Modeli i ri i Prokurimeve të përqendruara, Ibrahimaj: Bizneset do të njihen më herët me nevojat e shtetit
Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, e pranishme në prezantimin e modelit të ri të Prokurimeve të Përqendruara, tha se synimi është të ndryshohet mënyra se si institucionet publike planifikojnë dhe realizojnë blerjet.
Ibrahimaj theksoi se prokurimi publik nuk duhet parë thjesht si një procedurë administrative, por si një instrument ekonomik përmes të cilit shteti mund të ndikojë në funksionimin e tregut, të nxisë konkurrencën dhe të përmirësojë standardet.
“Është e rëndësishme që ne ta shohim Prokurimin Publik si një instrument ekonomik, përmes të cilit shteti ndikon në mënyrën si funksionon tregu, nxitur konkurrencën, përmirëson standardet”, tha Ibrahimaj.
Sipas ministres, modeli i ri synon të kalojë nga një sistem i fragmentuar, ku institucionet trajtojnë veçmas nevojat e tyre, në një sistem të integruar, ku Operatori i Blerjeve të Përqendruara do të mbulojë të gjithë procesin, nga identifikimi i nevojave dhe analiza e tregut, deri te standardizimi i specifikimeve, zhvillimi i procedurave dhe vlerësimi i rezultateve.
“Ne synojmë të kalojmë nga një sistem ku prokurimi dhe institucionet janë të fragmentuara në trajtimin e nevojave të tyre, në një sistem të integruar ku Operatori i Blerjeve të Përqendruara nuk merret më vetëm me procesin e prokurimit, por merret me të gjithë sistemin e prokurimit, që nga identifikimi i nevojave, te analiza e tregut, te standardizimi i specifikimeve, te organizimi i procedurave dhe te vlerësimi i rezultateve. Nevojat e institucioneve do të identifikohen që në fazën e planifikimit të buxhetit dhe do të përkthehen në një regjistër të konsoliduar prokurimesh, i cili do të hartohet tashmë nga Operatori i Blerjeve të Përqendruara. Bizneset do të njihen shumë më herët me kërkesën që shteti do të ketë për mallra dhe produkte dhe do të kenë mundësi që të planifikojnë më mirë edhe kapacitetet e tyre, edhe prodhimin, edhe furnizimet, por edhe punësimin që do të jetë i nevojshëm për të zbatuar ato kontrata që do të ketë nevojë shteti“, theksoi ajo.
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.