Ekonomia

Nafta dhe sezoni turistik

Kompanite e tregtimit rrisin çmimin në të njëjtën orë dhe vlerë

Rritja çmimit të tregtimit me pakicë të naftës dhe benzinës nuk pasqyron tregun real. Pak ditë më parë televizioni publik pasqyroi ndryshimin e menjëhershëm, në të njëjtën ditë dhe me të njëjtën vlerë në tregun e shitjes me pakicë të naftës dhe benzinës.

Rritja me 3 lekë për litër, në kushtet e mësipërme, është objekt për Autoritetin e Konkurrencës për të parë nëse ka vendosje horizontale apo vertikale të çmimeve në këtë treg. Shoqata e Shoqërive Hidrokabureve reagoi nëpërmjet një daljeje publike, duke argumentaur se rritja e çmimit është efekt i taksave!

Po ndalojmë në një dukuri tjetër, atë të ndikimit që kanë dy tregues në “bursën” e naftës, pas vendimit të qeverisë për pezullimin e Bordit të Transparencës së këtij tregu. Pra, kemi përjashtuar taksat e tarifat, sepse ato nuk kanë ndryshuar prej vitit 2013 dhe po analizojmë çmimin PLATZ të Mesdheut, ku kuotohet nafta shqiptare dhe kursin e këmbimit USD/lekë, sepse nafta e përpunuar kuotohet në dollarë amerikanë.

Në tabelën e parë tregohet ndryshimi i çmimit të naftës, menjëherë pas pezullimit të veprimtarisë së Bordit të Transparencës. Në bursën e Mesdheut çmimi më i lartë shkoi 766 USD për ton (ose 799 USD/Ton sipas referimit që bën dogana shqiptare) dhe më i ulti 723 apo 753 USD/Ton, me të njëjtin përkufizim.

Në dy javët e korrikut. çmimi u luhat nga 750 deri në 810 USD/ton. Në këtë periudhe çmimi më pakicë në tabelë nuk ka ndryshuar asnjë ditë, nafta është shitur me 179 lekë/litër!

Duke qenë se çmimi në pompë ndikohet edhe nga kursi i këmbimit, shihni se si ka ndryshuar dollari amerikan me monedhën shqiptare për periudhën e raportuar:

Ndryshimi është i dukshëm, nga 101.92 lekë për të blerë një USD, në mesin e korrikut këtë e blen për 92.32 lekë, ose 10.3 për qind më i lirë. Nafta ka vijuar të jetë 179 lekë/litër.

Kjo ulje në kursin e këmbimit nuk është reflektuar. Ajo reflektohet në javën e fundit, kur nafta shtrenjtohet me 3 lekë për litër, duke u shitur me 182 lekë, ose 9.8 për qind më shumë. Për ta kuptuar më thjesht, një litër naftë u rrit në bursë me 9,2 përqind dhe u reflektuar me rritje 9,8 për qind më shumë në tabelë. Një dollar amerikan u ul në bursë me 10.3 për qind, por nuk del i pasqyruar në çmimin e një litri karburant.

Nuk është herë e parë që ndodh një gjë e tillë në tregun shqiptar të shitjes me pakicë të karburanteve. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, para funksionimi të Bordit të Transparencës, kompanitë hidrokarbure llogaritej të fitonin deri në 25 lekë/litër. Bordi e kufizoi me akt normativ këtë normë fitimi në 3 lekë për shitjen me shumicë dhe 12 lekë për shitësit me pakicës, duke e çuar normën e fitimit në vetëm 15 lekë për çdo litër dhe duke i kthyer publikut 10 lekë për litër që pasqyrohej si vjedhje e konsumatorit në çmim.

Vihet re se importuesit dhe tregtarët e karburanteve nuk kanë lëvizur nga pozicioni i tyre i çmimeve të një litri naftë! Pavarësisht ndryshimeve që ndodhin në Bursën e Mesdheut, ku kuotohet nafta shqiptare, pavarësisht nga ndryshimet e dukshme në kursin e këmbimit të dollarit amerikan, me të cilin blihet nafta në import, çmimet në pompa ndryshojnë sipas oreksit të tregtuesve! Në të gjithë Europën, në pikun e sezoneve turistike, kur rritet konsumi, ulen çmimet! Në Shqipëri ndodh e kundërta!

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button