Në Hënë ka ujë, e kanë çuar asteroidet
Rreth 50% e ujit është çuar në Hënë nga asteroidet, deri në 20% nga kometat dhe maksimumi 5% e ka origjinën nga materialet tokësore. Ndërkohë për sasinë e mbetur të lëndës, 25%, nuk ka asnjë hipotezë se si është formuar aty
Kur në vitet ’70 u bënë analizat e para të kampioneve të shkëmbinjve të sjellë në Tokë nga astronautët e misionit “Apollo”, u krijua ideja te shkencëtarët se uji nuk ekzistonte fare në satelitin e planetit tonë.
Por tani së fundmi, falë teknologjive të reja, u zbulua që uji është i pranishëm edhe në Hënë.
Uji mendohet se është i përqendruar pjesërisht në polet e Hënës, brenda disa kratereve të cilat nuk janë arritur kurrë nga drita e Diellit, si dhe pjesërisht në brendësi të shkëmbinjve.
Aktualisht, një kërkim i publikuar në “Nature Communications” rindërton historinë e ujit në satelitin e Tokës. Ai vjen nga asteroidet në pjesën më të madhe dhe nga kometat, të cilat e kanë bombarduar Hënën gjatë rrjedhës së historisë në qindra miliona vite.
“Kur flitet për prani të ujit në Hënë nuk duhet menduar për liqene të mëdha”, shpjegon Roman Tartese, kërkues në Institucionin e Mineralogjisë të Muzeut të Historisë Natyrore franceze dhe bashkautor i këtij studimi. “Nga sasia e ujit që ne kemi gjetur në kampionet e shkëmbinjve nga misioni ‘Apollo’ mund të vlerësohet se uji i cili ndodhet brenda shkëmbinjve hënorë, shkon rreth 1 milion miliardë tonelata. Duket shumë por në përqindje, ekuivalenti i saj është 100 pjesë për milionë.
Ky ujë nuk është në gjendje të lëngshme apo të ngurtë, por i bllokuar në brendësi të mineraleve dhe në formë hidroksilesh (OH).
“Ndërkohë në sipërfaqe, mund të jetë rreth 1 miliard tonë, mjaftueshëm për të mbushur rreth 1 milion pishina olimpike”, përfundon Tartese.
Grupi i kërkimit më pas kreu ekuacione matematikore komplekse me të dhënat e marra nga kampionët e shkëmbinjve hënorë dhe arriti në përfundimin, që pjesa më e madhe e këtij uji ka shkuar në Hënë, përgjatë hapësirës kohore 200 milionë vjeçare.
Në atë kohë, sipërfaqja e Hënës vlonte nga magmat, rreth 4.3 miliardë vite më parë, e transportuar nga asteroidet. Ndërkohë që kometat kanë kontribuuar sidomos për ujin që ndodhet në sipërfaqe të Hënës (në formën e akullit të ngurtë) dhe në sasi jo më të madhe sesa 20 përqindëshi i totalit.
Por një pjesë e këtij uji mund të jetë me origjinë tokësore. Hëna duket se është formuar nga përplasja me tokën e një asteroidi të madh sa planeti Mars, në një ngjarje që shkëputi një pjesë të madhe të planetit tonë, përfshirë edhe ujin, dhe sapo përfundoi në orbitë, u transformua dhe u kthye në Hënën tonë.