Naom Chomsky: SHBA, terroristja më e madhe, Perëndimi gaboi me Ukrainën
Noam Chomsky është njëri ndër intelektualët e majtë më të famshëm sot në botë. I vetëquajtur anarkist, i famshëm dhe i shumëdebatuar, ai njihet si kritik i ashpër i politikës së jashtme amerikane.
Ai tashmë në moshën 86-vjeçare duket se nuk do ta ulë gazin. Rebelohet vazhdimisht kundër një vargu padrejtësish – siç i percepton ai – duke futur në radhë të parë në tehun e kritikave të tij, Perëndimin.
Në një intervistë të fundit me rrjetin “Euronews”, ai tashmë ka risjellë në lojë tezën e tij të vjetër se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë “shteti që udhëheqin terrorin në mbarë botën“.
“Ne duhet të thërrasim në ndihmë kujtesën: fushata e terrorit – me distancë – më e keqe në botë, është ajo që drejtohet pikërisht nga Uashingtoni: fushata globale e vrasjeve. Një fushatë terrori e kësaj përmase, nuk është parë kurrë më parë”. Por ai ka folur në intervistë edhe për të ardhmen e Europës, Putinin, NATO-n dhe Ukrainën.
Chomsky flet për luftën e dronëve
Chomsky i referohet në këtë rast më shumë luftës me dronë të amerikanëve. Me anë të saj, ushtria amerikane vret njerëz, të cilët ajo vetëm i llogarit se mund të përbënin një rrezik për të. Dhe këtë e bën sistematikisht dhe fare hapur.
Europën, Chomsky në këtë rast e sheh në rolin e një shërbëtori të nënshtruar, që nuk guxon dot të ngrihet kundër Shteteve të Bashkuara.
“Shtetet europiane janë shumë të frustruara për të përqafuar një pozicion të pavarur”. Sidomos të indinjuar ata janë rreth të ashtuquajturit “extraordinary rendition“, ose “interpretim i jashtëzakonshëm“ dhe faktit se edhe Europës pastaj do t’i duhej ta mbështeste këtë hap.
“Ndoshta Asadi, Gadafi ose Mubaraku”
Chomsky e krahason këtë me një torturë. “Një interpretim i jashtëzakonshëm do të thotë se ti nuk merr asnjërin, prej të cilit ti mund të kesh një dyshim dhe ti e largon atë te njëri nga diktatorët e tu më të preferuar. Ndoshta Asadi, Gadafi ose Mubaraku, në mënyrë që ai atje të torturohet dhe prej tij – me shpresë – në fund të dalë diçka në dritë”, shpjegon Noam Chomsky për “Euronews”.
Ai ndër të tjera mbështetet këtu edhe te një studim i “Fondacionit për Shoqërinë e Hapur”, sipas të cilit nga mbi 50 qeveritë që marrin pjesë në këtë program, asnjëra prej tyre nuk do ta pranojë pjesëmarrjen në të.
Në përgjithësi Chomsky e kritikon fort Europën. Kështu, ai është i bindur se problemet ekonomike të shteteve si Greqia, Portugalia apo Spanja nuk janë të vetmet probleme me të cilët Europës i duhet të luftojë.
“Racizmi, një problem kulturor europian”
“Unë kam pasur gjithnjë përshtypjen se Europa është më raciste sesa Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nuk ka qenë dhe aq i përhapur në Europë, ngaqë popullsia europiane në të shkuarën ka qenë gjithnjë pak a shumë më homogjene. Dhe kur çdo njeri është biond dhe me sy blu, atëherë nuk bie në sy si racist. Por sapo popullsia nis të ndryshojë, shfaqet racizmi nga thellësia. Dhe shumë shpejt madje. Dhe ky është një problem shumë serioz kulturor në Europë”, tha Chomsky.
Mirëpo Chomsky shpreh shpresë se situata në Europë – sipas tij – do të mund të merrte për mirë. Shenja për këtë, sipas mendimit të anarkistit të famshëm, janë forcimi i partive të ndryshme radikale të majta, siç është për shembull “Syriza“ në Greqi. Ai në to sheh një revoltë kundër politikave social-ekonomike të shteteve përkatëse. “Dhe kjo – thotë Noam Chomsky – të jep shpresë”.
Pyetjes së gazetares të “Euronews”, Isabelle Kumar, se ku e sheh ai pozicionin e Putinit në zhvillimet e sotme, ai i përgjigjet:
“Si shumë prej liderëve, ai ka një kërcënim mbi popullsinë e vet. Ai ka ndërmarrë aksione ilegale, me ç’duket. Por ta përshkruash atë si një monstër të çmendur që po vuan nga sëmundjet e trurit dhe se vuan gjithashtu dhe nga Alzheimeri apo si një kreaturë me fytyrë djallëzore, ky është një standard i fanatizmit oruellian. Unë po ju them se çfarëdo që të mendoni për politikat e tij, ato janë të pakuptueshme.
Ideja se Ukraina mund t’i bashkohej një aleance ushtarake perëndimore do të ishte fare e pakonceptueshme për çdo lider rus. Kjo lidhet me kohën e fillimviteve ‘90 kur ra dhe Bashkimi Sovjetik. Në atë kohë ngrihej një pyetje rreth asaj se çfarë do të ndodhte tashmë me NATO-n. Gorbaçovi e lejoi Gjermaninë të bashkohej dhe t’i bashkohej ashtu e bashkuar, edhe NATO-s.
Ishte një koncesion fort i madh me një quid pro quo ( më jep të jap: nga latinishtja) me premtimin se NATO-ja nuk do të zgjerohej asnjë centimetër në Lindje. Kjo ishte fraza që u përdor në atë kohë.
Më tej gazetarja ndërhyn duke shtuar se Rusia pra u provokua? Ndërsa Chomsky e mbyll duke thënë se NATO lëvizi dalëngadalë drejt Lindjes dhe Klintoni e çoi Aleancën në kufijtë e Rusisë. Ndërsa beson se në çështjen e Krimesë, Perëndimi dhe NATO më shumë po e çojnë Ukrainën drejt luftës, sesa po e mbrojnë.