Ndërron jetë në moshën 92-vjeçare Madeleine Lebeau
Madeleine Lebeau ishte e vetmja e mbijetuar nga kasti i aktorëve të njërit prej klasikëve më të mëdhenj të kinemasë, filmit “Casablanca”. Aktorja franceze ndërroi jetë në moshën 92-vjeçare, në fillim të muajit, siç pohoi për “Hollywood Reporter” thjeshtri i saj, regjisori Carlo Alberto Pinelli, por lajmi u bë publik vetëm tani.
Te “Casablanca”, Lebeau interpretoi të dashurën e refuzuar të të madhit Humphrey Bogart. Në njërën prej skenave më të famshme të filmit legjendë, ajo thërret mes lotësh “Rroftë Franca”, kur klientët e kafenesë së Rickut nisin të këndojnë “Marsejezën” për të mbytur me zërat e tyre këngën e ushtarëve gjermanë.
Madeleine, e lindur në afërsi të Parisit në vitin 1923, kishte arritur të largohej nga Franca e pushtuar prej nazistëve në vitin 1940 bashke me të shoqin, aktorin në zë Marcel Dalio. Çifti përfundoi në Hollivud e te “Casablanca” intepretuan që të dy.
Pas qytetarit Kane, Instituti amerikan i Filmit e liston “Casablanca”-n si filmin e dytë më të madh të të gjitha kohërave. I nisur si një formë propagande në kohë lufte, ai goditi fort me romancën e zjarrtë dhe intrigën, që i sollën çmime “Oscar” për skenarin, regjinë dhe tablonë më të mirë.
Dy yjet e tij ishin Bogart, në rolin e një amerikani cinik, pronar i një kafeneje në Marok, dhe Ingrid Bergman, një dashuri e vjetër e humbur, që rishfaqet për t’i ndezur pasionin e përjetuar para luftës.