Mostransmetimi i ndeshjes Kosovë-Shqipëri nga mediumet nacionale, i pajustifikueshëm
Përkundër interesimit të madh të tyre, përveç tifozëve që ishin në stadium, ata që donin ta shihnin ndeshjen futbollistike Kosovë – Shqipëri, nuk e kanë pasur të lehtë një gjë të tillë.
Kjo, pasi që ajo u shfaq vetëm në rrjet kabllor, ndërkohë që as televizioni publik dhe as dy televizionet e tjera nacionale në Kosovë, nuk arritën ta transmetojnë këtë ndeshje, raporton KTV.
Me gjithë vëmendjen e madhe publike që pati ky takim, organizimi i tij linte shumë për të dëshiruar.
I pyetur për këto, kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri, ka sqaruar për KTV-në duke thënë se Federata e Futbollit të Kosovës nuk ka kapacitete njerëzore dhe teknike për t’i organizuar e vetme ndeshjet e përfaqësueses së Kosovës në futboll.
“Prandaj, ne detyrohemi që për këtë të angazhojmë kompani private. Organizimi i një ndeshjeje të tillë i kushton federatës së paku 80 mijë euro. Ne ndihmohemi nga sponsorë të ndryshëm, sepse sikur të ishim varur vetëm nga buxheti që ndan shteti për ne, s’do të mund të kishim funksionuar më gjatë se tre muaj. Kështu, për t’i mbuluar shpenzimet, ne shesim të drejtat televizive për transmetimin e ndeshjeve të përfaqësueses së Kosovës”, ka thënë Vokrri.
Ai ka thënë se në rastin e ndeshjes me kombëtaren shqiptare, “këto të drejta i ka blerë Digitalb-i, i cili ka qenë edhe i vetmi medium që ka bërë ofertë për t’i blerë”.
“Kur kihen parasysh kushtet e stadiumit, pavarësisht ndonjë lëshimi që mund të ketë ngjarë, ne jemi përgjithësisht të kënaqur me organizimin”, ka thënë Vokrri.
Por sipas redaktorit të sportit në KTV, Arlind Grantolli, mostransmetimi i ndeshjes nga mediumet nacionale, është i pajustifikueshëm.
Sipas tij, kur është fjala për ndeshjet e përfaqësueses, rregullat për të drejtat e transmetimit duhet të përcaktohen me ligj.
Ndonëse nuk ka arritur të marrë një qëndrim zyrtar, Kohavisioni ka mësuar se Radio Televizioni i Kosovës ishte përpjekur që ta blejë të drejtën e transmetimit nga Digitalb-i, por që pas kushtëzimit të këtij të fundit që ndeshja të mos transmetohej në platformën Kujtesa, RTK-ja ishte dorëhequr duke mos pranuar këto kushte, transmeton Koha.net.
Ndërkaq kur kihet parasysh që buxheti i FFK-së buron nga paratë e taksapaguesve, shpeshherë është folur për mundësinë që të drejtat e transmetimit të ndeshjeve të Kosovës, t’u jepen televizioneve me frekuenca nacionale pa pagesë.