Mos kini më frikë se u thyhet ekrani i telefonit! Vjen “Vitrimers”
Shumë prej nesh e njohin shumë mirë zhgënjimin kur blejmë një telefon të ri dhe shumë shpejt ekrani i tij na dëmtohet ose thyhet.
Por një lloj i ri plastike mbrojtëse ofron siguri për këtë, nëpërmjet një elementi unik, i cili e rregullon ekranin pasi është thyer. Thjesht shtoni pak nxehtësi dhe një katalizator kimik e do të shikoni si riparohet dëmi.
“Vitrimers” janë prodhim i Ludwik Liebler, një shkencëtar materie në Institutin e Parisit, shkolla e famshme ku Marie Curie zbuloi radioaktivitetin.
Kjo punë i dha shkencëtarit Liebler çmimin e Shpikësit të vitit 2015, nga një kategorizim i EPO (Zyra e Patentimeve Europiane), dhe pritet që ai të ketë një ndikim transformues dhe të përhapet gjerësisht.
“Mendojmë se aplikimi i parë do të bëhet në transport, në makina, në aeroplanë, në të gjitha aplikacionet që ju mendoni se ka nevojë për rezistencë, për riparim apo për të rritur qëndrueshmërinë e objekteve tuaja”, thtoë Liebler për CNN. Ai është frymëzuar nga mënyrat e marrjes së formave të T- 1000 në “Terminator 2”.
Teknika e re kombinon dy familje ekzistuese të plastikës. Termoplastikët janë të lakueshme kur ngrohen, por bëhen solide kur ftohen më pas, dhe nuk mund të reformohen. Ndërsa termosetet janë të ashpra dhe mbajnë formën e tyre edhe nëse ngrohen. “Vitrimers” ruajnë formën e tyre kur nxehen, por mund të ristrukturohen pa fund. Ato i kanë vetitë e të dy botëve, por janë thelbësisht të ndryshme.
Shkencëtari e përshkruan këtë fushë si një “familje e re” me aplikime të pafundme, që do ta bëjnë plastikën ekzistuese të vjetëruar. Sipas tij, një mundësi intriguese e “Vitrimers” është edhe trajtimi i plagëve dhe përshpejtimi i shërimit: “Duket se ai punon tek kafshët. Ne e kemi bërë këtë eksperiment me ngjitjen e melçisë tek minjtë dhe…funksionon. Edhe me derrat e kemi bërë eksperimentin në spital, dhe prapë funksionon”.
Megjithatë prioritet është që teknologjia e re të përdoret në prodhim dhe në krijimin e një gjenerate të re produktesh.