga informacioni që merrnin nga burime të ndryshme e kishin kuptuar se Berisha po dhunonte gjyqësorin e sidomos Gjykatën e Kasacionit, që ishte e vetmja shpresë në ato vite për njëfarë pavarësie nga diktatet dhe ndërhyrjet e pushteteve të tjerë dhe politikës.
Edhe si shtetas amerikan unë ndihem shumë krenar me ambasadoren e nderuar Yuri Kim dhe gjithë ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që kanë shërbyer në Shqipërinë tonë të dashur. Unë përzemërsisht u them: SHUME FALEMINDERIT!