Mogherini uron në shqip: Negociatat, rezultat i reformave
Shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Europian (BE), Federica Mogherini i ka uruar në shqip qytetarët shqiptarë nga selia e kryeministrisë në Tiranë një ditë pas vendimit të Komisionit Europian për çeljen e negociatave të Shqipërisë me BE-në. “Urime! Jam krenare që sot jam në gjendje t’u sjell në Tiranë vendimin që KE mori dje për të dhënë rekomandimin pozitiv për herë të parë në historinë e Shqipërisë, në mënyrë që Këshilli i Europës të nisë negociatat për anëtarësim në BE”, deklaroi Mogherini. Shefja e Politikës së Jashtme të BE, Mogherini nënvizoi se ky është rezultati i një pune kolektive.
“Ky ishte rezultat i përbashkët. Mendoj se do të jetë një ditë e një njohjeje kolektive. Rezultati i institucioneve të vendit, Presidentit, Qeverisë, Bashkive, por edhe i të gjithë qytetarëve shqiptarë”, tha më tej ajo.
Mogherini nuk harroi ta ripërsërisë sërish edhe sot në Tiranë atë që tha dje nga Strasburgu kur njoftoi çeljen e negociatave se procesi mbështetet në meritë. Këtë, nënvizoi ajo, do ta përsërisim gjithmonë.
Shefja e diplomacisë europiane po ashtu solli në vëmendje edhe qëndrimin e saj një vit më parë ku në emër të KE-së i kishte përcjell popullit shqiptar mesazhin se KE do të kishte dhënë rekomandim pozitiv për hapjen e negociatave, kur të nisë zbatimi i reformës në drejtësi dhe posaçërisht Vettingu. “Ju e realizuat atë dhe ne e përmbushëm atë që thamë”, deklaroi Mogherini. Shqipëria, theksoi Mogherini, ka përmbushur kushtet që ishin vendosur në raportin e rekomandimeve të fundit të miratuara një vit e gjysmë më parë dhe ajo është e gatshme për të çelur negociatat, duke mbajtur e thelluar reformat që janë ndërmarra. Kjo, sipas saj, është edhe puna që duhet bërë më tej.
Duke vënë theksin te vokacioni europian i popullit shqiptar, Mogherini tha se integrimi i Shqipërisë është edhe në interes të vet BE-së. “Nuk është vetëm vendosmëri e popullit por edhe në interes të BE-së ta marrë Shqipërinë të hyjë në të, kur ajo të jetë gati dhe shpresoj se ajo të jetë gati shpejt. 5 përparësitë që tashmë i dini mbeten elementët kyç mbi të cilat shqiptarët do të gjykojnë e vlerësojnë kapacitetet e institucioneve dhe baza e punës sonë të përbashkët”, vlerësoi Mogherini.
Po ashtu, shefja e diplomacisë europiane e konsideroi mjaft të rëndësishëm rolin e Shqipërisë në rajon.
“Më lini të njoh rolin pozitiv që Shqipëria ka luajtur dhe do të vazhdojë të luajë, duke u përqendruar në bashkëpunimin dhe fqinjësinë e mirë me fqinjët dhe vendet e tjera në rajon, që është tejet me rëndësi. Në Ballkanin Perëndimor, politika e zgjerimit të BE-së kthehet në ADN e projektit integrues europian, që është pajtimi dhe paqja. Ndaj marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, bashkërendimi e bashkëpunimi në rajon është një element thelbësor i arsyes se pse ne jemi bashkuar në Union. Veçanërisht në këtë rajon, besoj se është me rëndësi. Urime edhe për këtë, sepse besoj se po dëshmoni vendosmëri dhe vullnet të mirë për të përmirësuar marrëdhëniet me partnerët e tjerë në rajon”, nënvizoi Mogherini.
Mogherini vlerësoi edhe politikën e jashtme të ndjekur nga qeveria shqiptare, të cilën e quajti 100% të harmonizuar me BE-në. “Shqipëria është një vend që është 100% në të njëjtën linjë me ne, kur bëhet fjalë për politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së. Kjo nuk është pa rëndësi, duke qenë se është një qëndrim që ne e bashkë ndajmë në skemën botërore. Kjo është diçka me vlerë, e rëndësishme. Falenderoj kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm për këtë punë të mirë në këtë fushë”, tha kryediplomatja europiane.
Mogherini kërkoi bashkëpunimin e të gjitha palëve, qeverisë dhe opozitës, për vijimin e punës, duke theksuar se nevojitet një angazhim më i madh i vendit pas çeljes së negociatave. “Mbaj mend edhe dasitë, edhe përpjekjet apo luftërat, por siguroj se është momenti për të njohur rezultatin e arritur nga të gjithë bashkë në Shqipëri. Momenti për tu angazhuar dhe punuar së bashku, qeveria me opozitën, institucionet e vendit, qytetarët shqiptarë. Nevojiten përpjekje kolektive. Nuk janë vetëm institucionet, por edhe njerëzit. Të gjithë së bashku të vazhdojmë këtë punë që do të jetë edhe më e madhe kur të nisin negociatat. Ky është një proces që lejon një transformim më të madh të vendit”, apeloi Mogherini. Këtu ajo theksoi se Shqipëria është vendi që ka transformuar veten më shumë në Europë gjatë dekadës së fundit.
Rama: Një kapitulli tjetër edhe më të vështirë që mbetet për t’u shkruar
“Kapitulli historik që kemi mbyllur dje ia ka lënë vendin një kapitulli tjetër edhe më të vështirë që mbetet për t’u shkruar”, deklaroi të mërkurën kryeministri Edi Rama, duke kërkuar krijimin e një skuadre kombëtare me fanellën kuqezi bashkë me opozitën për çështjet e integrimit. Pas dhënies së rekomandimit për çeljen e negociatave për anëtarësim me Bashkimin Europian, Kryeministri Edi Rama takoi sot Shefen e Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini, e cila ndodhet për një vizitë zyrtare në Shqipëri. Në një komunikim të përbashkët për mediat pas takimit, Rama shprehu falënderimet për zonjën e diplomacisë së Europës së bashkuar, për angazhimin dhe mbështetjen që i ka dhënë Shqipërisë në këtë proces.
“Arritja e rezultatit të shumëpritur të rekomandimit të KE-së për çeljen e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë është e lidhur drejtpërdrejt edhe me punën e palodhur të Mogherinit, në urën lidhëse mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor”, tha Rama. Me këtë mbështetje të paepur, sipas Ramës, rajoni dhe Shqipëria kanë bërë hapa shumë të rëndësishëm përpara.
“Ne të gjithë kemi nevojë të posaçme për miq të mirë dhe të vërtetë të Europës, për njerëz dhe faktorë të hapur ndaj nesh, që të njohin historinë tonë, të kuptojnë vështirësitë dhe rëndësinë tonë për projektin e papërfunduar të Europës së Bashkuar, të vlerësojnë ndershmërisht përpjekjet në rrugën e shtetbërjes europiane në vendet tona dhe të kenë dëshirën dhe vullnetin të na mbështesin dhe të argumentojnë fort për ne, aty ku ne nuk jemi”, vijoi Kryeministri. Gjatë kësaj kohe jo fort të favorshme për zgjerimin, sipas Ramës, njerëz dhe forca skeptike ndaj politikës së zgjerimit, na shohin dhe nuk ngurojnë të na përdorin si ‘mish për top’ të politikës së tyre të mbylljes dhe interesave të tyre të brendshme.
Rama ftesë opozitës: Skuadër kombëtare për integrimin
“Sot dua t’i lutem jo si kryeministër apo si kryetar i PS-së, por si shqiptar, si qytetar dhe si koleg, përfaqësuesve të opozitës sonë, që të mos bashkëpunojnë me asnjë faktor të jashtëm politik që për interesat e veta të brendshme do që ta pengojë Shqipërinë në këtë proces; të mos ushqejë zyra deputetësh andej-këtej me gënjeshtra gjysëm të vërteta që janë më të dëmshme se edhe vetë gënjeshtrat dhe të mos eksportoj baltën e luftës tonë të brendshme politike por ta lënë mënjanë inatin dhe mllefin politik kur flasim në gjuhë të huaj”, tha Rama. Kryeministri ftoi kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, për “krijimin e një skuadre kombëtare me fanellën kuqezi, kur flasim për Shqipërinë jashtë dhe t’u kërkojmë atyre që na vizitojnë në Shqipëri respekt dhe vlerësim për gjithë këtë punë të bërë në vend”. “Dje nuk kam fituar unë, nuk ka fituar qeveria apo PS. Dje ka fituar Shqipëria, të gjithë shqiptarët pa dallim, pavarësisht se për kë votojnë. Shqiptarët nuk kanë mes tyre asnjë ndasi dhe nuk ia lejojnë vetes të ndahen me njëri-tjetrin, kur vjen puna për këtë ëndërr kombëtare. Shqipëria i ka boll nëpër Europë ata që duan t’i nxjerrin bishta çdo arritjeje dhe nuk e kanë problem t’i vënë shkopinj në rrota. Nuk ka kuptim që qoftë edhe një shqiptar i vetëm t’ i bashkohet këtyre forcave, që për fat të mirë janë pakicë në Europë”, shtoi Kryeministri.
Mirënjohje mbështetësve të projektit europian të Shqipërisë
Shqipëria, tha Kryeministri, ia ka dalë të hedhë një hap tejet të rëndësishëm historik në rrugën e përpjetë drejt realizimit të një ëndrre kombëtare. Në emër të gjithë shqiptarëve, Kryeministri falënderoi me gjithë zemër Mogherinin për gjithçka ka bërë, duke na inkurajuar, kritikuar dhe mbështetur pa rezervë në një rrugë aspek të lehtë. “Falënderoj Presidentin Juncker me të cilin kam pasur mbrëmë një telefonatë inkurajuese. Po ashtu, falënderoj komisionerin Hahn që është investuar me mendje dhe zemër për ta çuar para projektin e integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE”, tha Rama.
Punë e mundimshme përpara drejt marrjes së diplomës së anëtarësimit
Shqipëria, theksoi Kryeministri, ka marrë atë që meriton në këtë fazë të zhvillimit dhe modernizimit të saj”. Kryeministri nënvizoi në këtë drejtim sforcot e jashtëzakonshme për të kaluar reformën në drejtësi, Vetting-un, çrrënjosur kanabisin nga territori i vendit dhe vendosjen e një shifre rekord sekuestrimesh të aseteve kriminale, për të reformuar administratën publike, luftuar korrupsionin, dhe krijuar një kornizë shembullore ligjore për minoritetin. Por, sipas Kryeministrit Rama, Shqipëria ndodhet tani në një fazë të re edhe më të vështirë për të shkruar një kapitull të ri historik në marrëdhëniet Shqipëri-BE. “Ndodhemi para një kapitulli historik që mbetet për t’u shkruar. Pastrimi i sistemit të drejtësisë duhet të pasojë me rezultatet e ndëshkimit; pastrimin e mëtejshëm përmes Vetting-ut të Policisë së Shtetit dhe rritjen sistematike të forcës goditëse të saj; pastrimin e kapilarëve të administratës nga korrupsioni, rritjen e transparencës dhe shpejtësisë së shërbimeve në çdo nivel në rrugën e ndërtimit të një administrate europiane. Kjo dhe plot të tjera në listën e detyrave të reja të Shqipërisë, e cila dje ka marrë një provim të stërvështirë, por sot nuk ka më kohë për të festuar, sepse duhet nisur puna e gjatë e mundimshme drejt marrjes së diplomës së anëtarësimit”, tha Kryeministri Rama.
Skeptikët e zgjerimit, Rama: Jemi të përgatitur për të dëgjuar çudira
Në aspektin politik, Rama tha se jo të gjithë në shtetet anëtare të BE-së e shohin me entuziazëm zgjerimin. “Nuk është sekrete, por dihet botërisht, që në disa vende anëtare ka individë dhe forca që as nuk e duan zgjerimin dhe as përparimin e rajonit në rrugën drejt anëtarësimit. Jemi të përgatitur për të dëgjuar edhe çudira në muajt në vijim, ashtu sikurse Shqipëria nuk është ndonjë fuqi e madhe për mos t’u trajtuar si top për lojëra të brendshme politike andej-këtej. Por, këto janë problematika krejt të natyrshme që do t’i trajtojmë me qetësi e vendosmërinë e argumentave dhe dëftesa që kemi në dorë nga dje, na e bënë pak më të lehtë këtë punë jo të lehtë”, theksoi Rama.
URIME EDHE TY ZONJE FISNIKE PER SHPIRTIN E ART QE KE