Opinion

Mos na i vrisni pushtetarët

ARBËR ZAIMI

Arber ZaimiEkranet televizive emetojnë 24 orë në ditë, 7 ditë në javë, pa ndërprerje lajmet nga kronika e zezë dhe vendosja e tritolit, e shpeshherë edhe shpërthimi i tij, duket se është normalizuar. Pushtetarë nga qeveria e nga opozita bulurijnë si buaj të tërbuar për kërcënimet me jetë që paskan marrë dhe e gjitha kjo prodhon një frikë të madhe. Por viktimat e frikës nuk janë ata. I tremburi kryesor mbetet njeriu i zakonshëm, i mbërthyer në poltronën e tij në shtëpi apo në kafe, duke vështruar në ekran prestissimo-n e fugës së pushtetit e duke e ndjerë mbi supet e tij gjithë barrën e pafuqisë në një shtet që shfaqet si i kriminalizuar gjerë e thellë, një shtet ku siguritë jetësore nuk i paska të garantuara as deputeti më i pasur i parlamentit, e lëre më njerëzit e thjeshtë që nuk arrijnë dot të jenë as popull.

Sado interesante të duken paraqitjet e gazetarëve të kronikës që kanë përvetësuar aftësinë e paraqitjes së ngjarjeve në modelin e telenovelës “La Piovra”, vjen dita që lodhesh nga shëtitja e këtyre gazetarëve mendjerrafshët nga njëra studio në tjetrën, a thua se vërtet kanë diçka të rëndësishme për të thënë. Dhjetëra orë televizive në javë, qindra faqe gazetash, thjesht për të përshkruar ngjarjet që me një stil të thjeshtë deskriptiv do të mund të mbuloheshin me fare pak paragrafë. Por nuk ndodh kështu, sepse “kronika e zezë shet”. Gazetarët e kësaj rubrike janë korrierët, mediat janë udhët që e përcjellin frikën e prodhuar në fabrikat e Olimpit tek konsumatori final, i lartpërmenduri njeri i thjeshtë. Media jonë, me fare pak përjashtime, e përmbytur prej logjikës së “asaj që shet” i është dhënë e gjitha kronikës së zezë, thashethemeve rozë dhe analizës së verdhë, të cilat së bashku prodhojnë terrorin e bardhë te mendja e publikut.

Çfarë po ndodh? Deputetë e ministra pretendojnë se janë të kërcënuar, ndërkohë që tritolvënia duket se është shndërruar në një zanat më vete. Normal, do të thoshte dikush, kur merr vesh se është i kërcënuar Tom Doshi nga Ilir Meta, në një aferë që përfshin nga pak Partinë Demokratike, Partinë Republikane dhe prokurorë të rëndësishëm, kur merr vesh se ministrit të rendit, Saimir Tahirit, i kërcënojnë me tritol familjen e ngushtë, të gjitha këto janë për t’u shqetësuar – shumë madje. Por le të shtrojmë një pyetje: ndërkohë që jemi mësuar me vazhdimin e pandërprerë të kërcënimeve mes tyre, të cilat dikur intensifikohen e dikur rrallohen por kurrë nuk ndalen, sa politikanë të lartë, njerëz të qeverive dhe parlamentit kanë pësuar me të vërtetë prej këtyre kërcënimeve?

Në 23 vite “demokraci” gjatë të cilave kërcënimi ka qenë “modus operandi” sidomos i pushtetit, fare pak pushtetarë e deputetë e kanë pësuar prej këtyre kërcënimeve. Vetëm një, ndoshta dy raste. Nëse do të kuptonim sadopak statistikën, do të mund të konstatonim se pushtetarëve tanë nuk u kanoset asnjë rrezik, as nga brenda lëmit të tyre, e as nga jashtë. Ndërkohë që prodhojnë spektaklin e frikës, dhe gojën e kanë plot me thirrma habitëse të tipit “kjo është e papranueshme”, “kjo është pa precedent” – ata vijojnë të përsërisin lojën e njëjtë, e cila nuk është kurrë “jamais vu”, por as tërësisht “deja vu”. Ata, të cilët edhe sipas kabllogrameve tëWikileaks-it, shumicën e kohës që rrinë me ndërkombëtarët e shpenzojnë duke u ankuar e duke akuzuar njëri-tjetrin për krime gjakësore, në fakt na del që s’kanë ndonjë rrezik prej llojit të tyre. Në të vërtetë shumica e atyre që përmenden si porositës e të porositur, si të akuzuar e të kërcënuar, pra si kontingjent parlamentar krimi, jo rrallë janë shfaqur edhe si partnerë nëpër biznese, si pjesëmarrës nëpër tryezat prestigjioze ku janë ndarë torta e pushtete ligjore e joligjore.

Nëse sheh se sa efikas ka qenë krimi në piramidën e pushtetit, vihet re lehtë se në majë, pra tek deputetë e ministra (a ish-ministra), krimi ka efikasitetin më të ulët. Po të zbritet pak më poshtë në piramidë, e të shkohet tek biznesmenët e mëdhenj, pra ata që drejtojnë korporata e kompani të mëdha shpesh ndërkombëtare, sërish efikasiteti është i ulët dhe viktimat që i përkasin kësaj sëre numërohen me gishtat e dorës, në 23 vite pluralizëm. Sa më poshtë të zbritet, aq më efikas është krimi. Kështu biznesmenë të mëdhenj lokalë janë vrarë disi më shumë, por sërish më pak se ç’vriten të tillë në vende si Italia, apo vetë SHBA-të që janë shembulli ynë fetish. Biznesmenë të mesëm janë vrarë edhe më shumë, ndërsa biznesmenët e vegjël janë përgjithësisht objektiv aq i rëndomtë saqë mezi arrijnë të marrin hapësirë në rubrikën e kronikës së zezë. Punëtorët shkojnë gjakhumbur, dhe jo rrallë ngrihet teza se edhe kur vriten, fajin mund ta kenë vetë ata, ndërsa të papunët kanë viktima të panumërta, por për ta dëgjojmë veç kur kemi të bëjmë me skenarë eskilianë, si p.sh. kur babai vret nënën me detergjent enësh, dhunon mbesat duke i dërguar në universitetin e Çilit, e pastaj vetëvritet duke ngrënë librezën e pensionit, i dhunuar nga i biri që e regjistronte me aparat celular.

Askush nuk mund të mohojë se Shqipëria është një vend i pasigurt, por është hipokrizi të pretendosh se pasiguria na kërcënon dhe udhëheqësit e politikës a ekonomisë, që i paçim. Jo vetëm që nuk janë të kërcënuar nga krimi, por ata nuk janë të kërcënuar as nga drejtësia e policia (që po u bën gjëmën vjedhësve të energjisë). Sa prej tyre janë arrestuar ndonjëherë, ndërkohë që mbretëron perceptimi se janë kaq të kriminalizuar? Pasiguria më së shumti shfaqet te njerëzit e thjeshtë, punëtorët e të papunët. E megjithatë kjo pasiguri nuk është e tillë sa të bëjë të pamundur jetën në këtë vend, pavarësisht panikut që përhapin studiot televizive. Përditë jeta vazhdon e rëndomtë, dhe duhet këmbëngulur në ruajtjen e kësaj cilësie, për t’i shpëtuar pushtimit të saj prej gazetarëve të kronikës së zezë.

Rreziku i vërtetë në Shqipëri nuk është pasiguria, por padrejtësia e pabarazia e përbindshme. Vetë piramida e përmendur më sipër e rrëfen padrejtësinë, sa më i varfër aq më shpesh viktimë e krimit dhe e formave të tjera të dhunës brutale. Sa më i pasur e i pushtetshëm, aq edhe më i paprekshëm. Në vende ku pabarazia është ekstreme, siç është ky i yni, ata poshtë i nënshtrohen edhe dhunës simbolike të prodhuar atje lart, siç po ndodh edhe në rastin e shpërndarjes së frikës e të tmerrit, prej Doshit & co. Kjo dhunë simbolike është edhe riprodhues i pafuqisë ndër shtresat e poshtme. Duke iu nënshtruar asaj, duke e përbrendësuar frikën, ata kurrë nuk do të ngrihen për më shumë drejtësi, për më shumë barazi.

Disa thonë se padrejtësia tashmë është e pakapërcyeshme, pasi sistemi i drejtësisë, prokurorë e gjykatës, janë të kapur prej të njëjtit pushtet. Afërmendsh, nuk mund të ishte ndryshe. Si zgjidhje, propozohet ardhja në Shqipëri e ndonjë misioni të jashtëm për të vendosur drejtësinë, siç është EULEX në Kosovë p.sh. Por kjo është një zgjidhje naive, që beson tek supremacia etike dhe kulturore e perëndimorëve, të cilët po të vinin tek ne do të na “mësonin” se si bëhet shteti, si bëhet drejtësia etj. Kjo është pak a shumë sikur ndonjë indian apo afrikan të besonte tek vjersha famëkeqe e Kiplingut, “Barra e Burrit të Bardhë”.

Perëndimorët jo vetëm që janë dëshmuar të paaftë (apo të pavullnetshëm) për të eksportuar drejtësi, etikë, barazi e demokraci në vendet ku kanë pasur atribute të plota sovrane, me statusin e kolonit-mësues, por nuk e kanë bërë këtë as në Kosovë, ku de jure nuk janë kolonë. Nga brenda EULEX-it vetë rrodhën informacionet për përfshirjen e prokurorëve dhe gjykatësve europianë në korrupsionin e prodhuar nga shqiptarët vendorë. Por edhe pa rrjedhur këto informacione, dihej publikisht se EULEX-i kurrë nuk i ka cenuar pushtetarët e vërtetë, në politikë apo në biznes. Pse ndodh kështu vallë? Ah të mjerët ne, jemi të marrë fund, do të rënkonte opinionisti liberal dashamirës dhe pesimist.

Një anekdotë e vjetër tregonte se si një mbret i Pontit i shkruan mbretit të Spartës dhe i thotë “Ambasadori juaj përflitet për korrupsion e ryshfet. Kjo nuk flet mirë për ju, pavarësisht namit të etikës së lartë dhe mos-korruptueshmërisë spartane”. Mbreti i Spartës, pasi mori letrën vendos t’i përgjigjet, lakonikisht siç e kërkonte rendi. Ai i shkroi mbretit të Pontit: “Ambasadorët tuaj kur vijnë tek ne nuk korruptohen kurrë. Nuk e di ç’ndodh me tanët kur vijnë tek ju”.

E vendosur në modernitet anekdota na mëson se padrejtësia (dhe rezistenca a lufta ndaj saj) nuk mund të jetë atribut i individit, por rezultat i strukturimit shoqëror dhe i ideologjisë që e rregullon atë. Nëse operojmë me klishenë e zakonshme dhe i esencializojmë perëndimorët si “më pak të korruptueshëm”, apo gjermanët si “më të pakorruptueshmit” mes perëndimorëve, do të zhgënjehemi prej tyre kur t’i ftojmë ata në mesin tonë për të na sjellë ligjin e drejtësinë. Nëse ata kanë një sjellje më shembullore në vendet e tyre, kjo nuk ndodh për shkak të profesionalizmit dhe etikës individuale që zotërojnë, por për shkak të organizimit shoqëror tek ta, e nëse e humbasin atë kur vijnë tek ne, kjo ndodh për shkak të organizimit tonë shoqëror, i cili është edhe produkt i ideologjisë sunduese tek ne (natyrisht edhe i traditës, i historisë, i pozitës gjeopolitike, i ekonomisë etj.). Për sa kohë që ideologjia është individualizmi dhe can-do-izmi ekstrem, i nxitur prej mediave, prej shkollave, prej pushtetit – padrejtësia e korrupsioni do të gjejë gjithnjë terrenin e përshtatshëm për të lulëzuar.

E vetmja mënyrë për t’iu kundërvënë kësaj dhune, është të mos i nënshtrohesh frikës që ajo prodhon, e të bashkohesh në një komunitet të rezistencës.

Sigurisht që njerëzit e kësaj lëvizjeje do të vinin nga shtresat që e pësojnë dhe e jetojnë këtë padrejtësi, do të vinin prej normalitetit të atyre shtresave, që nuk është në vetvete drejtësia. Ata do të mblidheshin rreth drejtësisë si ideal, jo rreth drejtësisë si kapital personal. Përndryshe, nëse mbizotëron bindja se “të gjithë janë të përfshirë”, e për pasojë askush nuk mund të pretendojë të luftojë për drejtësi, sferën e drejtësisë do ta pushtojë feja. Nëse lëvizja kundër pabarazisë e padrejtësisë nuk krijohet prej politikes, atëherë ajo doemos do të krijohet prej fetares – dhe në këtë sens individualistët e laissez-faire-istët janë shkaktarë të pavetëdijshëm edhe të forcimit të ekstremizmit fetar.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button