Opinion

Mos e pi helmin, Romeo!

Fadil Lepaja

Fadil Lepaja
Fadil Lepaja

Reflektim për shfaqjen “Romeo dhe Xhulieta” të regjisorit serb Miki Manojloviç, e cila flet për dashurinë e (pa)mundur shqiptaro-serbe!

Në ditët e sotme, shumëkush mendon se për dashurinë nuk ia vlen ta pish helmin, ashtu si bëri Romeo dikur. E piu edhe Xhulieta, do të thoni. Ishte reciproke. Dashuri e pafat, e pamundshme! Nëse “molla e ndaluar” është dashuri, atëherë bie krejt koncepti i mëkatit të parë. I bie se njerëzit ikën nga parajsa për dashurinë.

Nejse, ashtu së paku thotë legjenda dashnorët, prej së cilës u bë edhe libri i famshëm. Sot e kësaj dite shkencëtarët kanë dilema në ishte krejt kjo një ngjarje e rrëfyer me besnikëri. Ah, shkenca, me dilemat e saj! Po ku luan rol e vërteta, te dashuria?! Punë zemre është, e jo truri. Prandaj thonë “i iku truri”…Romeos! U dashurua!

Por, kanë ndërruar “mapat e mendjes” si do pëlqente të thoshte dikur intelektuali ynë i madh Arbër Xhaferi. Kuptohet, ai nuk e thoshte këtë për dashurinë, por gjithsesi edhe këtu “mapat” bëjnë punë. Në fund të fundit, çdo gjë ka të bëjë me dashurinë, e rrjedhimisht edhe me urrejtjen. Dashuria për shumëkënd sot nuk është ajo për të cilën dikur shumëkush ia hoqi vetës… kokës!

Dikur, insistohej në një zgjidhje domosdo etike. Jo se jeta e ndiqte këtë rrugë, por arti kishte mision. Dashuria nuk ishte vetëm seks, e nuk ishte as vetëm interes. Sipas artit! Ka që mendojnë se sot pikërisht kështu po ndodh, me dashurinë. Doni dashuri, zotëri? Pastaj përmendet valuta. Ndoshta kështu krejt duket më e thjeshtë,

Do ti, edhe sot e kësaj dite artistët mendojnë se arti ka mision! Përpos estetik, edhe etik! Ka edhe mision politik! Me i thye barrierat! Edhe në kohën kur ka arritur kulmin trafikimi ndëretnik, ata mendojnë për dashurinë e ndaluar në mes të komuniteteve. Insistojnë në dashuri. Edhe pas një lufte në të cilën, sipas të dhënave jozyrtare, rreth 40 mijë femra shqiptare dyshohet të jenë “dashuruar” me zor. Pra, ka kuptim, dashuria e vërtetë në mes të komuniteteve, mendojnë artistë. Për të qenë dashuri, e kapshme për artin, ajo duhet të jetë e pamundshme. E arti si arti, funksionon me sloganin: kape një ëndërr e bëje të mundshme!

Por, dashuria kurrë nuk është e pamundshme! Artistët thonë se dashuria është e mundur edhe në mes komuniteteve që përjashtohen. Dashuria nuk është vetëm seks dhe biznes.

“Në mënyrë absolute, jam i bindur se individët munden shumë t’i ndryshojnë gjërat, si për të mirë, ashtu edhe për të keq. Nëse ne, me këtë projekt, vetëm një personi arrijmë t’i ndryshojmë “hartën” mentale, ne e kemi kryer punën si duhet”, thotë njeriu i cili është i lindur dhe rritur në një martesë të përzier dhe jetoi në kryeqendrën e krimit politik të fundshekullit të kaluar, në Beograd. Uliks Fehmiu është djali i aktorit të famshëm shqiptar, Bekim Fehmiu. Uliksi i lindur në një martesë të përzier, në një dashuri të (pa)mundur, shpreson se kjo shfaqje, “Romeo dhe Xhulieta”, në regji të aktorit dhe regjisorit serb Miki Manojloviç, do të ndikojë në ndërrimin e qasjes, në vetë paradigmën për armikun e përhershëm dhe për dashurinë si një fenomen i mundshëm në këtë mes.

A ka dashuria dimension politik, apo të shprehemi ndryshe, a mundet dashuria të mos ketë dimension politik, kur të dashuruarit u përkasin komuniteteve në konflikt?

A është ndër ne çështje private, dashuria? A është e mundur një dashuri në mes të ambientit tejet të kontaminuar politikisht dhe tejet përjashtues në mes dy etnive, komuniteteve? E doni një rrëfim?

Pra, në një qytezë të Kosovës, në vitet ’90 të shekullit të kaluar, përpara luftës së fundit serbo-shqiptare për Kosovën, një e re shqiptare ishte dashuruar dhe martuar me një të ri serb. Kjo martesë bëri bujë në qytetin e vogël dhe e mbushi qytezën me thashetheme, nga më fantastiket.

Ata, të rinjtë, kishin punuar bashkë në një zyrë administrate, në një kompani socialiste, që quhej kooperativë bujqësore.

Ajo ishte joshëse, e ai kishte pushtet. Aty, mes letrash dhe ditëve pa ngjarje si di të jetë jeta në province, “molla e ndaluar” i mpiu dhëmbët e dy të rinjve, lindi edhe dashuria e (pa)mundur mes tyre, e cila u kurorëzua me martesë. Shtoji kësaj edhe faktin se vajza kishte qenë e fejuar me një të ri shqiptar, për të kuptuar krejt dramën e kësaj ngjarjeje, e cila i trazoi emocionet dhe paragjykimet në qytezën veriore!

Dashuria e tyre u realizua dhe mbijetoi me gjithë urrejtjen dhe përbuzjen kolektive që ngjalli dhe e cila kishte marrë formën e një përjashtimi të “Xhulietës” nga komuniteti. Ajo, sipas bindjes së përgjithshme e kishte tradhtuar familjen, kombin, në një moment të vështirë nëpër të cilin po kalonin. Dashuria e tyre nuk ishte “çështje private”. Nuk ishin vetëm ëndrra erotike.

Pastaj, rastisi që dhëndri të bëhet kryetar komune në periudhën e largimit të përgjithshëm të shqiptarëve nga puna dhe nga pushteti, madje edhe ai lokal. Të gjithë e quanin me ironi “dhëndri” edhe flisnin për të me urrejtje dhe përbuzje. Kishte nga ata të cilët ditën e shanin “dhëndrin”, por e vizitonin natën për të përfituar ndonjë shërbim nga shteti. Tinëz. Ai ishte armik, e ajo po flinte me armikun. Thuhej se “dhëndri” kryente punë. Ndihmonte, ata që i kërkonin ndihmë… natën.

Shikuar politikisht, këto emocione negative drejtuar drejt “dhëndrit” nuk ishin të paarsyetuara, sepse ai ishte ekzekutues lokal i një politike të vrazhdë në këtë vend, ishte një rrotëz e atij mekanizmi mizor dhe kundërcivilizues, i cili më 1999 prodhoi kolonat e pafund të shqiptarëve, të cilët po iknin nga Kosova, duke lënë pas vetes çdo gjë. Ishte kjo kriza humanitare e kosovarëve të përndjekur, e cila e vuri në funksion mekanizmin e rëndë të ndërgjegjes qytetare të botës, që të ndërhyjë ushtarakisht në Kosovë. Ky rrëfim, i vërtetë, mund të quhet: “dashuri e mundur, me armikun”!

Rrëfimi tjetër, është ndryshe. Biznes! Sipas një hulumtimi të kryer nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara të vitit 2014, pjesa më e madhe e serbëve nuk janë të gatshëm që të punojnë së bashku apo të jetojnë me shqiptarët, ndërsa, pothuajse asnjë femër nuk është e gatshme që të martohet me një mashkull shqiptar.

Por, meshkujt po. Matiçët, nuk kishin fëmijë, raportojnë mediat. Serbia rurale po shuhej, në mungesë të nuseve të cilat iknin në qytet dhe martoheshin atje. Matiçët vendosën të blejnë dashurinë. Te “armiku”!

“Për më shumë se tri dekada, familja Matiç, në fshatin Buxhevë të veriut të Serbisë nuk i ishte gëzuar lindjes së ndonjë trashëgimtari. Mirëpo, vitin e kaluar në këtë shtëpi kishte hyrë Vera, nusja nga rrethi i Pukës. Pa u mbushur viti, kishte lindur Milosh Matiçi, trashëgimtari i parë pas shumë kohësh i Matiçëve”, raportojnë mediat.

Sipas medias, prindërit e vajzave nga Shkodra, nuk janë rob të emocioneve që i kanë kosovarët, për serbët. Ata, kryesisht, shqetësohen që vajzat e tyre të mos martohen në ndonjë familje të pandershme, pa e specifikuar qartë këtë konceptin e ndershmërisë. Thonë se, është me rëndësi se dhëndurët të jenë të ndershëm dhe të krishterë.

Vetëm vitet e fundit, me qindra vajza nga Shqipëria, pa u shqetësuar për barrierat gjuhësore, kulturore e psikologjike, u martuan me të rinj, dhe jo vetëm të rinj serbë dhe krijuan familjet e tyre.

Nuset shqiptare, thonë serbët e kënaqur, janë të urta dhe punëtore, ndërkohë që ata shprehen të gëzuar që familjet e tyre dhe kombi nuk po shuhen. Fenomenin social i quajtur “murtaja e bardhë” pra, rënia e natalitetit, ikja e të rinjve, shumë fshatra serbe i ka boshatisur dhe kanë mbetur vetëm si tabela skaj rrugëve magjistrale…

“Vetmia është e tmerrshme”, thotë Miki Manojloviç, regjisori serb, i cili muajve të fundit u mor krejtësisht me shfaqjen “Romeo dhe Xhulieta”. Regjisori serb nuk mendon për vetminë si fenomen psikologjik për individin, ai flet për vetminë e kombeve, izolimin, përjashtimin. “Pastërtia e kombit, thotë ai, është ide e gabuar”.

Mos e pi helmin, Romeo! Krejt kjo është vetëm një… shfaqje.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button