Mjekimet popullore që nuk bëjnë efekt në trupin tonë
Nga shurupi i kollës deri tek antibiotikët për infeksionet në vesh, ka shumë mjekime që ne i përdorim për t’u bërë më mirë, por të cilat në fakt kanë pak ose aspak ndikim pozitiv në shëndet
Ju mund të përdorni shumë mjekime popullore të zakonshme për shoqërinë ku jetoni, në rast se kërkoni të mjekoheni për një problem shëndetësor. Por shumë prej këtyre traditave të përhapura nuk janë të sakta.
Një rishqyrtim i këtyre besimeve shëndetësore nga ekspertët e Kolegjit Imperial të Londrës, zbuloi se shumë trajtime kanë fare pak prova që mbështesin dobinë e tyre dhe se me raste doktorët i rekomandojnë ato për shkak se provimi i tyre nuk do të bënte dëm për pacientët.
Shurupi i kollës
Rreth 5000 pacientë u ekzaminuan për të kuptuar nëse mjekimi i zakonshëm i kollës, shurupi, për të cilin shpenzohen miliona dollarë në ilaç çdo vit, kishte dobi.
Kërkuesit arritën në përfundimin se nuk kishte prova se shurupi shkurtonte kohëzgjatjen e kollës apo përshpejtonte shërimin. Pavarësisht shpenzimeve të mëdha për ilaçet e kollës, provat që mbështesin ato janë shumë të pakta. Në 30 vitet e fundit, asnjë ilaç i ri i licencuar nuk është shfaqur efektiv për të shëruar kollën akute.
Doza me të cilat rekomandohet është e ulët ndaj ka mundësi që shurupi i kollës të mos jetë efektiv, por edhe doza më të larta mund të bien në kontrast me ilaçet e tjera.
Pilulat për depresionin
Recetat mjekësore për antidepresantë janë shtuar gjithnjë e më shumë kudo në botë, por provat tregojnë se ato kanë shumë pak ndikim në depresion. Hulumtuesit thonë se antidepresantët nuk arrijnë të ketë një impakt në depresion, por kanë vetëm një rol të vogël në gjendjen emocionale, që gjithsesi nuk bën diferencën.
Problemi kryesor është se depresioni po perceptohet si një sëmundje mjekësore kur në të vërtetë është një reagim emocional i rrethanave të jetës. Pak prova thonë se antidepresantët ndihmojnë dhe shpesh doktorët i shtojnë ato për të stimuluar pacientin mendërisht.
Fijet për dhëmbët
Një kërkim i ri thotë se përdorimi i fijeve të dhëmbëve nuk bën ndryshim në higjienën e gojës, sipas profesor Damien Ualmslej, këshilltar shkencor i Shoqatës Dentare Britanike.
Shumica e studimeve të deritanishme kanë dështuar të tregojnë se përdorimi i fijeve dentare është përgjithësisht efektiv në heqjen apo pakësimin e infeksioneve në gojë.
Profesor Ualmslej pranon se ai vazhdon të përdorë fijet e dhëmbëve sepse kjo e bën të ndihet më mirë dhe e ndihmon të largojë copat e ushqimit nga dhëmbët, por në përgjithësi ata që nuk e bëjnë, nuk e kanë të nevojshme.
Nga ana tjetër, rekomandimi për t’i larë dhëmbët dy herë në ditë është i bazuar në prova dhe bën shumë mirë për të parandaluar krijimin e zonave të baktereve në gojë.
Pilulat e kalciumit për kockat e dobëta
Shumë njerëz kanë zgjedhur të marrin pilula kalciumi për të nxitur densitetin e kockës dhe për të parandaluar frakturat më vonë në jetë. Megjithatë, dy studime të mëdha tregojnë se nuk ka prova që ato funksionojnë.
Nëse keni një dietë të balancuar me kos, qumësht dhe djathë nuk keni nevojë për kalcium shtesë. Pothuajse të gjitha studimet në këtë fushë provojnë se suplementet e kalciumit janë të paarsyeshme. Gjithsesi disa njerëz mund të përfitojnë nga këto pilula për shkak se trupi i tyre ka nevojë për më tepër vitaminë D për të thithur kalciumin, vitaminë që është në këto pilula. Vetëm kalciumi nuk sjell përfitime.
Akupuntura për dhembjen e shpinës
Akupuntura nuk është më një trajtim i rekomanduar për dhembjen e shpinës, pasi një seri provash zbuluan se nuk sillte përfitime më të mëdha se një pilulë me të njëjtin synim.
Arsyeja përse trajtimi është ende i përhapur është për shkak se disa vende e kanë interpretuar ndryshe të njëjtin studim, megjithatë shërbimi shëndetësor publik në Britani e ka hequr akupunturën si një mjekim të mundshëm të gjendjes.
Vaji i peshkut për zemrën
Omakor është një suplement i vajit omega 3 të peshkut që shpesh mjekët ua rekomandojnë pacientëve me sëmundje në zemër. Dikur mendohej se kishte shumë dobi për shëndetin e zemrës. Megjithatë, kapsulat e shtrenjta që mendohej se pakësonin nivelin e triglicerideve apo yndyrave të gjakut, nuk kanë rezultuar shumë dobisjellëse.
Provat tregojnë se nuk ka asnjë përfitim shëndetësor nga konsumi i vajit të peshkut për sëmundjet e zemrës.
Antibiotikët për infeksionin e veshit
Një në katër fëmijë vuan prej infeksionit të veshit deri në moshën 10-vjeçare. Kërkimet e kryera tregojnë se infeksioni i veshit është një nga arsyet më të zakonshme përse fëmijët marrin receta të antibiotikëve. Megjithatë dy nga tre infeksionet e veshit shkaktohen prej atyre të frymëmarrjes dhe antibiotikët nuk kanë fuqi ta mjekojnë këtë.
Infeksioni viral zakonisht zhduket vetvetiu pas 48 orësh, ndaj mjafton që pacientët të përdorin paracetamol apo ibuprofen.