ArteLibri

Ndershmëria vetëm – Liber me tregime e autorit Faruk Myrtaj

Petro Dhimitri, Gazetar

Shkrimtari në mërgim Faruk Myrtaj së fundmi botoi librin me tregime ” Ndershmëria vetëm”. Në të janë 15 tregime, secili me tematikë të ndryshme dhe secili të bën për vete për mënyrën si autori i tregon ngjarjet, qofshin ato nga përjetimet e tij apo edhe thjesht krijime si ” Kur njeriu rrëfen dashurinë e tij si të bletëve”. Libri hapet me tregimin tejet të shkurtër :”Natyra ka rënë”. Subjekti fare i thjeshtë: Një banore e moshuar kërkon të takojë administratorin e pallatit. Po priste me orë. Kur ndihmësi e pyeti:” A mund të më thoni pse po e prisni administratorin?” ajo iu gjegj:” Dua pak dhe për lulen dhe a mund ta marr nga lulishtja këtu ?” Në dorë mbante një kuti fare të vogël. Disa orë pritjeje për pakëz dhe ?!..Vetëm ky detaj flet aq shumë për ndërgjegjen e asaj kanadezeje.
Nuk mund të ndalem te të gjithë tregimet se do të zgjatesha shumë, veç ama nuk mund të mos përmend ” Midis orës 5 dhe 6 të mëngjesit”. Protagonistë vetë autori dhe bashkëshortja e tij. Pastronin natën një mjedis të madh. Gjumi u rëndohej nën qepalla, po ata vazhdonin punën. Edhe pse me diploma universiteti nga vendlindja, janë të kënaqur për punën modeste që bëjnë. Tjetër jetë këtu si për nga qetësia e atmosferës politike, nga shumëllojshmëria e prodhimeve, nga kujdesi dhe respekti për njeriun… Shkurt tjetër botë. Këto kujtonte autori kur nga ora 5-6 e mëngjesit, bashkë me gruan, uleshin për tu shlodhur pakëz te stoli i korridorit. Prej aty dëgjohej një muzikë e ëmbël. Ndjeheshin të lumtur.
Murtaj shquhet për lakonizëm, qartësi mendimesh, fjali dhe fraza të peshuara mirë dhe gjuhë të pastër.

Faruk Myrtaj

Ai i skalit personazhet, qofshin ata kalimtarë , si me daltë skulptori. Secili i ndryshëm, larg çdo skeme. Te “Filma me luftë dhe dashuri” njihemi me Hyskën, kinooperatorin babaxhan të një vendbanimi të vogël që gjatë vitit një film e shfaqte dhjetëra herë. Ato filma i sillnin të shkretit! Po aty të prek jeta e minatorit beqar Reso Pajtimi. Kur merrte rrogën të gjithë atyre që gjente në klub Resua u jepte nga një gotë teke me raki. Nuk mund të kishte para në xhep dhe të mos gëzonte të tjerët. Kur s’i mbetej as edhe një pesëshe, kërkonte borxh. E lante sipas premtimit. Ishte fatkeq. Vuante.” Edhe me të dytën, pata një si ngrirje: mbase edhe e drejta e mashkullit për të depërtuar trupin e grave ishte fat, si hyrja në galeri pa ndriçim e pa ajrosje të mirë. Ndjeva një si këputje pranë saj, s’më lëvizte as-edhe-një thërrime prej mishrave…si i vdekur…Bo-bo, ia bëra, e mora në qafë bijën e botës! Pa zë i kërkova falje. Dhe mirë bëra, se ia kisha ngritur mendjen kot se koti, i kisha dhënë shpresë ta bëja zonjë shtëpie, de!…”- jepte e merrte ai me veten. Nga gjendja shëndetësore nuk mund të krijonte familje…
Shkrimtari Faruk Myrtaj, duke qenë i heshtur dhe shumë vrojtues, ai me lehtësi futet thellë në karakteret dhe jetën e personazheve. Sa bukur e përshkruan minatorin Nebi Ermeni. Kishte vite të tëra që ai ecte dy orë e gjysmë për të shkuar më minierë dhe po aq kohë i duhej të kthehej në shtëpi. Të nesërmen e ditës që erdhi me familjen të jetonte në qytezën e minatorëve ai mbeti në galeri për të mos dalë kurrë prej andej?! ” …të gjithë atë thellomën konike të dheut të fundosur e thërrisnin Gropa e Nebiut.” Tregim perlë po quaj:”Po t’i kush je ti…” Njihemi me zonjën Tilbeth që çdo ditë kur zbret te hyrja e pallatit dhe rastis që shikon administratorin ( Farukun) e pyet:” Po ti kush je?” Ai i prezantohet po e moshuara e harron shpejt dhe çdo ditë i bën të njëjtën pyetje:”Po t’i kush je?!” “…Nëse do t’i rrëfeja të vërtetën, duhet të thosha menjëherë se s’jam ai që kam qenë. As vetë s’ di kush jam. Di që jam mërguar diku, për jetë tjetër, ku këshillohem të harroj cili isha. Por po e shoh se kjo harresë s’qenka aq punë e lehtë. S’mund ta kalosh me një përgjigje të kollajshme. Ajo që lemë pas s’qenka për t’u harruar, mbijetoka brenda nesh, teksa provojmë të jetojmë ndryshe tjetërkund. Ku kurrkush s’na pyet për të shkuarën… Jam këtu, nga që s’jam atje ku kam qenë…Ngaqë këtu s’mund të funksionoj si ai që isha kur u vura në udhë, kam drojtje se s’kam për t’u bërë dot ai që pritej prej meje… ”
Duke lexuar tregimet e Myrtajt çuditesh se si ai pikturon skena aq të gjalla të jetës pothuajse pa përdorur fare përshkrimin. Të ngërthen me dialogun dhe me mendimet e tija vetjake që shumicën e rasteve nuk bien era pesimizëm. Veç ama kur lexon duhet të jesh i përqendruar për të ndjekur tempo-ritmin narrativ të autorit. Mund edhe të kesh stilolapsin në dorë për të shënuar se kujt paragrafi apo tregimi duhet t’i rikthehesh sërish për të siguruar veten se ç’ka dashur të thotë shkrimtari indirekt. Te ” Vetëm për të ndershmit” ai shkruan se kjo ishte tabela. Ama asnjë nuk futej dot nga turma, se askush nuk mund të dilte nga ajo ngrehinë. Vetëm njeri guxoi. Pastaj ai u mbyll në muze. Aludimi i autorit: të ndershmit në jetë mund t’i gjesh vetëm me pikatore. Shtesa ime: midis politikanëve vështirë se gjen.
Jo më kot Myrtaj shkruan tregimin “Burgu i ri”. Shtypi dha njoftimin për ndërtimin e një burgu të ri. Do të jetë me xhama që nga brenda vuajtësit të shikojnë ç’ndodh jashtë. Burg edhe me pishinë, dushe e blerim.?! Qeli për të burgosurit, po ama edhe qeli të lira të rezervuara për kabinetin ministror në fuqi…A nuk na shfaqet autori si pararendës iu vetingut që nuk po vihet në jetë se qeverisësit si dhe ata që kërkojnë të rimarrin qeverisjen s’duan të përfundojnë në qelitë e rezervuara për ta?!

Kopertina e librit “Ndershmeria vetem” e autorit Faruk Myrtaj

Eshtë meritë e shkrimtarit që në disa tregime ai me shumë finesë i shtyn lexuesit ta kritikojnë ose ta thellojnë mendimin e tij. Kjo spikat te tregimi kritik për ndotjen globale të mjedisit. Njerëzit kur e panë që nga çezmat dilte ujë i ndotur, shkuan për të mbushur ujë te një burim i pastër. Nuk kishte kuptim të vazhdohej ashtu deri sa bimët ujiteshin me ujin e ndotur, bagëtia pinte po atë ujë deri sa qumështi, mishi dhe perimet të gjitha bartnin mikrobe. Ata iu kthyen çezmave. Sëmundjet pllakosën. Kjo është tabloja që jep autori. Lexuesi do edhe vendin se në Kanada, në SHBA, Gjermani,etje.,etje. kur ka raste ndotjesh merren masa urgjente. Lexuesi kërkon konkretizimin dhe rrugën e zgjidhjes për të mos u kredhur në pesimizëm. Prandaj me dashje ose pa dashje, Myrtaj na nxit të fusim fantazinë në veprim. Për ndonjë tregim si ai me titullin :”Plakat e Nobelit” lexues të ndryshëm mund të mbajnë edhe qëndrim kritik ose me imagjinatën e tyre të plotësojnë atë që ka harruar ose nuk ka dashur ta thotë autori. Ndokujt mund t’i duket ironi nëntitulli “…me rastin e dhënies më- në-fund të Çmimit Nobel” kur ai nuk i është dhënë. Na paraqet dy plaka gjitone të shkrimtarit kandidat për çmimin Nobël të cilat nuk duan të firmosin dokumentin për rikonstruksionin e shtëpisë së shkrimtarit (lexo të Kadaresë) që shteti ka vendosur ta bëjë muze. Pse? Se do t’u zinte dritën e jetës. Plakat që vizatohen mjeshtërisht nuk janë krenare që gjitoni i tyre ka arritur këto maja. Nuk shprehin as simpati, madje thonë se ai ka shkuar rrallë atje dhe vetëm me personalitete. Mirë plakat paskan qenë të tilla, po pse autori përmend vetëm Kështjellën (e cila nuk paskësh qenë rrethuar nga pushtuesit) si edhe dimrin me rusët e koncertin me kinezët, dy vepra ku kandidati për Nobelin himnizon diktatorin, dhe harron e ç’nuk harron?! Kur shkruhet për një personalitet të tillë letrar a mund ta harrojnë ,qoftë dy plakat, që romanin Piramida shkrimtari e mbylli në një kasafortë në Paris, se po t’ia gjente Sigurimi, atë e priste burgu?! Po që Sigurimi e ndiqte hap pas hapi. Po plenumin e artistëve për trajtimin e temave të historisë që gati direkt u bë kundër tij?! Po arratisjen e shkrimtarit që tronditi Shqipërinë?! Harrohet edhe çmimi prestigjioz ” Men Brook” i Anglisë .Për të gjitha këto si edhe të tjera u nxitet fantazia lexuesve… për të plotësuar ose korrigjuar këtë tregim të gjatë për kandidatin e Çmimit Nobel.
Nuk është fatkeqësi që Faruk Myrtaj është në mërgim. Nuk është as i pari dhe as i fundit që ka zgjedhur këtë udhë. E keqja është se, duke bërë një punë të zakonshme, i mbetet fare pak kohë për t’iu kushtuar letërsisë. Megjithatë ai sakrifikon nga orët e pushimit për të na dhuruar neve krijime që e ke të vështirë t’i harrosh. Na takon t’i jemi mirënjohës.

PETRO DHIMITRI

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button