Mosdorëheqja si mungesë morali
ARBEN MANAJ
Është besoj normale që duke qenë se jetoj në Londër, sa herë që vëzhgoj apo analizoj zhvillime apo ngjarje në Shqipëri, instinktivisht t’i krahasoj apo t’i kontrastoj me bëma të ngjashme këtu, ku jetoj. Besoj një e atillë është edhe ajo që pataksi të gjithë; vjedhja hollivudiane e Bankës së Shqipërisë. Por ajo që po më pataks më shumë është postngjarja. Mosdorëheqja e Fullanit.
Për dreq, m’u kujtua Gavyn Davies, që ka qenë ish-shefi (Chairman) i BBC. Përpara dhjetë vjetësh, kur edhe unë punoja për BBC-në, ai dha dorëheqjen pas botimit të hetimit “Hutton”, që e kritikonte Korporatën tonë, për dossierin e luftës në Irak në kohën e Toni Blerit.
Po e citoj Davies: “Ka një traditë të respektuar në jetën publike britanike, sipas së cilës ata që janë në krye të një organizate, duhet të pranojnë përgjegjësinë për atë çka ndodh në atë organizatë. Kështu që unë po i shkruaj Kryeministrit sot për t’i paraqitur dorëheqjen si shefi i BBC-së”.
Po kthehem sërish në Tiranë, dhe gjëja e parë, që na shkon ndër mend të gjithëve është; a ka përgjegjësi Guvernatori i Bankës së Shqipërisë për atë që ka ndodhur, pasi janë vjedhur miliona nën hundën e tij, në fund të fundit?
Mundet që përgjegjësi ligjore edhe të mos ketë. Them mundet, pasi nuk i dihet si venë hetimet dhe shuma është e atillë që nuk do duhet të të bëjë të flesh rehat. Por në fund të fundit, përgjegjësi morale a ka?
Them pa një pa dy, se ka, dhe shumë madje. E nëse një njeri i stofit të një guvernatori nuk e kupton se ka përgjegjësi morale, do të ishte realisht e frikshme për njerëz më poshtë formimit të tij intelektual, profesional a politike.
Fakti që Guvernatori vazhdon ende të jetë në atë post edhe pas kaq e kaq ditësh, është simptomë e një arrogance tipike shqiptarësh të pushtetshëm dhe të lidhur ngushtë me pushtetin.
Nuk dua të paragjykoj apo aludoj se te kush e gjen sigurinë politike për të sfiduar shqiptarët një administrator apo ruajtës i parave të shqiptarëve dhe shtetit të tyre, se nuk kam ndërmend t’ju ofendoj inteligjencën, por mbaj mend fare qartë suportin që iu ofrua kur u riemërua!
Vazhdimi i Fullanit ende në atë post edhe në kohën kur kryhen hetimet është një gjest frenues për një hetim të pavarur dhe të ndershëm të kësaj afere. Qoftë edhe psikologjikisht, vazhdimi në detyrë dhe mosdorëheqja, për të mos folur mosshkarkimi i çuditshëm, i bën dëm hetimit të çështjes.
Një Fullan i dorëhequr, të paktën, nuk do cenonte kredibilitetin e hetimeve, dhe ai padyshim do të ndihmonte hetuesit edhe në gjendjen e dorëhequr. Por çështja, aq sa përgjegjësi ligjore, më shumë është edhe morale.
Nuk e di se çfarë tjetër më e rëndë se kaq do të duhet të ndodhë në bankën e një shteti, që numri një i saj të mendojë se ka shkak të arsyeshëm për të dhënë dorëheqjen, të paktën?!
Nuk e di se si do të ndihej po ky guvernator banke kur të takohet, nëse takohet së shpejti, me ndonjë homolog të vetin në Angli apo Uashington a gjetkë, dhe t’u jepte dorën atyre, si Guvernatori i një banke të vjedhur nën drejtimin e tij me shuma të mëdha për një vend të varfër sa dhe si Shqipëria.
Nëse Guvernatori i bankës mendon se imazhi i Shqipërisë nuk është dëmtuar nga kjo ngjarje kriminale, Zoti e ruajttë! Nëse ai mendon se imazhi i bankës së tij nuk është thërrmuar nga kjo vjedhje, kur ai flinte me sy hapur, sërish Zoti qoftë me të!
Por të vazhdosh të rish në një post, kur institucioni i tij është praktikisht “përdhunuar” dhe i është marrë erzi në sytë e botës, do të duhet ta kesh lëkurën shumë të trashë dhe menderet shumë të forta.
Shqipëria dhe banka e saj humbën një sasi të konsiderueshme parash, por ka ardhur koha dhe ajo po kalon, që Guvernatori i bankës së vendit të mos humbasë fytyrën më shumë dhe këtë gjë e ka në dorë ai dhe jo të punësuarit e tij në atë bankë të vjedhur, që ofron një skenar të denjë hollivudian.
Sa më shpejt ta bëjë, aq më shumë do ia lehtësojnë atij fajin dhe përgjegjësinë shqiptarët, pasi do mendojnë në një moment dobësie, se të paktën bëri atë që kishte në dorë, përkundër të tjerëve, nuk po them assesi që ia bënë nën dorë, po me siguri që ia bënë nën hundën e tij.
Z.Arben
Parole sante , nuk jemi ne Londer por ne Tirane