Molotovët dhe drejtësia që nuk vepron

Bashkë me demonstrimet në protestat e opozitës në Shqipëri u shfaqën edhe lëndët piroteknike ose djegëse, si dhe molotovët, që i quajnë bomba molotov. Nuk janë bomba lodër. Janë bomba prej të vërteti, sepse shpërthejnë në flakë dhe djegin ç’të gjejnë përpara. Shkurt hesapi: ato janë armë që mund të marrin edhe jetë njerëzish. Si të tilla janë të ndaluara. Kodi Penal i Shqipërisë parashikon për hedhjen e molotovëve 2 vjet burg, që shkon edhe në 5 deri në 10 vjet, nëse rrezikohet jeta (neni 151).
Për sulmet ndaj policisë (neni 236-237) gjobë ose 3 muaj burg deri në 5 vjet.
Për prishjen e rendit publik (neni 274) gjobë deri në 3 vjet burg.
Për organizimin e protestës së dhunshme (neni 262) gjobë/1 vit deri 3 vjet burg.
Për organizatorin që nxit dhunë njësoj si kryesi, deri në 10 vjet burg.
Në Kodin Penal nuk shkruhet se zbatimi i këtyre neneve varet nga gjykatësi. Po e pa ai të arsyeshme, edhe pse krimi është i faktuar, ai ka të drejtë të mos e zbatojë ligjin. Përkundrazi, çdo gjykatës është i detyruar të japë dënimin sipas ligjit. E drejta e tij është të përcaktojë masën e dënimit: në minimum ose maksimum.
SI PARAQITET GJENDJA NË SHQIPËRI?
Për të mos shkuar në vitet 2011, 2013 ose 2019, na mjaftojnë të dhënat për përdorimin masiv të këtyre flakëhedhëseve. Në 22-23 dhjetor 2025, 20-21 shkurt 2026 dhe 22-23 mars 2026 u arrestuan nga policia me dhjetëra e dhjetëra protestues që hodhën molotovë. A u dënua ndonjë nga ata? Jo, as edhe një njeri deri tani nuk është dënuar me burg me vendim të formës së prerë. Kanë pasur masa të lehta sigurie ose mbeten në hetim me detyrim paraqitjeje apo procedim në gjendje të lirë, kur Kodi Penal është më se i qartë. Pse kjo mospërfillje ose shkelje me të dy këmbët e ligjit nga gjykatësit? Mos vallë mendojnë se Kodi Penal nuk përmbush kërkesat e demokracisë për këtë lloj krimi? Jo dhe jo!
Për përdorimin e molotovëve në Angli dënohesh 10-20 vjet burg. Edhe po nuk u ndez flakëhedhësja, përsëri dënohesh për tentativën e djegies me dashje. Në Francë dënohesh nga 5 deri në 10 vjet burg. Në Gjermani 15 vite burg. Në SHBA 7 deri në 20 vjet. Edhe pse Kodi ynë Penal ka dënime më të ulëta nga ato të demokracive të mirëfillta, përsëri ai po mënjanohet. Ku është shkaku dhe pse nuk dënohen gjykatësit që nëpërkëmbin Kodin Penal?
Nuk mund të them se është mungesë profesionalizmi. Jo. Kryesorja është se si prokurorët dhe gjykatësit kanë frikë nga presioni politik. Ende nuk janë të bindur që janë krejtësisht të pavarur nga politika. Kësaj mund t’i shtojmë edhe kulturën e mosndëshkueshmërisë dhe mungesën e përgjegjësisë institucionale. Ndoshta në këtë mes mund të jetë futur edhe paraja?!
Mos vallë edhe në shtetet e tjera gjykatësit i mbyllin sytë dhe veshët para këtij lloj krimi? E, po qe se edhe ata nuk i dënojnë shtetasit e tyre, pse ne të dalim si të tepërt ose të dukemi më katolikë se Papa?!
Në Londër, personat që në vitin 2011 hodhën molotovë u dënuan me 14 vite burg. Një protestues që goditi policinë me mjete piroteknike u dënua me 6 vjet burg. Në Francë, ata që hodhën këtë lloj arme gjatë protestave “Gilets Jaunes” u dënuan me 3 deri në 7 vjet burg. Në New York, një çift që hodhi molotov në protestën e vitit 2020 u dënua me 10 vite burg federal. Këta shembuj tregojnë qartë se atje ku demokracia funksionon nuk gjejmë as dhe më të voglën shmangie nga Kodi Penal. Në Shqipëri po, se demokracia jonë ende është gjoja demokraci, deri sa gjykatësit që janë kolona bazë e mbrojtjes së sistemit përmes zbatimit të ligjshmërisë, nuk duan t’ia dinë fare se po bëhen ortakë me kriminelët.
Me të drejtë kujtdo mund t’i lindin disa pyetje. Kur qeveria dhe kryeministri gabojnë për probleme nga më të ndryshmet, Parlamenti kërkon seancë votëbesimi. Pra, është një hallkë sipërore që ka të drejtë t’i ndëshkojë ata. Në rast se edhe deputetët e një legjislature nuk kanë plotësuar kërkesat e popullit, në votimet e radhës, ata nuk zgjidhen më. Edhe Presidenti, në rast se vërtetohet që ka shkelur ligjin, është Parlamenti që kërkon shkarkimin e tij. Këta shembuj tregojnë se kushdo duhet patjetër të përgjigjet para një instance eprore për veprimtarinë e tij, sidomos për gabimet e rënda.
Të vetmit që nuk ka kush u heq veshin ose kush merr masa qoftë ekstreme ndaj tyre janë prokurorët dhe gjykatësit. Ky është realiteti i hidhur i pavarësisë së plotë të drejtësisë. Në të vërtetë, po qe se një prokuror ose gjykatës i shkallës së parë gabon, është Gjykata e Apelit ajo që vendos për këtë ose atë çështje. Po gaboi edhe Apeli, është Gjykata e Lartë ajo që vendos. Për çështjet në lidhje me Kushtetutën, është Gjykata Kushtetuese që thotë fjalën e fundit. Janë një varg instancash nëpër të cilat gjykohen veprimet e çdo prokurori dhe gjykatësi. Qofshin ata edhe të SPAK-ut. Është edhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, si edhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë.
Duke qenë shumë hallka kontrolluese, njeriu mund të mendojë se gabimet nuk ka si të anashkalohen pa u ndëshkuar. E drejtë teorikisht. Në fakt kemi të bëjmë me një vetëkontroll të sistemit të drejtësisë që është 100 për qind i pavarur. E keqja është kur kjo pavarësi nëpërkëmbet, duke mos dënuar ata që nuk zbatojnë Kodin Penal. Nuk është fjala për një rast dhe për një jurist të vetëm. Është fjala për disa. Për këta disa ka lindur ky ngërç i pahijshëm juridik.
Zgjidhjen e drejtpërdrejtë, duke urdhëruar të zbatojnë ligjin, nuk e ka as Parlamenti, as Kryeministri me Ministrinë e Drejtësisë dhe as Presidenti. Si mund të zgjidhet kjo “metë” jo e padukshme e sistemit të demokracisë? Po shtetet e tjera si kanë dalë nga ky ngërç, në qoftë se edhe ata e kanë pasur?
Greqia fqinje, për të mos i lejuar gjykatat të devijojnë nga ligji, krijoi Inspektoriatin e Drejtësisë. Në Kroaci u krijuan mekanizma të fortë disiplinorë. Në SHBA Gjykata e Lartë vendosi standarde të detyrueshme. U rrit kontrolli i brendshëm i gjyqësorit. U krijuan mekanizma të fortë apelimi. U rrit transparenca dhe llogaridhënia publike. Shembullin më efikas, që kishte për të qenë një tjetër shpëtim, veç SPAK-ut, për drejtësinë tonë të zvarritur, e kemi nga Rumania. Atje prokurorët nuk zbatonin ligjin për çështjet e korrupsionit dhe dhunës politike. U vendosën standarde të reja për hetimet. Kryesorja e kryesoreve është se BE e monitoroi Rumaninë në çdo hap. Çfarë solli kjo? U shkarkuan dhjetëra gjykatës dhe prokurorë për moszbatim të ligjit. Rezultati: Rumania u bë një nga vendet me më shumë dënime për korrupsion në Evropë.
Deri sa ende ka prokurorë dhe gjykatës shqiptarë që mbyllin sytë dhe nuk duan të zbatojnë Kodin Penal, që është i detyrueshëm për të gjithë, për t’i vënë fre djegies së shfrenuar nga molotovët në protestat e pareshtura, nuk është turp, por detyrë e qeverisë sonë t’i kërkojë urgjentisht ndihmë BE-së për të larguar nga sistemi i drejtësisë cilindo që me ndërgjegje nuk zbaton ligjin. Populli atë ose ata nuk i paguan për sytë e bukur. I paguan që si Kodin Penal dhe atë Civil t’i kenë busull orientuese dhe vendimmarrëse. Jo më flakë drejt ndërtesës së Kryeministrisë dhe Parlamentit, jo më flakëhedhëse kundër policisë dhe mjeteve të tyre!
Opozita, cilado qoftë, në pushtet vjen vetëm përmes votës së lirë të popullit. E fundit, po jo nga rëndësia, jo më njerëz që kanë dhënë urdhër për të vrarë të shëtisin lirisht, të na bëjnë moral, të bëjnë thirrje për ta djegur Shqipërinë dhe për të përzënë Kryeministrin që, i mirë ose i keq, e ka zgjedhur populli. Do të jetë po populli që, kur të vijë dita, do ta zbresë nga karrigia. Është ai që ka për të votuar për këtë ose atë parti. Është populli i heshtur që urren molotovët e fishekzjarret, djegiet dhe dhunën ndaj policisë dhe institucioneve; është populli që di se kujt ka për t’ia besuar qeverisjen. Një qeverisje që do të na afrojë edhe më shumë me BE-në dhe SHBA-të. Në asnjë vend të Evropës dhe në asnjë shtet anëtar të NATO-s nuk mund të vish në pushtet përmes flakës dhe dhunës, përmes shpifjeve monstruoze. Në pushtet vihet vetëm me programe të qarta, me udhëheqës paqësorë dhe vizionarë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.