Ndryshimet në ligjin “Për Gjykatën e Lartë”, nis shqyrtimi në komision
Nisma ligjore e mazhorancës për të ndryshuar ligjin “Për Gjykatën e Lartë” dhe që synon të zhbllokojë emërimin e gjyqtarëve në këtë gjykatë, do të nisë të shqyrtohet të hënën në Komisionin Parlamentar të Ligjeve.
Rrëzimi i njëpasnjëshëm nga Kuvendi i kandidaturave të propozuara nga Presidenti, është pasuar tashmë me hartimin e një pr/ligji, i inicuar nga katër deputetë të shumicës, të cilët sugjerojnë ngritjen e një trupe këshillimore pranë Presidentit të Republikës, që do të quhet Këshilli për Emërimet në Gjykatën e Lartë.
Ky Këshill rekomandohet të ketë në përbërjen e tij kryetarin e Gjykatës së Lartë, kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, ministrin e Drejtësisë, Prokurorin e Përgjithshëm, nënkryetarin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, kryetarin e Dhomës Kombëtare të Avokatisë dhe një anëtar të Gjykatës së Lartë.
Ndryshimet ligjore propozojnë që kjo strukturë do të bëjë vlerësimin e kandidaturave dhe në bazë të raportit të saj, presidenti do të jetë ai që do të bëjë përzgjedhjen. Sipas nismëtarëve, qëllimi i ngritjes së kësaj trupe këshillimore pranë Presidentit, me përfaqësues të gjyqësorit, është ulja e ndikimit politik në procesin e dekretimit të kandidatëve për anëtarë të Gjykatës së Lartë.
Deri tani, mazhoranca e majtë i ka rrëzuar presidentit çdo dekret për emërimet në Gjykatën e Lartë, duke e cilësuar procesin jo transparent dhe shumë subjektiv, gjë që ka çuar në mbajtjen vakante të tre vendeve në këtë institucion.
Ligji “Për Gjykatën e Lartë” është ndryshuar për herë të fundit më 30 maj 2013 kur në pushtet ishte Partia Demokratike. Miratimi i tij në atë kohë ishte një nga tre kushtet e vendosura nga Brukseli që Shqipëria të merrte statusin e vendit kandidat në BE.