Opinion

Moska, nxitëse dhe bashkëpunëtore e Dik Martin

Nga Shaqir Vukaj

Është për t’u përgëzuar qëndrimi i kohëve të fundit i Tiranës zyrtare (fatkeqësisht jo i Prishtinës zyrtare) në mbështetje, përkrahje morale e madje zyrtare për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin që prej dy vitesh mbahen padrejtësisht në paraburgim në Hagë. Vizitat që bënë në Hagë Edi Rama, e ditët e fundit presidentët Moisiu, Meidani, Topi, ish kryeministri Majko, Rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë dhe fjalimi i Edi Ramës në OKB tregojnë për një angazhim serioz të Tiranës në mbrojtje të së drejtës, të vërtetës, të Luftës së UÇK-së e kryesorja Kosovës si shtet i pavarur.

Siç thotë populli më mirë vonë se kurrë, sepse këto duheshin bërë shumë kohë më parë, kur prokurorja Karla del Ponte, Dik Marti dhe në radhë të parë Moska zyrtare ishin angazhuar me të gjitha mënyrat për të dënuar jo vetëm këta heronj të Kosovës, por UÇK-në, luftën e saj, Kosovën, Shqipërinë e kombin shqiptar.

Problemi është i vjetër dhe ka filluar shumë vite më parë sepse akuzat e Dik Martit ngjisnin si dy pika uji me akuzat e Moskës zyrtare kundër UÇK-së e drejtuesve të saj. Po ti referohemi fakteve kjo ka filluar që në fund të vitit 1999, kur një delegacion i Dumës Shtetërore (Parlamentit) të Rusisë shkoi në Hagë për të paraqitur në Tribunalin Ndërkombëtar materialin “Mbi krimet në Kosovë”.

Nuk ishte e rastit që komisioni u prit nga vetë prokurorja Karla del Ponte, madje natën e Krishtlindjeve… Pavarësisht nga ç’është folur e shkruar në Rusi kundër kësaj gjykate, (është kërkuar edhe mbyllja e saj) mbas kthimit të komisionit në Moskë, për çudi, anëtarët dhe në veçanti, kryetari i tij, ish kryeministri Bashkimit Sovjetik N. Rizhkov, (i deklaruar haptazi si mbështetës i Millosheviçit) folën mirë për del Ponten, pritjen e përzemërt, mënyrën si i kishte dëgjuar e dëshirën me të cilën ajo kishte marrë në dorëzim materialin e përgatitur.

Tërhiqnin vëmendjen akuzat që ky komision kishte bërë në Hagë “për veprimtarinë e të ashtuquajturës Ushtri Çlirimtare e Kosovës”, ku ndërmjet tjerave thuhej se ka “shumë akuza të bazuara për terrorizëm, vrasje masive, spastrim etnik”, për “shkatërrimin dhe përvetësimin e pronave”. Rizhkovi nuk ishte mjaftuar vetëm me materialin e dorëzuar, por kishte shpjeguar me fjalë “veprimtarinë antiserbe të UÇK-së, vrasjet masive, përdhunimet, djegiet, plaçkitjet, përzënien me dhunë të serbëve nga Kosova” etj. jo vetëm para dhe gjatë luftës, por edhe më vonë.

Një vit më vonë, shkoi në Moskë për vizitë Karla del Ponte dhe në intervistën dhënë kanalit rus ORT ajo tha: “Gjykata që ajo përfaqëson është një organ ndërkombëtar dhe ka nevojë për bashkëpunim me të gjitha shtetet. Për rastin e krimeve në Jugosllavi, bashkëpunimit me autoritetet ruse ne i japim rëndësi të veçantë, dhe kjo është arsyeja që kam ardhur në Moskë….”

Që me daljen e UÇK-së në skenë, Moska zyrtare dhe shumica e medieve ruse kanë dalë hapur kundër saj. Ndërmjet shumë deklaratave zyrtare tërhiqte vëmendjen deklarata MPJ e Rusisë më dt.23 prill 1999 ku UÇK-ja quhej organizatë terroriste, ku thuhej “Ka njoftime për rritjen e veprimtarisë së organizatës terroriste të shqiptarëve të Kosovës, të ashtuquajtur “Ushtria Çlirimtare e Kosovës”….”, ndërsa Duma Shtetërore (Parlamenti i Rusisë) nëpërmjet një deklarate, akuzonte shqiptarët: “Duma e Shtetit dënon me vendosmëri çdo shfaqje të terrorizmit, ekstremizmit dhe separatizmit…”.

Ish Kryeministri i Rusisë, E.Primakov shkruante: “Në fund të shkurtit 1998, situata në krahinë u acarua së tepërmi. Si shkak shërbeu sulmi i një grupi terroristësh të së ashtuquajturës Ushtri Çlirimtare e Kosovës ndaj një patrulle policore serbe…”. Ndërsa drejtori i Institutit të Sllavjanistikës pranë Akademisë së Shkencave të Rusisë, Pr. Dr. Vollkov shkruante se “Ushtria Çlirimtare e Kosovës, një organizatë krejtësisht terroriste nisi të provokonte incidente…”

Ish kryeministri i Bashkimit Sovjetik, N.Rizhkov në librin e tij “Golgotoja jugosllave” (Moskë v.2000) shkruante: “Gjatë v.1998, në territorin e Kosovë Metohi, nga anëtarët e UÇK-së janë kryer 1884 akte terroriste, ku janë vrarë 288 vetë, ndërmjet të cilëve 173 civilë dhe 115 përfaqësues të Ministrisë Punëve të Brendshme të Serbisë, janë rrëmbyer 292 vetë, nga të cilët 173 serbë dhe malazezë dhe 100 shqiptarë…..”

Që me fillimin e vitit 1999, pothuajse çdo ditë mediet ruse, MPJashtme, Duma Shtetërore, historianë, ushtarakë etj. flisnin e shkruanin për “veprimtarinë terroriste të UÇK- së”. Kështu me dt.14 janar, MPJ ruse, organizoi një brifing vetëm për të dënuar “aktet barbare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”. Dhe kjo ndodhte vetëm pak ditë para publikimit të krimit serb në Raçak, për të cilin gazeta pro qeveritare “Roosijsakaja Gazeta” e dt. 22 janar shkruante se “shqiptarët e kanë inskenuar vetë të gjithë këtë ngjarje” (ndërsa më vonë, me dt.25 gusht 2000 “Njezavisimaja Gazeta” shkruante se: “Kurrfarë vrasjesh nuk ka patur në Raçak”. Të njëjtën gjë do të thoshte edhe ministri i jashtëm Ivanov, madje do i quante “sjellje teatrale të shqiptarëve”, .

Në deklaratën e Dumes Shtetërore, lidhur me ngjarjen e Raçakut thuhej: “Deputetët shprehin keqardhje lidhur me paragjykimet ndaj palës serbe, mbasi një nga faktorët e thellimit të dyshimeve dhe armiqësive midis palëve konsiston në mungesën e reagimit adekuat ndërkombëtar ndaj provokacioneve të njohura, përfshijë vrasjen dhe kapjen e serbëve prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Mbas çlirimit të Kosovës, kur diskutohej për të ardhmen e saj, në Rusi filloi sulm frontal kundër UÇK-së, ku u vunë në garë se kush akuzonte, shpifte e shante më shumë. Me dt.22 qershor, Pr.Dr. Vollkov, anëtar i Akademisë së Shkencave të Rusisë dhe drejtor i njërit prej instituteve të kësaj Akademie, e shpesh herë këshilltar e anëtar i komisioneve qeveritare shkruante: “Qysh në zanafillë, UÇK-ja e ka treguar veten një organizatë terroriste…..”, dhe i bënte thirrje NATO-s që “të hiqte dorë prej kësaj organizate terroriste, dhe se duhej shpallur sa më parë çarmatosja e saj”.

Në këtë periudhë herë pas here deklarohej e shkruhej se “mbas përfundimit të luftës janë larguar nga Kosova rreth 300 mijë serbë, dhe të gjitha këto nga dhuna e terroristëve të UÇK-së dhe se po kaq shqiptarë kanë ardhur nga Shqipëria e janë vendosur në Kosovë”.

Në kuadrin e një vjetorit të sulmit ajror të NATO-s kundër Jugosllavisë, në mars të v.2000, në Moskë u zhvilluan shumë aktivitete “për të dënuar NATO-n” dhe “terroristët shqiptarë të UÇK-së”, e kryesorja për të nxirë situatën në Kosovë. Kështu, ministri i Jashtëm i Rusisë, Ivanov shkruante në “Njezavisimaja Gazeta” “ E prapëseprapë edhe sot Kosova ka mbetur një plagë që kullon gjak në trupin e Europës… Nuk ka ditë që të mos ketë njoftime për akte të reja dhune kundër serbëve, ciganëve, turqve dhe kombësive të tjera. Sipas të dhënave të ndryshme, kanë ikur me detyrim nga Kosova 250-350 mijë vetë. Kurse ata që kanë mbetur atje jetojnë në kushtet e rezervateve, nën mbrojtjen e paqeruajtësve ndërkombëtarë. Mirëpo kjo mbrojtje nuk garanton sigurinë e tyre. Gjatë një viti në Kosovë janë vrarë 1000 vetë, nga të cilët 800 të kombësisë joshqiptare. Ka qindra të plagosur e shumë të humbur pa lënë gjurmë….”.

Në kuadrin e fushatës së madhe propagandistike që u zhvillua ato ditë në Rusi, UÇK-ja ishte në plan të parë. Ndërmjet tjerave shkruhej: “UÇK-ja është një organizatë terroriste dhe është çarmatosur vetëm në letër. Ajo ruan strukturat kriminale që ka pasur, armatimet etj. dhe vazhdon luftën për “Shqipërinë e Madhe. Ajo mban në burgjet e veta disa qindra serbë”. Ose “UÇK-ja është organizatë e lidhur me strukturat kriminale ndërkombëtare” ose “Kosova çdo ditë e më shumë po kthehet në plasdarm të grupimeve të ndryshme ekstremiste kriminale”.

Duke marrë shkas nga zhvillimet në Luginën e Preshevës dhe nw Maqedoni, gjatë gjithë vitit 2001, Moska zyrtare, mediet, personalitete të ndryshme të jetës ruse etj. nuk lanë rast pa shfrytëzuar për të folur e shkruar kudër “terroristëve të UÇK-së”, gjë që u rrit dukshëm mbas ardhjes së Putinit në postin e presidentit. Edhe më herët, por veçanërisht në këtë periudhë filluan të përmenden me emër komandantë e aktivistë të UÇK-së. Kështu duke marrë shkas nga hedhja në erë e një autobusi ku u vranë shtatë serbë, “Roosijskaja Gazeta” e dt.21 shkurt shkruante: “Në Kosovë asgjë nuk ka ndryshuar. Vazhdojnë të vrasin serbë” dhe më poshtë sulmohen ashpër “kriminelët shqiptarë që kanë vrarë e prerë serbët, si Agim Çeku, Ashim Thaçi, Ramush Haradinaj, Rexhep Selimi, Azem Syla, Sokol Bashota, Naim Maloku, Shaban Shala, Rahim Ademi”.

Në mars, sapo kishte ardhur në pushtet Presidenti V.Putin, deklaronte: “Në Ballkan po ndodh ajo që ne kishim paralajmëruar. Mbas largimit të ushtrisë jugosllave nga Kosova, aty u krijua vakuum, të cilin e mbushën terroristët shqiptarë….”, ndërsa po ato ditë në një emision televiziv të kanalit RTR, ndërmjet tjerave thuhej: “Menjëherë mbas largimit të trupave ushtarake e policore jugosllave nga Kosova, në vitin 1999, shqiptarët filluan vrasjet e serbëve. Gjatë kësaj periudhe janë vrarë mbi 1500 serbë, një pjesë e të cilëve nuk dihet ku janë varrosur”.

Më dt.21 maj, në një emision special të kanalit televiziv RTR, titulluar “Rebelët shqiptarë përgatiten për luftë” ndërmjet tjerave thuhej: “Ushtria Çlirimtare e Kosovës është një organizatë terroriste që udhëhiqet nga Hashim Thaçi”, ndërsa një deklaratë të MPJ të dt.9 qershor thuhej “Ekstremistët dhe separatistët shqiptarë vazhdojnë të frikësojnë dhe të dëbojnë serbët dhe grupet e tjera të popullsisë jo shqiptare….”.

Moska herë pas here deklaronte se “me terroristët nuk do të ulej asnjë herë në tavolinën e bisedimeve”, madje përpiqej që të bindte edhe të tjerët. Duke ecur me ketë logjikë, nga “terrorizmi i UÇK-së” u kalua në “terrorizmin kosovar”, në “terrorizimin shqiptar në Maqedoni”, e më vonë në “terrorizmin mbarëshqiptar”, madje si “një terrorizëm që lot rol kryesor në botë”.

Me lajme për terroristët shqiptarë, UÇK-në terroriste, UKÇ-në (Ushtria Kombëtare Çlirimtare) terroriste, terroristët shqiptarë të Kosovës, terroristët shqiptarë të Maqedonisë, terroristët shqiptarë të Shqipërisë etj., mbusheshin gazetat e lajmet e kanaleve ruse, aq sa për rusët e thjeshtë fjala terrorist jo radhë identifikohej me fjalën shqiptar.
Ky ishte qëndrimi i Moskës, dhe në të gjitha materialet zyrtare të asaj periudhe. UÇK-ja e Maqedonisë (Ushtria Çlirimtare Kombëtare) emërtohej njëlloj, “terroriste” si UÇK-ja. Kështu në një deklaratë të MPJ të Rusisë me dt.17 korrik thuhej: “Bashkësia Ndërkombëtare duhet ta ketë të qartë se në Maqedoni veprojnë jo disa “kryengritës”, që luftojnë për të drejtat e njeriut dhe të pakicës kombëtare, por terroristë të betuar”. Ndërsa me 13 gusht, po kjo Ministri deklaronte se “Si detonator i ngjarjeve të tanishme në Maqedoni, ka shërbyer vërshimi i terrorizmit dhe ekstremizmit nga Kosova”.

Me dt.8 tetor presidenti Putin duke folur para Qeverisë ruse tha: “Atë që terroristët po bëjnë në Çeçeni që nga viti 1996, tani po e bëjnë në Kosovë, nga ku përpiqen të veprojnë edhe jashtë saj”.

Gjatë periudhës 2002-2008, Moska duke dashur të kundërshtonte e të pengonte pavarësinë e Kosovës, krahas tjerave, herë pas here sulmonte UÇK-në, duke përsëritur ato që ishin thënë shumë herë, por tashmë në kushte të tjera, kur sipas saj “terroristët, kriminelët, trafikantët, fundamentalistët etj. të UÇK-së ishin bërë politikanë, kryetarë partish, kryeministra, ministra etj.”.

Është tepër domethënës qëndrimi i Moskës, mbas publikimit të Kujtimeve të Karla del Pontes. Të gjitha mediet ruse i kushtuan një vend të dukshëm “krimeve të kryera nga shqiptarët kundër serbëve paqësorë”, ndërsa institucionet zyrtare menjëherë u aktivizuan me të gjitha mjetet e mundshme për ndërkombëtarizimin e problemit dhe për të “sqaruar deri në fund krimet e terroristëve shqiptarë dhe dënimin e tyre”. Në një deklaratë të MPJ , të dt.8 prill 2008 thuhej: “Në Moskë po ndjekin me vëmendje si po zhvillohen ngjarjet rreth Kujtimeve të ish Kryeprokurores së Tribunalit Ndërkombëtar për ish Jugosllavinë, Karla del Ponte për hetimin e krimeve çnjerëzore në territorin e ish Jugosllavisë. Faktet që dolën në dritë për krimet çnjerëzore kundër popullsisë civile në Kosovë, të kryera nga luftëtarët e UÇK-së nën parullat e “luftës për pavarësi” janë shokuese. MPJ i është drejtuar Gjykatës së Hagës me kërkesë zyrtare për informacione, mbi krimet kundër serbëve të Kosovës që përmenden në Kujtimet e del Pontes dhe masat e marra për publikimin e tyre”.

Por Moska nuk u mjaftua me deklarata. Ajo ndërmori veprime konkrete. Ato ditë në Moskë thuhej me krenari se Rusia ka qenë nismëtare për hartimin e raportit të Dik Martit. Vetëm pak ditë mbas kësaj deklarate, delegacioni rus në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, propozoi, që Asambleja të merrte nën kontroll hetimin e krimeve të përshkruara nga del Ponte. Kështu, kryetari i delegacionit rus Kosaçov, tha: “Ne mendojmë se në kushtet kur Tribunali hesht, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës duhet të marrë situatën nën kontroll, duke marrë parasysh faktet që sillen në librin e del Pontes”, dhe shtoi se “Kjo Asamble ka përvojë për hetime të tilla, si për shembull ato për burgjet e CIA-s në Europën Lindore”.

Tepër i rendësishëm eshtë fakti se ai propozoi “që Dik Marti të angazhohej me këtë punë, meqenëse ai kishte përvojë”. Për të “ndihmuar” Dikun, që atëherë në Moskë filluan të flisnin me emra e akuza konkrete. Kështu, duke iu referuar gjyqit të Ramush Haradinajt, ‘Rossijskaja gazeta” e dt. 4 prill 2008 shkruante: “Nuk përjashtohet që së shpejti të ngrihet padi edhe kundër Hashim Thaçit për rrëmbim civilësh serbë me qëllim shitjen e organeve”.
Në muajin qershor, përfaqësuesi i Rusisë në OKB V.Çurkin deklaronte: “Ne e konsiderojmë si të pakënaqshme situatën në Gjykatën e Hagës. Ne presim nga Tribunali një raport të hollësishëm mbi masat e marra lidhur me zbulimet shokuese të ish prokurores së Gjykatës Ndërkombëtare për ish Jugosllavinë, Karla del Ponte lidhur me faktet që deri kohët e fundit janë mbajtur të fshehura nga Tribunali”

Ndërsa mbas publikimit të raportit të Dik Martit, Kryetari i Komisionit të Jashtëm në Dumës ruse, Kosaçov në një intervistë dhenë radios “Eho Moskvi” me dt.20 dhjetor deklaroi: “Raporti ka qenë i iniciuar nga delegacioni rus në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, dhe këtë ne e kemi bërë sapo u publikuan të dhënat përkatëse nga goja e Karla del Pontes. Që nga ajo kohë është dashur një punë e kujdesshme për verifikimin e gjithë këtyre fakteve, dhe kjo vërteton se raporti nuk është përgatitur me ngut e brenda një afati të caktuar. Sigurisht që ne e kemi diskutuar ketë raport dhe unë i kam shprehur falënderimet zotit Marti, se raporti ishte përgatitur me ndershmëri e objektivitet, pa marrë parasysh se për kë bëhet fjalë”.

Janë tepër kuptimplote intervistat e Dik Martit për “Rossijsakaja Gazeta” dhe radion “Eho Moskvi”, mbas publikimit të raportit, ku ai pohonte se “Hetimi u bë me iniciativën e Rusisë” dhe madje falënderonte Moskën për këtë nismë….

Raporti i Dik Martit pati një jehonë të gjerë në Rusi. Me këtë problem u morën ditë me radhë të gjitha mediet, ku u përsëriten ato qe ishin thënë shumë herë për UÇK-në e Hashim Thaçin, por tashmë duke përsëritur ato që ishin shkruar në raport, apo edhe më parë në librin e Karla del Pontes. Më rëndësishmja ishte reagimi zyrtar i Moskës, që edhe një herë u përpoq ta shfrytëzonte këtë rast në mbrojte të politikës së Beogradit, për të kundërshtuar përsëri pavarësinë e Kosovës.

Më dt.15 dhjetor ishte në Moskë për vizitë Ministri Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiç. Në konferencën e përbashkët për shtyp, Ministri i Jashtëm i Rusisë, S.Llavrov deklaroi: “Lajmet për trafik organesh njerëzore ka kohë që janë përhapur. Tani, siç e kuptoj unë, është bërë një punë profesionale për verifikimin e këtyre fakteve. Ky raport nuk duhet të mbetet një dokument sekret, por duhet përhapur sa më shumë”. Kjo ishte sa për ti “vënë vulën” atyre që kishte thënë Dik Marti, por kryesorja për Llavrovin ishte që, duke marrë shkas nga ky raport, të fliste kundër pavarësisë së Kosovës, madje ti kthehej edhe një herë këtij problemi, sepse sipas tij: “Problemi i Kosovës duhet të zgjidhet vetëm mbi bazën e Rezolutës 1244 të KS të OKB-së” (që sipas Moskës, Kosova nuk mund të shpallej e pavarur)

Ndërsa me dt.17 dhjetor, MPJ e Rusisë deklaroi zyrtarisht se nuk i njihte zgjedhjet në Kosovë, mbasi, siç tha zëdhënësi i saj Sazonov “Ato janë organizuar nga pushtetarë të një Republike të vetëshpallur…..”. Sipas MPJ të Rusisë “Përderisa në dokument bëhet fjalë për krime monstruoze, e për më tepër kur dyshohet si pjesëmarrës në veprimtarinë kriminale, Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi…, mosnjohja e Kosovës, është edhe më e bazuar”.

Por njëkohësisht MPJ ruse i kërkonte Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës “Që në sesionin e janarit ta diskutojë me seriozitetin më të madh këtë dokument dhe të marrë vendimet përkatëse”.

Po atë ditë deputeti rus Vjatkin, anëtar i delegacionit rus në Asamblenë Parlamentare deklaroi se “Të gjithë e dimë se këta njerëz (udhëheqësit e Kosovës) kanë një reputacion të dyshimtë, për të thënë më hapur, janë kriminelë lufte”. Ndërsa ambasadori i Rusisë në Beograd A.Konuzin në një intervistë dhënë radios “Gollos Rosii” akuzoi OSBE-në se “Ka zhdukur arkivat” dhe se pushtetarët e Shqipërisë “Bllokojnë me të gjitha mënyrat çdo lloj hetimi për këtë problem”. Siç u shpreh ai: “Del qartë se udhëheqja e UÇK-së është e implikuar në shumë krime…..Akuzat për liderët kosovarë janë aq publike sa nuk mund të injorohen. Nuk mund të injorohen, jo vetëm sepse ato janë bërë në të kaluarën, por edhe sepse situata në këtë territor, nuk po rregullohet aspak”.

Kjo ka qenë gjuha e përdorur nga Moska zyrtare gjithë këto vite kundër UÇK-së dhe drejtuesve të saj. Vendimi për fillimin e procesit gjyqësor sikur e “qetësoi” Moskën, sepse sipas, sipas saj u arrit qëllimi. Menjëherë, pa filluar gjyqi, Elena Pakina, anëtare e Komitetit të Jashtëm të Dumes Shtetërore deklaroi: “Për krimet e përbindshme të Thaçit është ditur mirë që para 20 viteve, por ata nuk e kanë ngacmuar gjithë këtë kohë, sepse mbas shkëputjes faktike të Kosovës nga Serbia, luftëtarët e saj i janë dashur për frikësimin e serbëve të mbetur në krahinë si dhe presion mbi Beogradin”.

Mjaft interesante ishte deklarata e Ministrisë Punëve të Jashtme të Rusisë, ku kërkohej me insistim që ata të arrestuarit të dënohen: “Është e rëndësishme nga ana parimore që të gjithë fajtorët që kanë kryer krime, të zbuluara me kohë nga raportuesi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Dik Marti, të çohen para gjyqit dhe të marrin dënimin e merituar. Nuk mund të jenë të pa prekshëm. Është tepër i dukshëm “statusi” hijerëndë i të akuzuarve.

Rezulton se në krye të të ashtuquajturit shtet i Kosovës kanë qenë njerëz, për të cilët janë mbledhur shumë prova që lidheshin me veprimtarinë antiligjore të këtyre njerëzve, përfshijë terrorizmin dhe krimin e organizuar.

Fatkeqësisht, përkrahësit perëndimor të Prishtinës kanë mbyllur sytë për këtë anë të biografisë të të përkëdhelurve të tyre. Tani po bëhet e qartë për opinionin shoqëror perëndimor që ka ndihmuar NATO, kur në vitin 1999 bombardoi Jugosllavinë e pavarur”.

Bën përshtypje fakti se në Moskë, nëpërmjet goditjes kundër drejtuesve të UÇK-së, pretendohet jo vetëm të goditet UÇK-ja, por të sulmohet e të bëhet e pa qenë pavarësia e Kosovës ( me akuza se atë e krijuan dhe e shpallën kriminelë, mafiozë, trafikantë etj.)
Me të drejtë lind pyetja: Po tanët, qeveritarë e deputetë, diplomatë e zyrtarë, ata që kanw shkuar neper Europë, në Strasburg e Bruksel, në OKB e shumë organizma të tjera ndërkombëtare, a e kanë ditur se ç’po përgatiste Dik Marti, dhe a janë marrë seriozisht me këto probleme? Në se nuk e kanë ditur, lind edhe pyetje tjetër, më e rëndësishme. Vallë me çfarë janë marrë terë këta njerëz që marrin rroga e dieta (të gjitha nga taksapaguesit), dhe sa i si i mbrojnë interesat e Shqipërisë e shqiptarëve ( ne po akuzohemi si komb).

Dhe së fundi, nëse e kanë ditur, atëherë përse kanë heshtur?

 

 

 

 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button