Mitrovicë, autoritetet serbe në veri ndërtojnë “shesh” pranë “parkut të paqes”, reagon jugu
Në qyteti e Mitrovicës në Kosovë, autoritetet e komunës serbe në veri kanë nisur të ndërtojnë sot një “shesh-shetitore” në vazhdim të “parkut të paqes” që kanë ngritur më parë mbi urën kryesore të lumit Ibër, e cila është një “barrikadë e re pas heqjes së të vjetrës” sipas autoriteteve të komunës me shumicë shqiptare në jug.
Kryetari i komunës së Mitrovicës jugore, Agim Bahtiri, sipas një komunikate të dërguar, “kërkon intervenimin e institucioneve të vendit për të normalizuar gjendjen në cepin verior të urës”.
Ai, “ka reaguar ashpër ndaj provokimit më të rëndë deri tash që drejtuesit e komunës të sapoformuar në veri i kanë bërë paqes dhe sigurisë në Mitrovicë, rajon dhe vend, duke filluar punimet, për ndërtimin e një shëtitoreje në cepin verior të urës kryesore mbi lumin Ibër”.
Në komunikatë shtohet se, “duke e dënuar ashpër këtë akt kriminal, kryetari Bahtiri thotë se ky veprim i drejtuesve të komunës në veri të Mitrovicës bëhet me qëllim dhe prapavijë politike, për të bllokuar lëvizjen dhe qarkullimin e lirë të qytetarëve dhe për të pamundësuar relaksimin e mëtutjeshëm të gjendjes së përgjithshme, për çka qytetarët e të dyja pjesëve të qytetit dhe të të gjitha përkatësive etnike janë jetësisht të interesuar”.
“Ndërprerja për qarkullim të automjeteve të rrugës shekullore rajonale, që lidh Mitrovicën dhe rajone të tjera të Republikës së Kosovës, me pjesë tjera të vendit në veri dhe tutje Serbinë, është e papranueshme, sepse një akt i tillë është akt vandal e kriminal dhe i dënueshëm me ligj. Për këtë arsye, kërkoj nga organet kompetente për rend e siguri, si ato vendore, ashtu edhe ato ndërkombëtare, por edhe nga qeveria e Kosovës, që të ndërmarrin të gjitha masat ligjore menjëherë dhe të ndërpresin punimet që po bëhen për bllokimin e kësaj rruge me rëndësi të veçantë për qytetarët e Mitrovicës, të rajonit dhe të vendit”, shprehet kryetari Bahtiri.
Njëkohësisht, thekson komunikata, kryetari i komunës jugore të Mitrovicës “apelon tek qytetarët e të dyja pjesëve të qytetit dhe të të gjitha përkatësive etnike, që të jenë të qetë e të matur, të ruajnë gjakftohtësinë dhe të mos ndërmarrin asnjë hap që do të qonte drejt eskalimit të gjendjes, sepse një gjë e tillë nuk do të ishte në interes të askujt”.
“Me sjelljet tona të matura, ne duhet tu japim rastin organeve e institucioneve të Republikës së Kosovë dhe atyre ndërkombëtare, që të ndërmarrin të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme për ndërprerjen e këtij provokimi dhe për kthimin e rrugës dhe të urës në gjendje normale, nëpër të cilën do të mund të lëviznin dhe qarkullojnë pa problem qytetarët dhe automjetet”, përfundon kryetari Bahtiri.
Sipas raportimeve të medias nga vendngjarja, me makineri ka filluar sot prerja e asfaltit dhe punimeve tjera për ndërtimit të sheshit “Car Llazar” në veri të Mitrovicës.
Atje janë mbledhur edhe qytetarë serbë të veriut e vërehet edhe prania e shefit të zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç