Mucunski në Athinë, në fokus anëtarësimi në BE
Ministri i Jashtëm Timço Mucunski mori pjesë në Athinë në takimin e grupit "Miqtë e Ballkanit Perëndimor", ku në fokus ishin zgjerimi i BE-së dhe përshpejtimi i integrimit të rajonit.
Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, mori pjesë në Athinë në takimin e grupit “Miqtë e Ballkanit Perëndimor”, me ftesë të homologut të tij grek, Jorgos Gerapetritis, siç njofton Alsat.
Sipas Mucunskit, në fokus të takimit ishin sfidat aktuale të politikave të zgjerimit dhe hapat e ardhshëm për përshpejtimin e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Vendet mike të rajonit, tha ai, konfirmuan përpjekjet që zgjerimi të mbetet lart në agjendën e BE-së dhe procesi i aderimit të përshpejtohet.
Në kuadër të takimit, Mucunski u takua edhe me homologun e tij grek. Sipas njoftimit, u konfirmua zhvillimi pozitiv i marrëdhënieve dypalëshe dhe gatishmëria për zgjerimin e bashkëpunimit përmes dialogut politik, lidhjes infrastrukturore dhe energjetike përgjatë Korridorit 10.
Mucunski e vlerësoi formatin “Miqtë e Ballkanit Perëndimor” si të rëndësishëm për tërë rajonin, duke theksuar se vendet anëtare pjesëmarrëse janë mbështetëse parimore të zgjerimit dhe punojnë aktivisht për t’i dhënë shtytje procesit, me qëllim anëtarësimin e plotë në BE. Ai tha se në dy panele të ndryshme u diskutua për sfidat në rajon dhe për mënyrën se si do të dimensionohet politika e zgjerimit, dhe e cilësoi tejet të rëndësishme që nikoqire e takimit ishte Greqia.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.