Në 3 muaj, 45 makina u trafikuan në Shqipëri! (Vjet, 234 raste) Skema e vjedhjes në Europë dhe kalimi në kufi
Një makinë luksoze “Mercedes Benz AMG G63”, që kap vlerën e 250 mijë eurove, rezultoi të ishte e vjedhur në Gjermani. Një hetim i Antitrafikut të Tiranës mundi të zbulojë rastin, për të cilin u shpall në kërkim një 34-vjeçar që dyshohet se e solli brenda vendit me qëllim shitjen.
Si ky rast, janë me dhjetëra të zbuluara nga policia. Vetëm gjatë 3 muajve të parë të vitit 2026 janë 45 raste makinash dhe mjetesh të tjera motorike të trafikuara.
Të dhënat e Policisë së Shtetit flasin për 234 raste në total përgjatë vitit që lamë pas. Numrin më të lartë e kanë muajt janar, prill dhe korrik 2025, përkatësisht me 29, 26 dhe 24 raste.
Kodi Penal në Shqipëri për këtë vepër është relativisht i rëndë, pasi e rrezikon nga 3 deri në 7 vjet burg trafikantin. Kur kryhet në bashkëpunim dhe që sjellë pasoja të rënda, rrezikon nga 5 deri në 15 vjet burg.
Ekzistojnë disa mënyra për vjedhjen e makinave luksoze në vendet e BE dhe jo vetëm, me qëllim sjelljen në vendit tonë, kryesisht për t’i shitur. Ndër më të përdorurat është një pajisje që përforcon sinjalin e çelësit të makinës, duke mashtruar mjetin sikur pronari është pranë dhe në këtë formë ajo hapet. Mënyrë tjetër është krijimi apo klonimi i një çelësi të ri në pak sekonda, përmes hakerimit të sistemit të makinës.
Mënyra e tretë dhe më e zakonshmja është marrja me qira e makinave super luksoze dhe sjellja e tyre brenda vendit. Kryesisht raportohen si të vjedhura vetëm pasi dalin nga kufijtë e BE-së. Por edhe këtu prapa fshihet një skemë mjaft komplekse. Kryesisht, rrjetet kriminale që kanë qëllim vjedhjen e makinave, nuk i marrin me qira në emrin e tyre. Për këtë rekrutohen të rinj, ose të moshuar, që janë të pastër para ligjit. Pasi i marrin makinat me dokumentet e tyre, ua dorëzojnë grupit, përgjithësisht kundrejt pagesës. Disa ditë më vonë, kur makina të ketë mbërritur në Shqipëri, bëjnë denoncim sikur makina është vjedhur, që vetë të dalin të pastër.
Për të kaluar në doganë dhe që më pas të regjistrohet dhe targohet, kryesisht bëhen dokumente të falsifikuara, që duken si origjinale, nga certifikata e pronësisë deri te fatura e blerjes. Për të hyrë në tokën shqiptare, nuk mund të rrezikojnë për t’i kaluar me targat origjinale pasi mund të jenë shpallur në kërkim, ndërsa zakonisht vijnë me kamion transporti të përziera me makina të rregullta. Volumi i madh i hyrjeve në pikat kufitare, sidomos në port, e vështirëson kontrollin në detaje për çdo mjet.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.