Murati ironizon deklaratën e Kurtit për diasporën: Më i votuari pas pavarësisë thotë se opozita s’po e lë të punojë
Ish-ministri dhe profesori universitar, Valon Murati, ka reaguar me tone kritike dhe ironike ndaj një deklarate të kryeministrit Albin Kurti, i cili – sipas Muratit – u është drejtuar bashkatdhetarëve me porosinë që të regjistrohen për ta votuar, me arsyetimin “se nuk po më lënë të punoj”.
Në një postim, Murati e ka quajtur të çuditshme dhe të pabesueshme që Kurti, të cilin e cilëson si “njeriun më të votuar në Kosovën e pas pavarësisë”, pretendon se nuk po e lë opozita të punojë dhe se i duhen edhe më shumë vota.
“Sot kryeministri Kurti iu paska drejtuar bashkatdhetarëve me një porosi të qartë: regjistrohuni për të më votuar, se nuk po më lënë të punoj! E çuditshme, e pabesueshme! Njeriu më i votuar në Kosovën e pas pavarësisë, me mbi 50% të votave dhe Kuvendit të Kosovës, konstaton se opozita nuk po e lë të punojë dhe se do edhe më shumë vota”, ka shkruar Murati.
Ai e ka krahasuar këtë, siç thotë, me kohën e viteve ’90, kur – sipas tij – angazhoheshin për organizimin e luftës çlirimtare, duke shtuar se do të ishte e paimagjinueshme të ankoheshin se Serbia apo partitë pacifiste “nuk po na linin” të organizoheshin.
“M’u duk ironi e kohës… Paramendoni të ankoheshim se nuk po na lë Serbia të organizohemi për liri. Apo se nuk po na lënë partitë politike legale pacifiste…”, ka shkruar ai.
Murati ka thënë se atëherë nuk kërkonin vota, por përkrahje për zgjerimin e rezistencës së armatosur, duke shtuar se nuk janë ankuar as kur, sipas tij, shokët janë burgosur, vrarë apo plagosur.
“Vetëm se ne nuk kërkonim vota, por përkrahje për zgjerimin e organizimit të rezistencës së armatosur. Dhe jo nuk u ankuam, edhe kur shokët u burgosën, u vranë e u plagosën”, ka shkruar ai.
Në fund, Murati e ka quajtur “absurd” kërkesën për më shumë vota “për të punuar”, duke e krahasuar me pritjen e përjetshme për Godon, referencë ndaj veprës “Duke pritur Godon”.
“Por jo ai do më shumë vota, për të punuar. Absurdi i tillë… i ngjanë pritjes së përjetshme për arritjen e Godos. As puna nuk vjen me më shumë vota, e as Godoja nuk shfaqet në horizont”, ka përfunduar Murati. /Telegrafi/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.