Politika

Mocioni me debat, Rama: Opozita, lot krokodili. Skema e ndihmës ekonomike do të vazhdojë

“Reforma e Ndihmës Ekonomike, e vonuar për  çerekshekulli, nuk do të ndalet, si një garanci për fundin e klientelizmit partiak e të korrupsionit në kurriz të më të varfërve, si edhe një instrument më shumë kundër papunësisë e dembelizmit kronik”.

Kështu deklaroi të enjten në Kuvend, Kryeministri Edi Rama në mocionin me debat të kërkuar nga Partia Demokratike, mbi çështjen e heqjes nga skema e ndihmës ekonomike të mbi 20 mijë familjeve të varfra në gjithë vendin.

Skema e re shënjestron varfërinë

Në fillim të fjalës së tij, Rama solli në vëmendje statistikat e INSTAT dhe të konfirmuara nga Banka Botërore mbi nivelin e varfërisë në Shqipëri në vitet 2008-2011.

“Niveli i varfërisë u rrit nga 12 .5 për qind në 14.3 për qind dhe varfëria ekstreme nga 1.2 për qind në 2.3 për qind, ndërkohë që mbulimi mbi skemën e ndihmës ekonomike ishte vetëm 14 për qind”, tha Rama.

Mbi bazën e këtyre të dhënave alarmante, ai theksoi se “BB arriti në përfundimin që shënjestrimi i varfërisë në skemën e vjetër të ndihmës ekonomike dhe shkalla e përfitimit prej saj ishin tërësisht jashtë kohe, ndaj i sugjeroi qeverisë të kohës pikërisht këtë reformë që po zbatohet sot.

“Pas një testimi në 3 qarqe, Tiranë, Durrës dhe Elbasan, duke përdorur një formulë pikëzimi me variabla dhe koeficentë të hartuar nga BB, bazuar në praktikat më të mira dhe të aprovuara nga qeveria e asaj kohe u hartua skema e re e ndihmës ekonomike. Në vitin 2012 u nënshkrua dhe u ratifikua marrëveshja e huasë midis Shqipërisë dhe BB-së për financimin e modernizimit të projektit të asistencës sociale. Në 2012, qeveria e asaj kohe që sot është një opozitë jashtë kohe miratoi këtë formulë pikëzimi, duke e parashikuar me një vendim qeverie të dhjetorit 2012. Në po atë vendim u përcaktua edhe pilotimi i skemës në 3 rajone ku përfshihet rreth 40 për qind e popullsisë”, tha Rama.

Jo më klientelizëm partiak, skema sipas një sistemi pikëzimi 

Por si të gjitha reformat e tjera, ai shtoi se edhe me këtë reformë qeveria e atëhershme e PD-së parapëlqeu rrugën qorre të skemës së klientelizmit partiak.

“Këta që kërkojnë sot llogari për skemën e re të ndihmës ekonomike i jepnin vetes ndihmë ekonomike në Këshillin bashkiak të Kukësit nga i pari tek i fundit. Ne e nisëm reformën menjëherë pasi hoqëm një sërë kriteresh nga lista e pikëzimit, duke përjashtuar televizorin, frigoriferin dhe bolierat”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se u eliminua çdo burokraci që merrte kohë për familjet e varfëra, duke hequr 8 nga 9 dokumentet e kërkuara. “Këto ndryshime që ne sollëm përmes fillimit të zbatimit të reformës kanë mundësuar që 18  370 familje të aplikojnë për ndihmë ekonomike, ndërkohë që me skemën e vjetër ishin të përjashtuar”, deklaroi Rama në parlament.

Po ashtu, sipas Ramës, “u krijua sistemi elektronik për vlerësimin e familjeve përfituese, i testuar në terren në të gjitha dimensionet e veta”.

Kreu i Qeverisë solli po ashtu në vëmendje deklaratën e BB-së (8 mars 2018), e cila vlerëson se kjo reformë bazohet te praktikat më të mira ndërkombëtare dhe identifikon nevojat e familjeve bazuar te ndërlidhësit e varfërisë dhe atributet e kushteve të jetesës që lidhen me varfërinë.

Ndihma ekonomike sot deri në 110 mijë lekë në muaj

Duke kujtuar se me skemën e mëparshme përfitohej ndihmë ekonomike e pjesshme edhe në masën 6 mijë lekë të vjetra, Kryeministri Rama theksoi se “ndihma ekonomike sot shkon deri në 110 mijë lekë në muaj”.

“Flitet në hava për 20 mijë familje të larguara nga skema. Këto ndryshime që ne sollëm bënë që fillimisht 18 370 familje të aplikojnë për herë të parë, ndërkohë që me skemën e vjetër ishin të përjashtuar. Po ashtu mbi 10 mijë familje që deri dje përjashtoheshin vetëm për shkak të gropave dhe shtigjeve të mbyllura nga skema e vjetër që ishte në duart e pative, kryetarëve të komunave dhe këshillave bashkiakë, kanë përfituar për herë të parë ndihmë ekonomike”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “me skemën e re hiqet masa e pjesshme e ndihmës ekonomike. “Lotët e krokodilit që derdhen përditë në mungesë të ideve, programit, lidershipit të një opozite që nuk di ku ka kokën, jo më tu gjejë rrugën atyre që kërkojnë rrugë për të ardhmen, pengojnë që të shikohet një gjë që duhet përsëritur: jepnin ndihmë ekonomike deri edhe 6 mijë lekë të vjetra. 15 mijë familje që më parë trajtoheshin me ndihmë ekonomike të pjesshme 6-10 mijë lekë të vjetra sot përfitojnë ndihmë ekonomike të plotë”, tha Rama.

Paketa e mbështetjes sociale shkon në 10 miliard lekë

Ndihma ekonomike është vetëm një aspekt, pasi sipas Kryeministrit, “e gjithë paketa e mbështetjes sociale që kjo qeveri vazhdon të japë shkon në 10 miliard lekë”.

“Ka një sërë subvencionesh direkte për kompensimin e energjisë elektrike, arsimimin dhe vaksinimin e familjeve në ndihmë ekonomike. Familjet në nevojë kanë lehtësi për frekuentimet në kopësht, çerdhe, rimbursimin e librave, bursa në arsimin parauniversitar dhe përjashtimin nga tarifat e arsimit të lartë”, tha Rama.

Po ashtu sipas tij, “qeveria jep sot 55 mijë lekë në muaj për këdo që del nga ndihma ekonomike, sepse nuk plotëson kriteret dhe është i gatshëm të marri një kurs trajnimi profesional”.

Në sajë të kësaj pakete të mbështetjes sociale, Rama tha se, familjet në ndihmë ekonomike përfitojnë lehtësira nga procesi i legalizimit, si dhe rimbursimi i medikamenteve. “100 milionë dollarë është paketa e solidaritetit që kjo qeveri ka ndërtuar që mandatin e shkuar”, tha Rama.

Bashkitë të shpërndajnë fondin 6%

Kryeministri ftoi po ashtu edhe bashkitë që ende nuk kanë zbatuar aplikimet sipas fondit 6 për qind, që i është caktuar pushtetit vendor për shpërndarjen e ndihmës ekonomike.

“Ky fond shkon ekzaktësisht për ato familje në nevojë që pushteti vendor i gjykon se duhen mbështetur me asistencë. Në 2011 ky fond ishte 3 për qind dhe nuk u përdor kurrë. Ndërkohë që sot janë 3402 familje që aktualisht kanë përfituar nga ky fond dhe janë përfshirë në këtë skemë”, tha Rama.

42 nga 60 bashkitë, sipas Kryeministrit Rama e kanë shpërndarë këtë fond. Kreu i Qeverisë i bëri thirrje Bashkisë së Shkodrës dhe bashkive të tjera që të bëjnë të njëjtën gjë.

“Thirrja ime edhe për ato bashki, jo të PD-së, që nuk e kanë bërë këtë gjë, ta bëjnë sa më parë”, tha Rama.

“Për ne është vijë e panegociueshme ndarëse me këta  (opozitën) që në këtë shtet secili duhet të marrë atë që i takon dhe duhet të kontribuojë sipas asaj që i takon”, vijoi ai.

Skema fleksibël, jashtë abuzuesit

Kryeministri renditi po ashtu edhe disa nga abuzimet që janë bërë me skemën e mëparshme të ndihmës ekonomike, të cilën e përfitonin persona që dispononin automjete, merrnin paga dhe pensione dhe nga ana tjetër fusnin duart në arkën e ndihmës ekonomike”.

Skema e re e shpërndarjes së ndihmës ekonomike, sipas Ramës, është fleksibël dhe vetëm për muajin shkurt janë 2900 familje të reja që janë përfshirë në skemë nga riaplikimi.

“Sistemi është dinamik. Aplikantët abuziv nuk janë përfshirë në skemë, ndërsa të tjerët që  për arsye të mosmarrjes së pikëve, nuk janë përfshirë, janë verifikuar dhe vazhdojnë të verifikohen”, tha Rama.

Punësim për çdo person që del nga skema e ndihmës ekonomike

Kryeministri theksoi po ashtu vizionin e kësaj qeverie për ta trajtuar ndihmën ekonomike thjesht si një emergjencë dhe për të mbështetur punësimin.

“70 për qind e atyre që merrnin ndihmë ekonomike dhe pretendojnë sërish, janë në moshë pune dhe ne do t’i japim mundësi për punë. Në pak javë, nga 7601 intervista punësimi, afro 200 persona kanë filluar punë. Të tjerë janë në pritje pas intervistave me kompani private. Shumëkush që nuk ka asnjë aftësi profesionale për të filluar punë menjëherë, mund të marri 55 mijë lekë në muaj për të bërë kurse profesionale që të bëhet i aftë për punë”, tha Rama.

PD, teatër politik me të varfërit

Kryeministri iu referua po ashtu të gjitha rasteve, që sipas tij, janë përdorur për propagandë politike nga Kreu i PD-së, Lulzim Basha.

“Në gjithë këtë teatër të madh me të varfërit ka një dallim shumë të qartë, që ti e bëre edhe më evident me këtë xhiron tënde shtëpi më shtëpi. Ju i doni të varfërit si ‘mish për top’ për të dalë në fotografi, ndërkohë që varfëria e tyre është status që e konsoliduat në qeverisjen tuaj pa vizion dhe reforma”, iu drejtua Rama, Kryetarit të PD-së, Lulzim Basha.

Rama theksoi se “kjo qeveri do që ta luftojë varfërinë me reforma dhe jo me lëmosha “. “Kjo reformë do të vazhdojë dhe do të shkojë deri në fund, sepse varfëria nuk është një status që jepet njëherë e përgjithmonë, por është një sëmundje që luftohet me masa afatshkurtër, afatamesme dhe aftagjatë. Ju kishit zgjedhur afatshkurtra që i ratë akoma më shkurt”, tha Rama.

Sipas tij, “sot skema e ndihmës ekonomike e bën të pamundur që të vidhet, abuzohet dhe që ata që nuk e meritojnë, të marrin bukën e atyre që kanë nevojë për bukë”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button