Modigliani në Tiranë, ekspozita që prezanton veprat e një prej emrave më të mëdhenj të artit botëror
Veprat e një prej emrave më të rëndësishëm të artit modern italian të shekullit XX, Amedeo Modigliani, kanë mbërritur në Tiranë, duke e kthyer kryeqytetin në një qendër të rëndësishme të artit europian. Përmes një ekspozite të veçantë, publiku shqiptar ka mundësinë të njohë nga afër gjuhën unike artistike të Modiglianit, të njohur për format e tij karakteristike dhe portretet e thella emocionale. Ekspozita vjen si bashkëpunim mes Fondacionit Kalo Art dhe Arkivave Ligjore të Modiglianit, duke sjellë disa nga veprat më përfaqësuese të artistit për herë të parë kaq pranë publikut shqiptar.
Ekspozita në galerinë “Kalo” është një prej ngjarjeve më të rëndësishme në fushën e artit, veprat e Modiglianit njihen dhe janë parë nëpër botë, por përjetimi i tyre nga afër në Tiranë gjithashtu është një emocion krejt tjetër dhe më i veçantë. Përparim Kalo themelues i galerisë “Kalo”në Tiranë ndër të tjera në fjalën e tij thekson rëndësinë e kësaj ekspozite. “Shumë prej nesh kanë vizituar galeri të ndryshme anembanë botës, ku ekspozohen veprat e Modiglianit. Ne i njohim veprat e tij përmes katalogëve, e njohim jetën e tij nga filmat, por të admirosh disa nga veprat e tij në këtë galeri nga afër është padyshim një emocion krejtësisht i ndryshëm. Do të kishte qenë një ëndërr, por Shqipëria ka ndryshuar me shpejtësi dhe tani konsiderohet një vend i besueshëm. Ekipi i Modiglianit erdhi për të vlerësuar mundësinë e organizimit të kësaj ekspozite në këtë vend. Dhe ja ku jemi, ku një ëndërr është bërë realitet”, thotë Kalo. Ekspozita në galerinë “Kalo” në Tiranë synon të paraqesë një panoramë të plotë të krijimtarisë së Amedeo Modiglianit, nga veprat e tij të hershme deri te ato më përfaqësuese, përfshirë edhe nudot dhe vizatimet më të njohura të artistit.
Prezantimi i katalogut
Në këtë ngjarje kulturore në Tiranë u bë dhe prezantimi i Katalogut Raisonné – Vëllimi VI . Christian Parisot president i qendrës kërkimore të fondacionit “Modigliani” tregon se ka bashkëpunuar që në 1973 me vajzën e artistit për të mbledhur dokumente dhe dëshmi, me qëllim ndërtimin e historisë së vërtetë të Amedeo Modiglianit dhe rrethit të tij artistik mes Italisë dhe Parisit. “E kam takuar vajzën e Modiljanit, në vitin 1973 dhe filluam menjëherë të punonim së bashku në arkiva. Mblodhëm dëshmitë, fotografitë, dokumentet për të krijuar historinë e vërtetë të Modiglianit dhe njerëzve të tij, që ishin artistët e mëdhenj”, thotë Parisot, që ishte i pranishëm në ekspozitën që u hap në Tiranë. Ekspozita me veprat e Amedeo Modiglianit do të qëndrojë e hapur për deri në 30 maj në galerinë “Kalo” në Tiranë, ku publiku do të gjejë veprat e një nga emrave më të mëdhenj të artit botëror.
Gazmend Leka: Modigliani që e deshëm fshehurazi
Në hapjen e ekspozitës, profesor Gazmend Leka trajtoi temën e ndikimit të Modiglianit në skenën artistike shqiptare. Profesor Leka thekson se Amedeo Modigliani nuk u ndikua nga rrymat e kohës dhe krijoi një stil të tijin. “Ashtu si Vincent van Gogh, edhe Modigliani ishte i vetëmjaftueshëm. Ai qe fillimi dhe fundi i historisë së vet. Ishte nxënës dhe mësues i vetvetes. Nuk u përthith nga rrymat dhe shkollat e artit që zhurmonin kudo dhe si i tillë, më është dukur gjithmonë si një vrimë e zezë në universin e artit. Ai ka një horizont ngjarjesh të padukshme, që nëse i afrohesh shumë, rrezikon të shpërbëhesh e të thithesh brenda. Rreth tij rrotullohen shumë artistë. I kalojnë tangent, sa për të marrë një shkëndijë nga ai zjarr krijues që e bëri të pavdekshëm.
Dhe ndoshta pikërisht aty qëndron madhështia e Modiglianit: jo vetëm në atë që krijoi, por te fusha e padukshme e energjisë që vazhdon të gjenerojë”, shprehet profesor Leka. Ai kujton se në Shqipërinë e viteve 1970-1990 arti modern ishte i ndaluar dhe i konsideruar i rrezikshëm, ndërsa librat dhe materialet për të qarkullonin fshehurazi dhe lexoheshin me kureshtje. “Në Shqipërinë e viteve 1970-1990, arti modern u damkos si i huaj dhe i rrezikshëm, prandaj edhe u ndalua rreptësisht. Librat me riprodhime të piktorëve modernë u hoqën nga qarkullimi. U kyçën në biblioteka për të mos u parë më. Por librat nga bibliotekat personale vazhdonin të kalonin dorë më dorë, si objekte të ndaluara. I mbanim fshehur dhe i shfletonim me një ndjenjë të çuditshme, mes kureshtjes dhe frikës”, vijon profesor Leka. Ai kujton se përmes librave të shkëmbyer fshehurazi ato vite, njohja me Modiglianin u shndërrua në një përjetim të afërt dhe emocional, përmes stilit të tij poetik dhe figurave të heshtura e ekspresive. Njëkohësisht, ndikimi i tij në krijimet e studentëve shihej si i rrezikshëm në atë kohë dhe shpesh fshihej nga pedagogët për të shmangur ndëshkime. “Te librat që shkëmbenim fshehurazi, takimi me Modiglianin ishte një takim i çuditshëm: një artist i largët në kohë na u duk papritur shumë i afërt.
Muzikaliteti, linjat e buta, fytyrat e heshtura, sytë e thellë që shpesh dukeshin sikur shikonin përtej nesh, të gjitha këto ishin një poezi e brendshme që nuk kishte nevojë për shpjegime teorike. Shenjat nga universi i tij filluan menjëherë të shfaqeshin te disa detyra në klasën e pikturës, ku ndërkohë pedagogët tanë na këshillonin me kujdes t’i fshinim, për të mos rrezikuar edhe përjashtimin nga shkolla. Në fillim, shumë prej nesh nuk ia dinin as emrin. E thërrisnim me një nofkë të thjeshtë dhe pothuajse fëminore: “piktori i qafave të gjata”. Kështu përmendej mes nesh, si një lloj kodi sekret. Mjaftonte të thuhej ajo frazë dhe të gjithë e kuptonin menjëherë se për kë bëhej fjalë. Ishte mënyra jonë e fshehtë të flisnim për një artist që ishte tashmë një zbulim i madh”, shprehet ai.
Profesor Gazmend Leka piktor thotë se Modigliani u bë i njohur dhe i dashur edhe në një vend të izoluar, duke kaluar kufij dhe ndalime vetëm përmes fuqisë së artit të tij. “Ndoshta kjo është një nga historitë më të bukura: fakti që një piktor italian i fillimshekullit XX, i varfër dhe i keqkuptuar në jetën e tij, arriti të bëhej një prani e fshehtë dhe e dashur edhe në studiot e mbyllura të një vendi të izoluar rreptësisht. Pa manifest. Pa teori. Pa programe estetike. Vetëm përmes fuqisë së imazhit, sepse arti, në fund të fundit, ka mënyrat e veta të udhëtimit. Ai kalon kufij, ndalime dhe censura. Për ne, mbeti një sekret i bukur i rinisë sonë”, shprehet piktori Gazmend Leka. Ndërsa ekspozita me veprat e Modiglianit u hap këto ditë në galerinë “Kalo” një projekt tjetër më i madh me veprat e tij pritet në të ardhmen. Amedeo Modigliani lind në Livorno më 12 korrik 1884 dhe vdiq në Paris më 24 janar 1920.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.