Libri

Myslimanët e ndershëm

Nga Veton Surroi

…Njëri prej problemeve thelbësore është te formulimi “bota myslimane”, një përcaktim kolektivist, i cili duhet të përshkruajë tërë gjeografinë botërore të banuar me shumicë myslimane si një lloj tërësie funksionale. Ky paragjykim nuk ka si të mos jetë më i pavërtetë. Shqipëria me shumicë popullate myslimane (qoftë në aspektin religjioz apo kulturor) ka një funksionim krejt tjetër prej Arabie Saudite, e kjo e fundit krejt tjetër prej një Malajzie. Njëra prej demokracive më të mëdha në botë, Indonezia, nuk ka me çka të krahasohet me një Somali. A mund të jenë të gjitha këto “botë myslimane”, me një kod unik funksionimi shoqëror? Aq sa kanë mundur të jenë “botë e krishterë”, Gjermania e Adolf Hitlerit dhe Britania e Madhe e Winston Churchill-it. Në një përputhje të çuditshme, ideologjia e vetme që pajtohet me përshkrimin “Bota myslimane” apo “Bota islame” që do ta gjesh të shprehur në Washington e kryeqytete europiane, qoftë në media apo politikë, është ajo e islamit politik. Në islamin politik, të gjithë myslimanët janë pjesë e një bashkësie unike, dhe rrjedhimisht, që të gjithë aspirojnë vendosjen e një sistemi unik qeverisës të sheriatit, në diçka që do të jetë kalifati islamik. Konsekuencën e fundit të kësaj ideologjie po e manifeston ISIS-i sot në Siri e Irak. Pos faktit se me përshkrimin “bota islame” hapet çështja për pjesën tjetër të botës (çfarë është “bota joislame?”) ky koncept çon në paragjykime të mëtutjeshme, që e bëjnë debatin të vështirë, e të detyruar të kthehet gjithnjë te verifikimi i të dhënave esenciale. Këtë e përjeton në paraqitjet e tij publike një prej njohësve më të mirë të religjioneve në botën akademike amerikane, profesori dhe shkrimtari Reza Aslan, i cili e ka pothuaj të gatshme përgjigjen e pyetjes që i paraqitet herë pas here:-Por, si mund të justifikoni “synetinë femërore” përkatësisht mutilacionin gjenital që ua bën Islami vajzave para se të hyjnë në pubertet?

-Nuk mund ta justifikoj. Për më tepër kjo nuk është traditë islamike, është traditë afrikane. Ashtu siç bëhet në Somalinë myslimane, bëhet në një shumicë alarmante rastesh në Eritrenë e krishterë.

Ai që padyshim pajtohet me termin “bota islame” është Lavdrim Muhaxheri. Për të nuk ekziston kombi as shteti. Ekziston “umma”, bashkësia myslimane pjesë e së cilës duhet të jenë edhe shqiptarët dhe ekziston përpjekja që kjo bashkësi myslimane ta ndërtojë kalifatin e vet, me ligje të sheriatit. Akti i shkatërrimit të pasaportës së tij kosovare, të transmetuar në “YouTube”, së bashku me muxhahidët nga shtetet e tjera, ishte demonstrim i ideologjisë së tij, që nuk e njeh kombin e shtetin e ndërtuar mbi premisa të kombit. Çuditërisht e njëjta gjë, ndodh në momentin kur Atifete Jahjaga bëhet “kryetarja myslimane e Kosovës”. Ajo përfaqëson myslimanët, por “këta të mirët”, për dallim prej atyre “të këqijve” që i përfaqëson Lavdrim Muhaxheri. Me këso përshkrimi, Jahjaga dhe Muhaxheri bëhen dy anët e së njëjtës medalje, asaj të Kosovës myslimane apo të shqiptarëve si pjesë e “botës islame”. Në të dyja anët e medaljes kemi të bëjmë me një identifikim që as ka dalë nga shqiptarët e as ka të bëjë me interesat e tyre, kemi të bëjmë me identifikimin që na e bëjnë të tjerët, sipas kontekstit dhe nevojave të veta. Nëse do ta thjeshtësonim këtë përshkrim, atëherë Lavdrim Muhaxheri është mysliman, sepse islamit politik i nevojitet që e tërë hapësira ku jetojnë myslimanët duhet të jetë bota islame (Madje, në ideologjinë që e prodhon nevojën që Muhaxheri të jetë domosdo mysliman, kushdo që njëherë ka qenë i tillë nuk mund ta braktisë këtë fe, sepse bëhet apostat, gjë që mund ta çojë në dënim me vdekje). Në përshkrimin e thjeshtësuar, Atifete Jahjaga është myslimane sepse “diplomacia publike” ka nevojë të tregojë se ekzistojnë myslimanët proamerikanë në po atë të njëjtë “botë islame”, jo sepse Kosova do të përzgjidhte detyrimisht dikë që do të spikaste identitetin e vet mysliman si identitet parësor. Madje, mund të ndodhte krejtësisht e kundërta. Ka gjasa të mëdha që kushdo në Kosovë që do të kandidohej për një post presidenti e veten ta quante mysliman (apo katolik) para se ta quante shqiptar, do ta kishte krejtësisht të vështirë të mblidhte përkrahje, qoftë edhe minimale.

Të hedhim tash një tezë që do të mund të tingëllonte si heretike në debatin që zhvillohet në mesin e shqiptarëve, që prej rënies së komunizmit e këtej, për relacionin e islamit dhe shqiptarëve (a është islami fe e okupatorëve, a jemi si jemi pse kemi një shumicë myslimane, a na mban larg nga vetja Perëndimi për shkak të islamit?)

Teza është kjo: jemi myslimanë (në shumicë) sepse jemi shqiptarë, por nuk na bën shqiptarë fakti se jemi myslimanë (në shumicë). E kam parasysh se është një formulë e koklavitur me kapacitet shpërthyes. Ta ndajmë në dysh. Pra, fillimisht kombi është (në shumicë) mysliman sepse është shqiptar. Thjeshtësuar, shqiptari është mysliman, sepse është shqiptar. Kështu e thjeshtësuar, tingëllon si avokim për islamin si fe zyrtare, por me pak durim e zgjasim këtë formulë të thjeshtësuar dhe ajo duket kështu: “Shqiptari është mysliman, katolik, ortodoks e bektashi, sepse është shqiptar”. Rrjedhimisht, ekzistenca e mundësisë për identitetin plural të religjioneve, e drejta të jesh krejt këta, madje të mos detyrohesh të jesh asnjëri prej tyre, të mos jesh fare i denominuar si pjesëtar i ndonjërit prej religjioneve, rrjedh prej të qenët shqiptar. Dhe pra, kështu merr formë edhe pjesa e dytë e formulës: fakti që jemi myslimanë (në shumicë) nuk na bën shqiptarë. Shqiptarë na bëjnë gjuha, vetidentifikimi kombëtar. Religjioni është pjesë e identitetit personal (pra as Islami, as Krishterimi nuk na bëjnë shqiptarë, i bëjnë besimtarë individualë ata që pranojnë vlerat morale dhe kanunet e këtyre religjioneve monoteiste). Fakti që jemi katolikë,  ortodoksë apo bektashinj, nuk na bën shqiptarë. Na bën katolikë, e ortodoksë, e bektashinj. Dhe fakti që mund të jemi ateistë apo agnostikë nuk na bën shqiptarë, gjithashtu. Na bën ateistë apo agnostikë. Nuk ekziston religjioni i cili na shkombëtarizon apo na kombëtarizon. E tëra kjo më duket me rëndësi për debatin, i cili presupozon një fajësi të shqiptarëve si myslimanë (feja e okupatorit, largimi nga Perëndimi), sepse ana tjetër e medaljes morale të kësaj fajësie të presupozuar është dëshmia se jemi myslimanë, por jo si ata të tjerët “të këqijtë”, se ne jemi “myslimanë të ndershëm”. Ose, se nuk jemi në fakt myslimanë, se jemi disi të krishterë të konvertuar që tash, në liri do të kthehemi në fenë e të parëve. Medalja quhet “kurthi islamik” është e njëjtë si ajo e islamit politik. Qoftë në kudrimin e Lavdrim Muhaxherit, në të cilit që të gjithë myslimanët janë “imma”, rrjedhimisht në të duhet të hyjnë edhe shqiptarët myslimanë e që sot nuk ndihen të tillë). Apo edhe në atë të “diplomacisë publike” që duke iu kundërvënë ideologjisë së Lavdrim Muhaxherit spikat kategorinë e “myslimanëve të ndershëm”.

“Kurthi islamik” është natyrisht krejtësisht i dëmshëm për shqiptarët. Shqipërinë dhe shqiptarët, në përgjithësi, i vendos në një kategorizim tjetër gjeografik e gjeopolitik, në atë të “botës myslimane”, dhe në momentin kur ekziston kjo botë, është e ndryshme prej botës tjetër, prej asaj që ka shpikur emrin “bota myslimane”. Çfarë janë kriteret, çfarë janë vlerat që definojnë “botën myslimane?”. Ato duhet të jenë të veçanta prej botës tjetër. Pra, nëse dikush në Washington, Londër apo Paris do të përcaktojë “botën myslimane”, do të cekë, njëkohësisht, se kjo botë, që është ndryshe prej asaj së cilës i përkasin Uashingtoni, Londra a Parisi dhe që udhëhiqet prej të vetmes gjë që e përcakton në cilësim, pra prej islamit. Kjo nënkupton atëherë që vendet e “botës islame” të mos vlerësohen me kutin e shoqërive “normale” të demokracisë liberale, por me një kut tjetër. Në atë kut, duket krejtësisht i çuditshëm normaliteti i ushtrimit të besimit të myslimanit, katolikut, ortodoksit, bektashiut, agnostikut e ateistit, në të njëjtën hapësirë të vogël gjeografike të quajtur Shqipëri. Apo duket “impresiv” kostumi presidencial i Atifete Jahjagës nga Kosova. Do të vihet në spikamë kjo “presidente myslimane”, sepse është model për shoqëritë e tjera “myslimane”, por nuk do të vihet në spikamë se u zgjodh falë ambasadorit amerikan, jo ndonjë procesi që në demokracitë liberale perëndimore do të mund ta kalonte testin e demokracisë. “Quod licet Iovi, non licet bovi” (Çka i ka hije Jupiterit nuk i ka hije kaut) kanë thënë latinët. Ajo që i ka hije demokracisë liberale jo domosdo duhet t’i përkasë edhe “botës myslimane”.

Nëse shqiptarët kanë qenë “europianë të shekullit XXI” që në shekullin e XIX” atëherë shqiptarët i kanë paraprirë këtij modeli, atëherë shqiptarët qenkan modeli europian. Dhe duke qenë modeli europian shqiptarët do lexuar mirë në këtë shekull, sepse (ja edhe një hedhje heretike) islami i vetëm autentik europian është islami i shqiptarëve. Për dallim prej myslimanëve britanikë, francezë a belgë, islami i shqiptarëve nuk është produkt i kolonializmit europian. Myslimanët britanikë janë produkt i marrëdhënies së gjatë koloniale me Pakistanin e Bangladeshin, për shembull. Siç janë myslimanët francezë me origjinë nga Senegali, Algjeria ose Tunizia. Për dallim prej myslimanëve gjermanë, norvegjezë a italianë, islami i shqiptarëve nuk është produkt i emigracionit. Në Berlin, Oslo a Romë të tri gjeneratat e turqve, kurdëve dhe imigrantëve të tjerë (përfshirë shqiptarët kosovarë e nga Maqedonia) kanë krijuar identitetin e myslimanëve të Gjermanisë, Norvegjisë a Italisë. Dhe për dallim prej myslimanëve boshnjakë islami i shqiptarëve nuk ka shërbyer për të ngjizur kombin. Shqiptarët nuk janë komb pse kanë shumicë myslimane, myslimanët boshnjakë nuk do të ishin komb, nuk do të ishin të tillë po të mos ishte islami si vijë dalluese me etnitë e tjera në Bosnjë e Hercegovinë. Islami ndër shqiptarë, përfshirë këtu edhe atë bektashi ka të njëjtin vend në shoqëri sikur edhe religjionet e tjera monoteiste dhe ka të njëjtën prejardhje sikur religjionet e tjera, të cilat nuk kanë lindur në këtë vend, por më nuk ka rëndësi se ku kanë lindur, sepse jetojnë në të së paku një mijë vjet….

(Pjesë nga libri)

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button