MPB: Për tetë muaj asnjë qytetar nga Kosova nuk ka shkuar në Siri dhe Irak
Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa dhe ministri i Punëve të Brendshme Skënder Hyseni zhvilluan sot një takim, gjatë të cilit biseduan mbi gjendjen e përgjithshme të sigurisë në vend si dhe në mënyrë të veçantë luftën kundër terrorizmit.
Pas një vizite që kryeministri Mustafa zhvilloi në Ministrinë e Punëve të Brendshme, theksoi se ka një bashkëpunim të mirë të MPB-së dhe policisë së Kosovës edhe me institucionet tjera të sigurisë si dhe me vendet në rajon e që ka mundësuar që kjo ministri të ndihmojë në sigurinë në rajon.
Mustafa duke folur për terrorizmin tha se falë punës që kanë bërë institucionet e sigurisë për tetë muaj nuk ka patur asnjë shkuarje të ndonjë shtetasi të Kosovës në luftërat në Siri dhe Irak.
Ndërsa ministri Skënder Hyseni nënvizoi se “Kosova po bën punë shumë të mirë në luftën kundër terrorizmit, kjo falë punës dhe fushatave vetëdijësuese”.
Ministri Hyseni ka dhënë edhe shifra për qytetarët e Kosovës që gjenden në luftëra në Lindjen e Mesme. Sipas tij, në këto vatra të krizës mund të jenë 70 qytetarë të Kosovës.