Ndryshimet e taksës shtojnë barrën mbi familjet; Çmimi i pronave, i deformuar nga pastrimi i parave
Ekspertët për çështjet e pushtetit vendor dhe ekonomisë vlerësojnë se projektligji për ndryshimin e mënyrës së taksimit të pasurive të paluajtshme do të ketë ndikim me rritje në barrën fiskale të qytetarëve.
Drejtori Ekzekutiv i Institutit për Bashkitë e Shqipërisë, Agron Haxhimali, vlerëson se reforma, në tërësi, pritet të sjellë rritje të detyrimit tatimor, pasi ndryshon njëkohësisht baza dhe shkalla e taksimit, duke kaluar nga një sistem i pjesshëm drejt taksimit mbi vlerën e përafërt të tregut të pronës.
Sipas tij, ndikimi nuk do të jetë i njëjtë për të gjithë qytetarët.
“Rritja nuk do të jetë e njëjtë për të gjithë. Banesa e parë përfiton zbritje deri në 50% të vlerës, brenda pragjeve të përcaktuara sipas bashkive; ndërsa për familjet me ndihmë ekonomike dhe kategori të caktuara pensionistësh parashikohen përjashtime.
Megjithatë, për pronat në zonat me vlera të larta, për banesat e dyta, truallin dhe pronat tregtare, barra ka shumë gjasa të rritet ndjeshëm.
Duhet theksuar se sistemi i ri për ndërtesat parashikohet të nisë nga viti 2029 dhe për parcelat nga viti 2031; pra sot nuk mund të jepet një faturë e saktë për çdo familje pa hartat e vlerës, metodologjinë e vlerësimit dhe vendimet konkrete të këshillave bashkiakë.
Por theksoj se taksimi bazuar mbi vlerën e tregut është më i drejti- sigurisht kur zbatohet drejtë”.
Zoti Haxhimali argumenton se taksimi mbi bazën e vlerës së tregut është, në parim, modeli më i drejtë, me kusht që të zbatohet në mënyrë korrekte dhe transparente.
Ai thekson se sfida kryesore nuk lidhet vetëm me formulën e re të taksimit, por edhe me kapacitetet administrative të bashkive për ta zbatuar atë. Sipas tij, të ardhurat nga taksa mbi pasuritë e paluajtshme në Shqipëri përbëjnë vetëm 0.27% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, niveli më i ulët në rajon dhe ndër vendet e Bashkimit Europian.
Në këtë kuadër, ai vëren se bashkitë kanë kapacitete të ndryshme administrative, regjistra të paplotë të pronave dhe nivele të ndryshme të formalizimit të tyre.
Krijimi i Kadastrës Fiskale dhe i Drejtorisë së Përgjithshme të Taksës së Pasurisë konsiderohet një hap pozitiv, por ai nënvizon se reforma nuk mund të jetë e suksesshme pa investime në regjistrin e pronave, shkëmbimin e të dhënave ndërinstitucionale, digjitalizimin e shërbimeve dhe forcimin e kapaciteteve të administratës vendore.
Eksperti i ekonomisë Zef Preçi thotë se rritja e taksës mbi pasuritë e paluajtshme duhet të vijë vetëm pasi të jenë adresuar problemet strukturore të tregut dhe të administrimit të pronës.
“Çmimet e pasurive të paluajtshme janë deformuar nga ndikimi i parave me origjinë të paligjshme dhe nga zhvillimi urban i pakontrolluar. Bazimi i taksës mbi këto çmime rrezikon të legjitimojë këto deformime.
Krahasimet me vendet e rajonit nuk janë të plota nëse nuk krahasohen edhe cilësia e shërbimeve publike dhe infrastruktura që u ofrohet qytetarëve.
Procesi i regjistrimit të pronave nuk ka përfunduar, duke krijuar padrejtësi, pasi barrën fiskale e mbajnë kryesisht qytetarët që respektojnë ligjin. Përparësi duhet të jetë zgjerimi i bazës së tatimpaguesve dhe jo rritja e barrës për ata që tashmë paguajnë.
Tregu i pasurive të paluajtshme kërkon formalizim më të madh dhe monitorim më të rreptë, për të luftuar evazionin fiskal, pastrimin e parave dhe transaksionet e fshehura përmes pagesave cash ose përdorimit të personave të tretë (“prestanome”).
Është e domosdoshme hartimi i një harte të re dhe objektive të vlerës së pronave, për të shmangur padrejtësitë dhe pabarazitë në taksim.
Ndryshimet fiskale duhet të marrin në konsideratë kontributin e emigrantëve, të cilët kanë financuar një pjesë të konsiderueshme të fondit të banesave dhe ndërtesave të biznesit në vend. Rritja e taksës mund të ketë ndikim disproporcional mbi familjet me të ardhura të ulëta që zotërojnë banesa në zona me vlera të larta të pronës, edhe pse të ardhurat e tyre nuk janë rritur.
Rritja e taksës mbi pronat e dhëna me qira ka gjasa të transferohet te qiramarrësit përmes rritjes së qirasë, duke prekur edhe qytetarët që nuk zotërojnë pasuri të paluajtshme”, thotë ai.
Përveç ndryshimeve të taksës së ndërtesës për banim dhe aktivitet tregtar projektligji parashikon ndryshime në llogaritjen e detyrimit për taksën e trojeve dhe tokës bujqësore. Edhe për këto kategori të pasurive të paluajtshme detyrimi do të llogaritet mbi vlerën e tregut.
Zbatimi pritet të nisë nga viti 2030. Kalimi nga një sistem taksimi i bazuar në sipërfaqe për tokën, në një sistem taksimi të bazuar në vlerën e tregut, mund të rrisë barrën tatimore. Për këtë arsye, neni 31 përcakton aplikimin e një zbritje nga vlera e vlerësuar e parcelës që i nënshtrohet taksimit, në dy vitet e para tatimore, duke filluar nga viti i vendosjes së taksës së bazuar mbi vlerën e tregut për parcelat.
Zbritja do të jetë e barabartë me 50% të vlerës së vlerësuar të parcelës.
Lexoni edhe:
Deri në dyfishim taksash për 3 milionë ndërtesa për banim, shembujt



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.