Në duart e një feministeje
Ledi Mary Wortley Montagu, gruaja që frymëzoi shkrimtarë dhe studiues të shkruanin mbi sekretet e Perandorisë Otomane. Cynthia J. Lowenthal, Isobel Grundy, Diane Long Hoeveler, Jeffrey Cass, Jason Goodwin, Dennis Dennis Charles Washburn etj., i shkruan librat e tyre të frymëzuar nga letra e saj drejtuar Sulltan Abdul. Vajza e haremit që vritet te libri “Pema e Jeniçerëve” është një shqiptare
Jason Goodwin, i cili tashmë po botohet i plotë në shqip nga botimet “Saras”, ka dhënë një kontribut në njohjen e historisë së marrëdhënieve mes shqiptarëve dhe Portës së Lartë, falë letrave të kësaj gruaje.
Nga Alda Bardhyli
“Do t’i duhej të dëgjonte psherëtimat e vajzës, e cila më pas, ashtu e druajtur, do ta çirrte lehtë në kofshë e kraharor dhe më në fund do t’ia shkrepte të qarit. I gjithë haremi do t’i hidhte vështrime qortuese për gati një muaj rresht. Priste që vajza të vinte nga çasti në çast, ndaj duhej bërë një plan. Ndoshta do të ishte më mirë sikur t’i hipte ajo përsipër, sepse, me thënë të drejtën, ai ishte mjaft i shëndoshë dhe nuk donte që të lëndohej njeri. Ah, sikur në vend të saj të flinte me Fatimen, së cilës i pëlqente të llastohej si fëmijë dhe do ta fërkonte edhe nga këmbët!…”. Kështu e përshkruan Jason Goodwin, pritjen e ëmbël të Sulltan Mahmuti II, që në shtratin e mbuluar me atllaz, të vinte sllavja e tij e preferuar në librin “Pema e Jeniçerëve” botuar nga botimet “Saras”. I humbur në ëndrra erotike ai do të tronditet thellë kur mëson se vasha me flokët e gjatë të zinj kishte vdekur. Askush nuk mund ta ndalë tashmë zemërimin e sulltanit, i cili i prekur në zemër do ta gjejë shpëtimin vetëm në gjetjen e vrasësit dhe kjo është detyrë e detektivit Jashim, personazhit të tij kryesor. Jason Goodwin është frymëzuar për këtë pasazh nga një ngjarje e vërtetë. Që në joshjen e parë të tij ndaj historisë, ai do të qëndronte me orë të tëra duke lexuar e rilexuar letrat dhe shënimet e aristokrates dhe shkrimtares angleze, Mary Wortley Montagu. Kjo grua që i pëlqente të shkruante letra, ishte bashkëshortja e ambasadorit britanik në Stamboll në kohën e Sulltan Abdul Hamidit. E ndjeshme ndaj çështjes së grave ajo ngriti zërin ndaj vrasjeve të vajzave në haremin e sulltanit. Ajo është autore e shkrimit të famshëm të cilit i referohen ende studiuesit e feminizmit “Gratë nuk janë inferiore”. Sipas shënimeve të lëna prej saj, një prej vajzave të helmuara, e preferuara e sulltanit ishte shqiptare. Mary i shkroi një letër sulltan Abdulit, ku i kërkoi të rriste sigurinë për haremin. Përgjigjja që mori ishte se “dy të preferuarat konkabine, (skllave të Haremit) dhe një shqiptare e preferuar kryesore e Sulltanit u gjetën të helmuara për motive xhelozie”. Lajmi u publikua nga gazeta “Globe”, e cila shkruante se vrasja e vajzës shqiptare që ishte e preferuara e sulltanit, kishte bërë të merreshin masa të rrepta sigurie. Mary i shkroi dhe disa autoriteteve të tjera mbi këtë ngjarje ku kërkoi të ndërhyhej për siguri në harem.
Pas letrës së shkruar nga Lady Mary Wortley Montagu, vetë Sulltan Abdul Hamidi u detyrua të lëshonte më shumë pe në lidhje me jetën dhe sigurinë e Haremit, ndaj ai kërkonte që ato të kishin më shumë kënaqësi. Lidhur me këtë ai thuhet se kishte gati dhe një ligj, që ato që ishin të preferuarat e tij dhe që nuk kishin arsye shtatzënie, pra trashëgimie, t’u sigurohej një jetë e lirë, e përkujdesur jashtë mureve të Haremit. Letra e Mary Wortley dhe shënimet e saj nga Stambolli, përpjekjet e saj në shkrime që gratë të mos ishin inferiore ndaj burrave, kanë qenë frymëzuese për shumë shkrimtarë dhe studiues. Interesant është dhe udhëtimi i saj nëpër Ballkan dhe shënimet që ka lënë për Shqipërinë. Faik Konica e përmban emrin e anglezes në librin “Shqipëria kopshti shkëmbor i Europës Juglindore” në kapitullin për fetë, ku shkruan: “Kjo grua fisnike, bijë e dukës së Kingstonit dhe e shoqja e Eduard Wortley Montagu-së (i cili në vitin 1716 ishte emëruar ambasador i Britanisë së Madhe në Stamboll) shkroi, më datën 1 prill 1717: “Nga të gjitha fetë që kam parë, ajo e shqiptarëve (arnautëve) më duket më e veçanta. Janë nga Arnautliçi, Maqedonia e lashtë dhe deri në ditët tona i kanë ruajtur guximin e trimërinë e lashtë. Janë ushtarët më të mirë të Perandorisë Otomane dhe i vetmi fre për jeniçerët. Ky popull, që jeton në mes të të krishterëve dhe muhamedanëve, pa hyrë në grindje me ta, deklaron se nuk është në gjendje të gjykojë se cila fe është më e mira, por, për të qenë më afër së vërtetës, ata me urtësi i ndjekin të dyja besimet, duke shkuar të premteve në xhami dhe të dielave në kishë. Si justifikim për këto thonë se në Ditën e Gjyqit (Ditën e Kiametit) do të gjenden nën mbrojtjen e Profetit të vërtetë, por cili vallë është i vërteti, ata nuk janë në gjendje ta përcaktojnë në këtë botë. Nuk besoj të gjendet mbi dhé një racë tjetër njerëzore që të tregohet kaq modeste për aftësitë e veta”. Konica e quan gabim shprehjen e Montagu-së, që sipas tij i ngatërron shqiptarët me një sekt fetar. “Gabim që është vënë në lojë nga komentuesit dhe që e ka burimin te shkujdesja për një letër familjare, del e qartë se autorja, me gjithë zgjuarsinë e saj të shkëlqyeshme dhe të famshme, nuk e kishte kapur dot humorin e atyre që e kishin informuar në atë mënyrë. Atë që i treguan asaj ata ushtarë mund ta dëgjosh edhe sot, orë e çast në Shqipëri: kjo është një mënyrë ironike dhe moskokëçarëse, më tepër një “cliché”, që e përdorin shqiptarët për t’u dredhuar kontradiktave fetare”, shkruan ai. Por në shekullin e tetëmbëdhjetë Ledi Meri kishte kredi të lartë, dhe kur u botuan letrat e saj, pas vdekjes, u bënë menjëherë një vepër klasike. Lord Bajroni, që i kishte lexuar ato, nuk u përpoq t’i hetonte më thellë prirjet fetare të shqiptarëve, por e përmblodhi mendimin e vet në këto fjalë: “Grekët nuk i shikojnë ata si të krishterë, kurse turqit nuk i shikojnë si myslimanë; dhe në të vërtetë, ata janë një përzierje e të dyjave, dhe nganjëherë as njëra, as tjetra”. Në librin “Identiteti shqiptar” Bernd Fisher dhe Stephanie Schwandner-Sievers shkruajnë se “Lady Mary Wortley Montagu, komentet e saj i bëri nga Stambolli në vitin 1717, ku ngriti lart edhe rolin e truprojave shqiptare që e shoqëruan atë në vizitën e saj në Ballkan”. Një studiuese tjetër, Donald Sultana, shkruan se Mary Wortley Montagu kishte shfaqur hapur interesa shqiptare që nga koha kur ajo qëndroi rezidente në Kostandinopojë. Cynthia J. Lowenthal, Isobel Grundy, Diane Long Hoeveler, Jeffrey Cass, Jason Goodwin, Dennis Dennis Charles Washburn, A. Kevin Reinhart dhe mjaft të tjerë nëpërmjet letrës së Lady Mary Wortley Montagu, kanë trajtuar në kënde të ndryshme figurën shqiptare, apo perandorinë otomane. Jason Goodwin, i cili tashmë po botohet i plotë në shqip nga botimet “Saras”, ka dhënë një kontribut në njohjen e historisë së marrëdhënieve mes shqiptarëve dhe Portës së Lartë, falë letrave të kësaj gruaje. Teksa ruhej nga një atentat i mundshëm ndaj saj, për shkak të shkrimeve të guximshme, ajo zgjodhi shqiptarët si besnikët dhe trimat për ta shoqëruar në udhëtimin e saj në Ballkan. Ky fakt është frymëzues dhe ndihet dhe në librat e Goodwin, i cili nuk harron në vërë në pah këtë karakteristikë të shqiptarëve, në të gjithë librat e tij.