Në Berat, shpirti bën rehat
Dikur tregohej si histori se, çupat që martoheshin larg Beratit, kur vinin tek prindërit, nisnin t’u lotonin sytë nga malli sapo shikonin Kalanë. Dhe sikurse historia përsëritet, këtë ndjesi e ka cdo beratas, që rikthehet në qytet ku vërteton shprehjen e vjetër qytetare: “Në Berat, bën rehat”.
Një nga mijëra emigrantë beratas, e thotë bukur: “sa herë rikthehesh, edhe pse nuk sheh më fytyrat e njohura dikur e mund të ecësh nga fillimi në fund pa përshendetur askëend, me banorët që kanë ngelur tek kënaqesia e xhiros së darkës nga Turizmi tek Bab Duda, ndjen se je në shtëpi. Edhe pse nuk e ndan dot kohën kur jetuam në Berat nëse ishim apo jo të lumtur, të paktën ishim ngrohtë, se ishim “në shtëpi”. Berati është ajo shtëpi, që nuk e gjetëm dot më, sido që shkuam drejt metropoleve …”. Se me mallin, rri bashkë dhe kujtesa, mbetur bukurish si Kalaja, Mangalemi, Gorica, që mahnisin cdo turist, po aq sa dhe mrekullitë përqark qytetit, ku natyra e ka mbajtur me “hatër” perimetrin e tij. Një grup gazetarësh nga Kosova teksa vizitojnë Muzeun “Onufri” në Kala, ndihen mirë sepse njohin më shumë për tokën mëmë, aq shumë të ndarë. “Kjo mrekulli të lë pa gojë, edhe pse gjen plehra, po si kudo”, shpreh Marku, një shkodran tek Muzeu “Onufri” në Kala entuziamin për takimin me një kulturë të plotë dhe aq me shumicë në Berat, po aq dhe pakënaqësinë. Për beratasin qytetar, mësuar me ato rrugicat e pastra të lagjeve, asgjë nuk justifikon pamjen me mbeturina rrëzë kështjellës, në disa rrugica, apo nën pishat diku më poshtë. Sikurse lagjet e reja, mbirë si “kërpudhat pas shiut” mbi varrezat e Dëshmorëve, apo mbi agjencinë e vjetër, tek-tuk edhe nëpër lagje, ku njeri në paligjshmëri kanë ndërtuar sipas kokës së vet, dëshmi të papërgjegjshmërish të pushtetit vendor, që as mbrojti tokën e pakët në qytet, as detyroi arkitekturë urbane, që të lidhte harmonishëm bukurinë madhështore të lagjeve të vjetra shekullore.
Turizëm kulturor edhe me histori familjesh qytetare
Pozicioni gjeografik “si xhep” i Beratit, mosveprimi i pushteteve në këto 23 vjet, i ka tejlodhur beratasit autoktonë, që kanë nisur vitt e fundit të mendojnë mbijetesën me turizmin. Deri tani gati 30 banesa të vjetra qindravjecare në Kala, Mangalem dhe Goricë, pronarët i kanë kthyer në hotele familjare, ku tradita gërsheton bukur gurin, drurin, familjet. Këtu turisti nuk befasohet thjeshtë nga dhomat me baxha, apo mbështur në shkemb, sic janë në Mangalem disa shtëpi-hotel si “Kodikët”, “Guva”, “Vruho”, “Osumi”, qerasjet me liko dhe lëng trandafili, tradita të vjetra qytetare, por përballet me histori familjesh të hershme gati mistike. Lorenc Pushi ka kthyer në hotel familjar në Goricë banesën e vet 500-vjecare, ndërtuar së pari nga familja pasanike arbëreshe Kapedani, aty hyri nuse një motra e Kostandin Kristoforidhit, i cili jetoi dhe vetë aty një farë kohe dhe para një shekulli u ble nga firmëtari i Pavarësisë, Dhimitër Tutulani, aty lindën Margarita dhe Kristaq Tutulani e më pas godina u ble nga familja Pushi. Lorenci tregon me pasion në oborrin mbuluar me pemë dhe lule plot histori familjesh goricare dhe ti futesh në një botë historike mistike avokatësh, mësues, emigrantësh të parë, që vijnë nga Mesjeta, deri sot. Edhe Kalaja, Gorica, Mangalemi, por dhe lagje të tjera mesjetare me vijushmëri jete si Celepias, Vakëf, Përrua afrojnë aq shumë histori. Hotel Restoranti i Tomi Mihos, në të ngjitur të Kalasë, është pjesë e sarajeve ndërtuar në shek XVIII nga Ahmet Kurt Pasha, ku muret e Portës së Pashait janë ndërtuar me kolonadat e Apolonisë. Sot mjaft banesa të vjetra janë shitur tek të tjerë, por në Berat, ndryshe nga qytetet, pronari i ri e njeh historinë e pronës që ka në dorë dhe tregon me respekt. Ja që kështu ndodh në Berat, ndaj aty historitë vijojnë të tregohen gojë pas goje.
Tek “Pasarela” vec gatimit, shijohet kenga beratase
Migena Dura Hoxha me të shoqin drejtojnë prej 10 vitesh hotel- restorantin e tyre “Pasarela” në qëndër të qytetit, deri sot i vetmi ku këndohet kënga qytetare beratase nga Ajet Caushi. “Sot ka një turist kureshtar dhe ende jo elitar, sic duhet të jetë në Berat”, shprehet Migena, që i qëndron punës në kokë nga mëngjesi, në mesnatë. E diplomuar për marketing Turistik ndihet keq nga cilësia ende e ulët në paraqitjen e qytetit tek turistët nga zyra e informacionit, apo anglishtja e ciceronëve. Prej dy vitesh Migena ka shtuar 11 dhoma hoteli dhe aty gjen përditë grupe të vogla turistësh, që duan ta shijojnë natën në Berat, guzhinën tipike beratase dhe këngën qytetare. “Gatimi ka mbetur në traditën e gjysheve, këtu kjo është mënyja e parë për turistët si tava e baltës, tava me zogun me lëng, perimet e shumëllojshme, gatuar sipas traditës, tavat, gjellët, gatuar me vajin e ullirit të Bilcës, që rregullon shijen”, shton Migena. Për të produkti vendas është problem, që lidhet me prodhuesin direkt: “fermerët thonë se janë BIO, por sot, pas 23 vitesh, fara vendase ka humbur, ndërsa ofertë-kerkesa në tregu nuk ecën dot zinxhir. Por ka mbetur bulmeti dhe mishi, që janë me shijë sepse malësia përreth ka kullota të mira, pa ndotje, ndaj nënproduktet ruajnë ende shijen, që duhet ruajtur patjetër”.Vetë është blerëse e rregullt e likove, që prej disa vitesh një grup grash beratase përgatisin dhe marketojnë dhe ua servir turistëve në mengjes: “i marr tek një nikoqire beratase, Margalina Goxhomani, e cila me shumë pasion dhe dashuri bën likotë sipas stinës dhe ka kthyer shtëpinë në një shkollë të vërtetë të tyre”. Migenës I pëlqen politika që ka nisur qeveria për shkollat profesionale pasi mendon se punimet artizanale beratse duhet të zhvillohen më tej, sikurse dhe gdhendja në dru dhe gur që po ringrihen. Në Berat kapacitet pritëse turistike janë ende të pakta përballë një fluksi ditor mesatarisht 80 autobuza me turistë vendas e të huaj edhe pse janë dhe disa hotele me më shumë dhoma si “Muzaka” në Goricë, “Gega”, “Berat City” me një hotel të ri tek ish kombinati i tekstileve e në ndërtim dhe disa të tjerë. Por ende mungon organizimi i tregut turistik: “akoma nuk jemi mbledhur bashkë për të krijuar një shoqatë hotelerike beratase ku të vendosim ca pika të përbashkëta zhvillimi. Kjo do jetë me interes, se Berati di të presë mikun, “që e le në qoshe, pa e bërë zot shtëpije”. Në Berat bën rehat, kjo nuk është shenjë inferioriteti, përkundrazi, një butësi, që e sjell historia e zhvillimit të qytetit ndër shekuj, që mirëpriste udhëtarët me hanet e dikurshme”, shprehet pronarja e Pasarela-s, Migena Dura. Tradionale janë gatimet tek lokali I vogël i Koco Plakut në Kala, ku asnjë beratas nuk mund të ikë nga Berati pa shkuar aty.Po kaq kënaqësi ndjen edhe kur fle aty në shtëpinë e Kristaq Simsisë. Shpejt beratasit do hyjnë në garë me njeri tjetrin në këto fusha, ndofta dhe me këngën. Të zgjedhur në shijet e tyre, për beratasit kjo përbën dobësinë se përse kënga qytetare nuk këndohet në cdo lokal. Këngëtarja beratase Ludmilla Baballëku e jep përgjigjen:”Këtu nuk këndohet më si dikur, se qytetarët janë larguar më së shumti dhe ata janë që j’a dinë vlerën këngës qytetare. Por duhet ndryshim sepse cdokush që vjen këtu, duhet të njohë vec artit, edhe këngën, një identitet më vete në Berat”. Në pishinën e vetme që ndodhet në kompleksin shkollor “I. Ngjeqari”, të njëjtën përgjigje jep dhe sipërmarrja Resmije Ngjeqari: “kam ftuar disa herë këngëtarë, por beratasit rrinë ftohtë”, tregon ajo. Por beratasit e dinë mirë se e para duhet të jetë kengaqytetare, se përse duhet duartrokitur miku që nukdi të këndojë qyetin?,qesh një miku im kur diskutojmë për këtë temë.
Shpresa e ringritjes: Berati ka nevojë për qytetarinë
Qindra familje ikën në 97-tën nga Berati për t’ua lënë vendin të ardhurve nga zonat rurale përreth, ku përshtatja do maturinë e vet, por beratasit nuk durojnë më. Se çdo parti, që importon njerez në politikë aty, pa qytetarin vendas, i ka fyer beratasit, se cdo i ardhur përdor postin pa njohur njerëzit dhe rrugët e zhvillimit në qytet dhe kjo përbën të keqen më të madhe për ta. Përgjatë viteve, ndonëse banesat në lagjet karakteristike mund të ktheheshin me kohë në hotele familjare, ku cdo familje beratase nëse siguron pak financim, e garanton kthimin e dy dhe tre dhomave për turistët, munguan projektet konkrete nga Bashkia, qarku apo prefektura. Kërkesa në rritje për të blerë banesa në lagjet karakteristike nga arkitektë, inxhinierë, piktorë e së fundi dhe politikanë, ka nxitur shpirtin mbrojtës beratas për të mos e braktisur qytetin, apo të tjerë që po shikojnë rikthimin aty. Ndihen të lodhur beratasit, mosbesues se asgjë e re nuk ndodh në qyte, ku punët ecin ngadalë si punimet në Bulevardin Republika dhe Sheshin « Teodor Muzaka’, që u mbaroi afati. Kritikë për gurin që po shtrohet në bulevard, ndofta të mësuar me gurin e bardhë shkëlqyes të kalldrëmeve, ndihen keq që guri i bukur i malësive përreth eksportohet në Europë. Për këtë projekt, Fondacion Shqiptar Amerikan për Zhvillim financon 1,8 miliardë lekë. Së fundi kryeministri Edi Rama në Berat vizitoi punimet në këtë bulevard ku kërkoi të njihet me cilësinë e materialit që po përdoret dhe njoftoi nisjen së shpejti të dy projekteve të reja, parkun e ri dhe rrugën e lumit. Pas 9 vitesh sot Bashkia ka planin rregullues dhe menaxhim të territorit urban, që përfshin statusin e Beratit si pjesë e trashëgimisë kulturore botërore UNESCO, menaxhimin e Qendrës Historike, zgjerim i vijës administrative, rrugë të reja, Unazën e re, rehabilitimin e shtratin të lumit Osum, zgjerim të hapësirave të gjelbra, disa lulishte të reja, prishjen e gjithë ndërtimeve pa leje, etj. Në Berat u prezantuan disa projekte si Unaza e re, sistemimi i lumit Osum, restaurimi i fasadave të qytetit, rijetëzimi i Akropolit në Kala, restaurimi i sheshit të Harmonisë Fetare, restaurimi i ish-merkatos etj. Ndërsa restaurimet e Monumenteve janë përqëndruar tashmë tek Xhamia Mbret, pjesë e kompleksit të Qendrës Mesjetare, ndërtuar nga Sulltan Bajaziti II në shekullin e XV. “Ka vetёm njё “kasafortё” qё ta ruajё Beratin: njё legjislacion i shkruar dhe i zbatuar. Ҫelёsin e ruajtjes apo kodin e hapjes sё saj le ta “varin” atje, tek Shën Triadha apo Shën Mëhilli, se kёshtu, vandalёt, qё vodhёn ikonat dhe vlerat e qytetёrimit tonё dhe i shitёn nёpёr botё, nuk do tё guxojnё tё afrohen pёrsёri. keqbёrёsit nuk zhbёhen nga duart e ligjit, por nga tё njerёzve tё edukuar me ligj. Atje ku flet ligji, flet qytetёrimi, hesht barbaria. “Askush nuk ka obligimin e shenjtё tё zbatojё ligjin, mё shumё se ata qё e hartojnё “, shkruante Sofokliu”, gjykon beratasja Nadia Xheblati, që sot jeton në Nju Jork. Mimoza Os Kuscly, beratase që jeton në Paris mendon se turizmi në Berat sot ka shumë vlera ende të panjohura, por nevojitet publicitet promocional i fuqishëm dhe njerëz që ta njohin dhe duan qytetin me pasion. “Sa herë vij sjell ide dhe sivjet projekti im lidhet me të ardhmen, ku turizmi mbetet prioritet, por duhet zhvilluar me gjithë anekset plotësuese. Transporti është kryesori që e cliron qytetin nga një mankth. Mot do sjell një grup francezësh, që do të befasohen nga qëndra ku qendrojnë bashkë një kishë dhe xhami, rrallë gjendet në botë. Berati i vjetër, kishat, xhamitë, bashkëjetesa e mrekullueshme fetare që të huajt e kanë këshëri për të kuptuar pse-në, lagjet, prodhimet artizanale aq të mira, likotë, qendisjet, punimet në dru nëse do ringrihen, beratasit do të fitojnë 10 fish. Është koha që beratasit të bëhen më luftarakë, të mos presin nga bota, por të ringrejnë veten për t’ja servirur vlerat qytetit. Po punoj për të bërë një binjakëzim të bashkisë ku jetoj në kurorën e Parisit, sepse duan të lidhen me një qytet që të jetë 100 km larg metropolit dhe të ketë një lum, që konsiderohet jetë, gjallërim. Osumi këtu në Berat ka nevojë urgjente për rregullim dhe pse jo, të mund futen dhe anijet e vogla shëtitëse. Të gjitha këto shërbime kthehen në të ardhura për qytetin, se Berati ka pasuri ende të pavlerësuar ».