Nasim Haradinaj: Sa më shpejt ta zgjedhim presidentin — Kosovës i duhet dikush që ka guxim dhe flet me Amerikën
Ish-nënkryetari i OVL-UÇK-së, i ftuar në emisionin "Ora Shtatë" të Klan Kosovës, ka kërkuar veprim konkret institucional pas verdiktit të Hagës dhe zgjedhje sa më të shpejtë të presidentit të ri të vendit.
Ish-nënkryetari i OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj, ka folur për dënimin e ish-krerëve të UÇK-së, duke kërkuar nga institucionet e Kosovës që të ndërmarrin hapa konkretë dhe të mos vonohen në reagimin e tyre, siç njofton Klan Kosova nga emisioni “Ora Shtatë”.
“Sot është një fillim, edhe pse është dashur të flitet me vepra më konkrete. Përpos që e jep një shenjë të mirë, shpresoj për bashkëpunim. Koha është që të veprojmë”, tha Haradinaj në Klan Kosova, duke iu referuar seancës së sotme plenare të Kuvendit, që nis në ora 11:00.
Ai theksoi se koha për procesin e Apelit po shkurtohet dhe se institucionet duhet të bashkërendojnë veprimet. “Sa më shumë që këta nuk bashkërendojnë, nuk veprojnë dhe nuk i marrin secili përgjegjësitë e veta me mundësitë që i ka, ata në një farë mënyre janë fajtorë për mosreagim në kohën e duhur”, u shpreh ai.
Haradinaj kërkoi që partitë politike t’i lënë anash përplasjet dhe interesat politike. “Ne shqiptarët deri sot shpesh ndodh të reagojmë vonë. Edhe tash është vonë, e lë më nëse vonohemi edhe në javën e dytë. Mendoj se është koha t’i lëmë inatet politike dhe të shkojmë atje ku na dhemb të gjithëve”, deklaroi ai.
Ai foli edhe për nevojën e zgjedhjes sa më të shpejtë të presidentit të Kosovës, duke thënë se vendi ka nevojë për një president që do të kishte rol më aktiv në raport me Shtetet e Bashkuara. “Ne sa më shpejt duhet ta zgjedhim presidentin, që të flasë edhe me Amerikën. Neve na duhet një president që i fut drunjtë shkurt. Që ka guxim, që është i zoti”, tha Haradinaj në intervistën për Klan Kosovën.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.