Opinion

Mos është pjellë në oborrin e SHQUP-it “vrasja” e Doshit?

ANDREA STEFANI

Andrea StefaniKa një dyshim që vërtitet në ajër këto ditë të gjullurdisë që opozita e PD-së po përpiqet të ngjallë, pas akuzave të ngritura nga deputeti Tom Doshi ndaj Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta. Dhe janë pikërisht protestat e PD-së, thirrjet e liderëve të saj për dorëheqjen e Metës, gjakimi i qartë për të përfituar politikisht nga kjo ngjarje, duke thirrur deri edhe zgjedhje të parakohshme, ende pa thënë fjalën e saj as prokuroria, ajo që të shtyn të dyshosh: mos vallë kemi të bëjmë një intrigë të sajuar me nxitjen e vetë lidershipit të PD-së që po përpiqet të përfitojë sa më shumë prej saj? Dyshim që intrigon edhe më fort tani që prokuroria ka arritur në përfundimin se përgatitja e vrasjes së deputetit Doshi dhe Fufi, paskan qenë një sajim i vetë deputetit Doshi në bashkëpunim me deputetin Frroku.

***

Intriga si krim dhe kurth, nga e cila përfiton vetë krimineli që akuzon viktimën dhe arrin ta dënojë si kriminel, është një dukuri e vjetër sa bota. Madje, zhbirilimi i intrigave të tilla ka qenë edhe lavdia e juristëve që nga kohët e lashta. Njëri ndër më të shquarit prej tyre në Romën e vjetër, Ciceroni, u bë i famshëm pikërisht sepse në çështjen e Sextus Roscius of Ameria, mbrojti me sukses një djalë që akuzohej për vrasjen e të atit. Duke përdorur si çelës logjik pyetjen Cui Bono (“Kush përfitoi nga vrasja”?) Ciceroni mundi të zbulojë se cilët ishin kriminelët e vërtetë dhe provoi se djali që akuzohej për vrasjen e babait, qe në fakt viktima, të cilit vrasësit donin t’i merrnin pasuritë që trashëgonte nga babai i vrarë po prej tyre.

***

Po të përdorim metodën e Ciceronit në rastin “Doshi”, lidershipi i PD-së shfaqet në një dritë mjaft të dyshimtë. Veçanërisht tani, kur hetimet e prokurorisë, të zhvilluara si kurrë më parë, kanë arritur në përfundimin se e gjitha ka qenë një sajesë. Kush do përfitonte sikur ky mashtrim të rezultonte i vërtetë? Padyshim lidershipi i PD-së, Berisha, Basha me kompani. Kush do dilte i humbur? Pa asnjë dyshim lidershipi i pushtetit, Rama, Meta. Prej këtej nuk është e vështirë të arrish në përfundimin se kush qe i interesuar të shpërthente një çështje “Doshi”. Është e vështirë të besosh, të paktën nga këndvështrimi apo interesi politik, që qeveria apo mazhoranca do të thurte një komplot të tillë kundër Doshit, që jo vetëm nuk i ofronte asnjë përfitim, por edhe do ishte kërcënues për stabilitetin e vetë mazhorancës dhe qeverisjes. Në të kundërt, është shumë e logjikshme të dyshosh, por duhet vetëm pak liri për t’iu përmbajtur logjikës, se një intrigë e tillë mund ta ketë origjinën në kokat strategjike të PD.

***

Dyshimi përforcohet edhe nga përvoja. Sepse nuk është e para herë që lidershipi i PD përpiqet të nxjerrë përfitime politike të pamerituara nga krime apo incidente me origjinë të errët. Gjëja e parë që na vjen ndër mend është vrasja e deputetit Azem Hajdari ca vite më parë. Qeveria socialiste e Fatos Nanos nuk kishte as interesin më të vogël politik që të vriste Hajdarin. Përkundrazi, stabiliteti i qeverisjes e shtynte të punonte që të mos ndodhnin krime të tilla. Megjithatë, përkundër këtij interesi, krimi ndodhi. Hajdari u vra dhe akuza e parë e PD, vetëm pak minuta pas vrasjes, e pabazuar në asnjë fakt, u drejtua nga qeveria dhe kryeministri Fatos Nano. Nën thirrjet histerike “e vrau qeveria”, “e vrau Fatos Nano”, “ta shporrim qelbësirën”, Berisha ndërseu një sulm të armatosur që përfundoi me marrjen me kallash të ndërtesës së Kryeministrisë dhe Televizionit Publik (TVSH). Pra, kush përfitoi politikisht nga vrasja e Azem Hajdarit? Askush tjetër përveçse PD dhe lidershipit të saj. Qeveria “Nano”, faktikisht ra! Dhe është punë tjetër ndërhyrja e ndërkombëtarëve që e detyroi Berishën të tërhiqet me bisht ndër shalë dhe Nanon të rikthehet në detyrë. Është kjo dinamikë, ky organizim i një aksioni politik të dhunshëm, që i ka bërë shumë shqiptarë sot të dyshojnë se edhe vrasja e Azem Hajdarit ishte projektuar dhe nxitur nga brenda selisë së PD në funksion të përfitimeve politike. Ca vite më pas, Berisha, në një moment kur i voliste bashkëpunimi me Fatos Nanon për përçarjen e së majtës, pranoi që Azemin nuk e kish vrarë Fatos Nano, dhe se akuzat kishin qenë fjalë kazani. Mjerisht, askush nuk mbajti përgjegjësi ligjore për aktin më të rëndë kriminal që mund të bëhet kundër shtetit, puçin e armatosur.

***

Sot po shohim thuajse të njëjtën këmbëngulje të PD-së për të arritur një sukses politik bazuar në fjalë kazani, vetëm në thënie të Doshit dhe jo në prova e në fakte. Është një rastësi, që PD shfaqet përsëri e etur të përfitojë nga një krim i pafaktuar? Rastësi që këmbëngul të përfitojë politikisht edhe pasi prokuroria ka deklaruar se plani për vrasjen e Doshit i ka rezultuar një sajesë? Nuk mund të mos shohësh se lidershipi i PD është vënë në mbrojtje të kësaj, me akoma më shumë gjasa gënjeshtre, me atë pasion që një nënë mbron krijesën e vet. E si të mos dyshosh pastaj që odiseja “Doshi” të mos ketë ca fije që të çojnë në oborrin e SHQUP-it? Mjafton të jesh i lirë të pyesësh veten: Cui Bono?

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button