“Plagët” ngjiten në skenën e teatrit të Gjirokastrës
Në teatrin “Zihni Sako” në Gjirokastër është shfaqur premiera e komedisë tragjike “Plagët” me autor Hysni Kokën dhe regjisor Milto Kutalin.
Për të ndërtuar një shoqëri të shëndoshë, fillimisht duhet të forcojmë familjen, ishte ky mesazhi i veprës “Plagët”.
Në skenë u ngjitën aktorët e mirënjohur Genc Fuga, Klement Konomi dhe Liljana Ristani, interpretimi i të cilëve përcolli emocione të veçanta për spektatorët.
“Vlerësoj gjithë stafin artistik dhe prapavijën e këtij teatri dhe mbi të gjitha spektatorin e mrekullueshëm të këtij qyteti, nëse këtu më tërhiqte fëmijëria ime dhe nuk mund ta fsheh nostalgjinë, padyshim që tani më tërheq shumë të bëj diçka për këtë qytet dhe të jap një kontribut sado modest për jetën artistike dhe kulturore që nuk i ka munguar kurrë këtij qyteti”, tha regjisori Milto Kutali.
Ndërsa aktori Klement Konomi shprehet: “Jeta i ka të gjitha këto fenomene, kështu që ne po i jetojmë të gjithë bashkë, qoftë me të mirat qoftë me të këqijat e saj. Unë vërtet jam i emocionuar dhe tani që po flas, se i kemi hequr në kurriz dhe po i heqim në kurriz të gjitha këto plagë që kjo komedi tragjike, tragjedi shpirti pasqyron dhe duhet shoqëria vetë, familja vetë, shteti duhet ta gjejë melhemin e kësaj plage”.
Mbresa të veçanta la edhe pjesëmarrja në këtë shfaqje e aktorëve të rinj, të cilët interpretojnë për herë të parë në skenën e teatrit.
Studentja Rosela Isufi: “Publiku gjirokastrit ishte shumë mikpritës, shumë i ngrohtë, ka reaguar aty ku ne kishim nevojë që të reagonte, gjë që edhe ne na çliroi dhe na bëri më të afrueshëm me publikun. Për mua ishte një kënaqësi shumë e veçantë dhe shpresoj që të kemi sa më shumë premiera të tjera po në teatrin Zihni Sako.”
Studenti Halil Hida: “Ishte një emocion i papërshkrueshëm, një vepër fantastike, një vepër që tregon plagët e gjenezës së shoqërisë dhe plagët e familjes dhe mendoj se është një nder i madh që unë përfaqësohem për herë të parë këtu dhe me këtë vepër.”
Sezoni artistik i pranverës po sjell në skenën e teatrit të Gjirokastrës shfaqje nga trupa teatrore shqiptare dhe të huaja që ndiqen me interes nga artdashësit.
Klan News
/tvklan.al




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.