Kryeartikull

Ndeshja trup me trup e prokurorëve

ILIR YZEIRI

Ilir YzeiriSe çfarë ndodhi saktësisht në mbledhjen e përgjithshme të Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë, ditën e premte, më 3 tetor 2014, publiku nuk do ta mësojë asnjëherë, sepse ngjarja, ndryshe u raportua nga mediat dhe ndryshe u paraqit në komunikatën për shtyp të Prokurorisë së Përgjithshme. Disa media e paraqitën me titullin “Rrihen Prokurorët”, disa të tjera folën për një përplasje fizike mes Kryeprokurorit të Republikës, Llalla, dhe kryetarit të Shoqatës së Prokurorëve, Shkëlqim Hajdari. Prokuroria e Përgjithshme paraqiti një version tjetër. Sipas saj, dy nga anëtarët e Kryesisë së kësaj shoqate po debatonin me ton të lartë në afërsi të Kryeprokurorit Llalla dhe ky i fundit u ka thënë që të dalin jashtë. Por, të gjitha lajmet kishin në qendër një të vërtetë – personazhet e kësaj fabule që ishin Adriatik Llalla dhe Shkëlqim Hajdari. I pari është Kryeprokuror i Republikës, i dyti është kryetari i Shoqatës së Prokurorëve të Republikës. Ky i dyti mbahet mend nga publiku, sepse në dasmën e fëmijës së tij, arriti që të ftojë dhe të ulë në tavolinat e banketit zyrtarët më të lartë të vendit dhe përfaqësuesit më të lartë të të dy krahëve politikë. Natyrisht që ky fakt nuk mund të jetë një çelës për të shpjeguar intrigën mbi të cilën u ngrit ndeshja trup me trup e prokurorëve të Shqipërisë. Dhe vijmë kështu te pika më e dobët e këtij rrëfimi, e kësaj narrative. Pra publiku nuk u sqarua për dy gjëra: e para a pati ndeshje trup me trup mes prokurorëve dhe e dyta, që është edhe më e rëndësishmja, përse u zunë prokurorët? Për çfarë problemi, ata u acaruan aq shumë sa u detyruan që të ndeshen trup me trup me njëri-tjetrin? Nëse do të mbajmë në vështrim vetëm atë spektakël që prokurorët dhuruan për publikun, duke luajtur me dyer të mbyllura, na mbetet të hamendësojmë se në themel të intrigës ka qenë debati për emërimin e një anëtari të kësaj shoqate në Shkollën e Magjistraturës. Pra, nëse do t’i mbahemi asaj që ne vështrojmë nga jashtë, pra nëse do të hamendësojmë vetëm duke u nisur nga titulli i dramës, që ishte zgjedhja e një prokurori për në Shkollën e Magjistraturës, atëherë na duhet të mendojmë se grupet që u ndanë në dysh apo dyshja e ndeshjes trup me trup ka arritur deri në këtë pikë sepse kandidati i njërës apo tjetrës palë mund të mos ketë fituar garën. Po, përse një emërim i tillë përmban kaq shumë tension që i çon përfaqësuesit më të lartë të akuzës në Shqipëri deri në ndeshje fizike? Një analizë tjetër që mund t’i bëhet ndeshjes trup me trup të prokurorëve mund të ishte edhe njëfarë tensioni i grumbulluar prej kohësh mes tyre që për fat të keq shpërtheu në një moment fare të papërshtatshëm, pikërisht atëherë kur dikush po merrte një post që mesa duket qenka me shumë peshë në jetën profesionale të kësaj kategorie. Pavarësisht të gjitha këtyre hamendësimeve, ajo që mbetet është ndeshja trup me trup e prokurorëve të Republikës që ka edhe një shenjueshmëri tjetër. Dhe në këtë rast, pyetja që shtrohet është: po si ka mundësi që në institucionin më të lartë të akuzës, në vendin ku sipas përfytyrimit të përgjithshëm duhet të mbretërojë ligji dhe heshtja, si ka mundësi që në një mbledhje të tillë me njerëz që kanë si argument dhe si mënyrë të shprehuri vetëm argumentimin ligjor, befas, ata harrojnë gjithçka dhe përvetësojnë ligjërimin e atyre që ata akuzojnë dhe dënojnë në jetën e tyre profesionale? Gjithkush e përfytyron sallën ku mblidhen këta përfaqësues të lartë të mbrojtjes së ligjit në Shqipëri, si një vend të zymtë, të errët, me njerëz që flasin me një gjuhë të përpunuar thellë, si një areal ku zotëron më së shumti heshtja dhe zymtësia, sepse argumentet me të cilat ata merren janë ato që kanë të bëjnë me ndalimin dhe frenimin e së keqes në një shoqëri. Në përfytyrimin e përgjithshëm ata janë engjëjt mbrojtës të Republikës dhe përfytyrohen gjithmonë në anën e së mirës. Mirëpo, befas, dy përfaqësuesit më të lartë të këtij institucioni ligjor shndërrohen në dy aktorë të një drame qesharake dhe bëhen objekt i ndeshjes trup me trup. Media dhe opinioni nuk i kushtoi shumë rëndësi këtij fenomeni dhe analizat e këtyre ditëve patën si objekt argumente të tjera. Mund të ketë disa shpjegime për këtë mospërfillje, por mua më duket se në kulturën shqiptare po triumfon komunikimi emocional dhe zgjidhja e mosmarrëveshjeve përmes gjuhës së luftës në rrafshin politik dhe eliminimit të kundërshtarit me anë të dhunës fizike, jo përmes fjalës. Në kulturën urbane kjo është një normë e përgjithshme, por të mendosh se ajo po triumfon edhe në debatet juridike, madje po shfaqet edhe atje ku ligjërimi është një kod që nuk lejon asnjë interpretim emocional, kjo vërtet që është një dramë e jashtëzakonshme. Ka pak rëndësi nëse prokurorët u qëlluan me grushte apo jo, ka pak rëndësi nëse ata debatuan me zë të lartë në prani të Prokurorit të Përgjithshëm. Ajo që nuk mund të falet dhe ajo që na poshtëron të gjithëve është teatri banal që krijuan prokurorët e Republikës në institucionin e tyre më të lartë. Nga ky institucion u prodhua një lajm, ai i ndeshjes trup me trup, pra prokurorët e Republikës lanë mënjanë fjalët dhe rrëmbyen grushtet. Pikërisht për të ndaluar këtë zhvillim primitiv të shoqërisë njerëzore janë ndërtuar institucionet e shtrëngimit ligjor. Po, në një vend ku prokurorët zgjedhin të përdorin grushtet në vend të fjalëve, çfarë fati mund të kenë banorët e atij vendi?

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button