Ndrydhja e erotikës
Intervistë me shkrimtarin dhe përkthyesin Edmond Tupja
George Bataille e shihte erotizmin pas viteve 1800 si dhembjen më të skajshme…?
Po, veçse atë e përkufizonte si afirmim të jetës deri brenda vdekjes.
Te një tjetër libër i tij, “Madame Eduarda”, ai shkruan se fshehja e erotikës është fillimi i vuajtjes së gjatë njerëzore?
Po, sepse, shoqëria njerëzore kishte arritur një stad të tillë ku gjithçka – morali i asaj kohe, sidomos feja, institucioni i familjes, mënyra e jetesës, shkolla e të tjera institucione – bënte çmos për ta ndrydhur erotizmin, pra, seksualitetin si të vetmin mjet për t’i shpëtuar, qoftë edhe për disa çaste, realitetit shtypës.
Lidhja e erotizmit me letërsinë është aq e vjetër sa edhe shpikja e librit, megjithatë kjo gjendje vazhdon të shihet si e ndaluar…?
Sot, në vendet e zhvilluara, erotizmit nuk i mohohet më vendi në letërsi dhe në art; atje, kudo, ka libra e filma erotikë, spektakle erotike, muzikë e balet modern ku spikatin qartë tendenca erotike ose erotizuese etj. Kurse në vendet e botës së tretë me regjime diktatoriale, autoritariste, në ato ku pushteti dhe feja janë ende
në një aleancë të shenjtë, erotizmi dhe seksualiteti shtypen.
Erotizmi është mendim?
Si përkufizim, erotizmi është gjithçka që ka lidhje me dashurinë fizike, me epshin dhe kënaqësinë seksuale. Por me atë si nocion janë marrë gjatë e gjerë prej kohësh poetët, shkrimtarët, mendimtarët, filozofët, psikiatrit dhe psikanalistët, ndër këta të fundit le të kujtojmë Frojdin dhe revolucionin e psikanalizës në fund të shekullit XIX dhe në shekullin XX.
Letërsia shqipe është shembulli i fshehjes së erotizmit, çfarë ka sjellë kjo për letërsinë tonë?
Ka sjellë, si në kohën e pushtimit osman, ashtu edhe pas shpalljes së pavarësisë së vendit, por edhe gjatë regjimit komunist gjithashtu, tabu, ndrydhje, frenim, neurozë, hipokrizi sociale, padrejtësi ndaj femrës kryesisht, persekutim të mashkullit. Shikoni pasojat e kësaj gjendjeje edhe sot: në Fjalorin e gjuhës shqipe (Tiranë, 2006) të Akademisë së Shkencave, nuk figuron emri “eros”, ndërkohë që ai është një nga pikënisjet e psikanalizës si parim veprues dhe simbol i epshit, që çliron libidon si energji; mbiemri “erotik” përkufizohet vagëllimthi me fjalët “që i këndon dashurisë”; emri “erotikë” përkufizohet si “tërësia e krijimeve që synojnë të ngjallin dëshirën dashurore”, ndërsa emri “erotizëm” përkufizohet thjesht me dy fjalë si “ndjenjë erotike”, pra, siç shihet qartë, anashkalohen fjalët “epsh” dhe “kënaqësi seksuale”. Madje, sa për ta ngacmuar lexuesin, edhe fjala “prezervativ”, që s’ka më ndonjë ngarkesë erotike të theksuar, është përjashtuar nga ky fjalor.
Ju konsideroheni si një ndër shkrimtarët e parë erotikë shqiptarë, kam parasysh edhe hartimin e fjalorit erotik… Si ka ndodhur qasja juaj drejt erotikës?
Qëndrimi im për gjashtë vjet si student në Francë, liria atje për të folur e shkruar hapur për erotizmin, leximi i shumë librave, frekuentimi i spektakleve moderne, vizitat në muze erotike ose kontakti me sex-shop-et, zbulimi i fjalorëve erotikë, më shtynë vetvetiu të mendoja që një ditë ose një tjetër, herët a vonë, edhe në Shqipëri do të botoheshin më në fund fjalorë e libra erotikë, që dashurisë nuk do t’i këndohej vetëm nga mesi e lart. Rrjedhimisht, këtë ëndërr e bëra realitet në vitin 2004 duke botuar te shtëpia botuese “Ora” të parin fjalor erotik të gjuhës shqipe, i cili është ribotuar nga shtëpia botuese “Edfa” në vitin 2010. Më tej kam botuat një vëllim me tregime erotike, një novelë erotike, një libër me proza të shkurtra erotike dhe një pseudoroman me temë erotike, si edhe kam përkthyer bashkë me Alket Çanin dy vëllime nga krijimtaria letrare e Georges Baitaille-it.
Libri i parë erotik që ju ka tronditur?
Romani “Dekameroni” i Boccaccio-s.
– Një personazh i një libri të tillë që ju ka mbetur në mendje?
Personazhet femra sidomos, pavarësisht se nuk u mbaj mend emrat.
– A ka kufi midis erosit dhe filozofisë?
Jo, mendoj se nuk ka: Filozofia merret, ndër të tjera, edhe me erosin, me erotizmin që nuk është thjesht seksualitet, sepse seksualiteti lidhet me riprodhimin dhe vazhdimësinë e racës te kafshët me veprimtari gjinore dhe te njerëzit, kurse erotizmi karakterizon vetëm këta të fundit, të cilët kënaqësinë që jep akti seksual me synim riprodhimin dhe vazhdimësinë e racës, e bënë qëllim më vete, pra e kthyen në kënaqësi erotike, këtë nënvizon pikërisht Georges Bataille-i te libri i tij “Erotizmi”, i sjellë në gjuhën shqipe nga Orgest Azizi.
Komunizmi e ndrydhi erosin apo e ndryshoi atë?
Sigurisht që e ndrydhi, por edhe nëse bëri çmos që ta ndryshonte, vetëm sa e përçudnoi, sepse kënaqësia erotike e bën njeriun të jetojë çastin, të harrojë, qoftë edhe për disa minuta, objektivat e normat ideologjike të diktaturës, kufijtë e rreptë moralistë që ajo vendos, madje diktatura komuniste edhe masturbimin e konsideronte si herezi, si devijim, pa folur për bashkëjetesën e lirë të çifteve, për homoseksualitetin, le që edhe beqarinë e zgjatur nuk e shihte me sy të mirë.