Ndryshimi i kufirit të pronës, procedurat dhe dokumentet që duhet të dorëzojnë aplikantët
Të gjithë qytetarët që duan të ndryshojnë kufirin e pronës së tyre, mund të përgatisnin dokumentet ligjore për aplikim. Në portalin “e-Albania” shpjegohen procedurat që duhet të ndjekin qytetarët ku më tej thuhet se:
“Ky shërbim elektronik u vjen në ndihmë qytetarëve që të dërgojnë një aplikim për ndryshim kufiri shoqëruar me aktet apo dokumentet ligjorë (akte noteriale, vendime gjykate etj). Pas dërgimit të aplikimit drejt ZRPP-së, ai do të procesohet nga specialisti i ZRPP-së dhe në varësi të informacionit. Kthimi i përgjigjes dhe i materialeve të kërkuara nga kërkuesi kryhet nëpërmjet informimit me e-mail, dërgimit të përgjigjes elektronike tek “Dokumentet e mia” në profilin e qytetarit në e-Albania, si dhe me shërbim postar nëse qytetari kërkon përgjigjen në format letër. Kërkesa për kryerjen e një shërbimi nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZRPP), në zbatim të Ligjit Nr. 33/2012 bëhet nga kërkuesi, vetë ose nëpërmjet përfaqësuesit të tij, noterit apo asistentit të noterit. Pranë Zyrave të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme funksionon Regjistri Elektronik i përpunimit të kërkesave, i cili garanton trajtimin e praktikave sipas radhës së paraqitjes së kërkesave. Minimalisht, në regjistër regjistrohen numri i kërkesës, data e paraqitjes dhe data e përfundimit të afatit për trajtim, sipas rendit kronologjik”,thuhet në njoftim.
Çdo qytetar që kërkon këtë shërbim do të pajiset me një numër identifikimi për kërkesën edhe me kodin e sigurisë me anë të të cilëve mund ta verifikojë trajtimin e kërkesës. “ Kërkuesi, që paraqet një kërkesë për kryerjen e një shërbimi nga ZRPP, pajiset me një numër identifikimi të kërkesës dhe Kodin e Sigurisë, me anë të të cilëve mund të verifikojë gjendjen e trajtimit të kërkesës së tij. Kthimi i përgjigjes elektronike dhe i materialeve të kërkuara nga kërkuesi kryhet nëpërmjet dërgimit tek “Dokumentet e mia” në e-Albania dhe informimit me e-mail për shkarkimin e përgjigjes elektronike. Gjithashtu nëse qytetari dëshiron përgjigjen në format letër, e merr nëpërmjet shërbimit postar. Çdo tarifë për shërbimin në ZRPP, paguhet në llogarinë bankare të Zyrës së Regjistrimit”, thuhet në njoftim, raporton Scan.
Dokumentacioni i nevojshëm
Të gjithë kandidatët duhet të dorëzojnë disa dokumente për procedurën e ndryshimit të kufijve. Konkretisht, aplikantët duhet të dorëzojnë:
– Dokument identifikimi i përdoruesit: Kartë Identiteti ose pasaportë biometrike (i nevojshëm për t’u loguar në portalin e-Albania)
– Kërkesë me shkrim nga i interesuari (e skanuar) ku përfshihen të dhënat e nevojshme për identifikimin e pasurisë
– Dokument pronësie
– Planrilevimi
– Deklaratë noteriale e kufitarëve
– Vërtetimi i ndryshimit të kufirit i lëshuar nga autoritetet e pushtetit vendor ose nga subjekti shtetëror qe e ka në administrim
Hapat e procedurës
– Identifikohuni si qytetar ose si biznes në portal
– Zgjidhni shërbimin “Ndryshim kufiri”
– Klikoni butonin “Përdor”
– Plotësoni formularin elektronik me të dhënat e nevojshme mbi Zyrën vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, mbi pronën, mbi shërbimin/shërbimet e kërkuara dhe taksat e nevojshme.
– Klikoni butonin “Dërgo” në faqen e fundit të formularit.
– Shkarkoni mandatpagesën me të cilën mund të paraqiteni në bankë për të kryer pagesën e nevojshme.
– Punonjësi i ZRPP-së proceson kërkesën e ardhur dhe në varësi të vendimit që merret i kthen përgjigje me e-mail aplikuesit, me URL-në e shkarkimit të përgjigjes elektronike të ruajtur tek “Dokumentet e mia” në e-Albania, ose me njoftimin e arsyes së refuzimit.
Sipas portalit e-Albania koha e nevojshme për të marrë shërbimin është 15 ditë.