“Në mungesë të plotë të kushteve higjienike” – ndalohen 200 kg mish për dyner në Glloboçicë – evitohet rreziku i për shëndetin publik
Dogana e Kosovës ka bërë të ditur se mbrëmë rreth orës 18:20, në Pikëkalimin Kufitar Glloboçicë, në hyrje të vendit, zyrtarët doganorë kanë ndaluar për kontroll një automjet udhëtarësh, ndërkaq edhe pse drejtuesi i automjetit ka deklaruar se nuk posedonte asgjë për të paraqitur para autoriteteve, pas kontrollit të hollësishëm të mjetit u zbuluan 10 copë rollne dyneri me peshë nga 20 kg secila, në një sasi totale prej rreth 200 kg dhe me vlerë të përafërt prej 800 eurosh.
Dogana thekson se përtej tentativës për shmangie të detyrimeve dhe taksave doganore, ky rast paraqet një shqetësim të lartë për sigurinë ushqimore.
“Sasia e mishit po transportohej në një automjet të zakonshëm udhëtarësh, në mungesë të plotë të kushteve higjienike dhe pa temperaturë adekuate (pa frigorifer), duke synuar kështu edhe shmangien e kontrollit të domosdoshëm sanitar nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV)”, thuhet në njoftim.
Dogana thekson se hyrja e produkteve të tilla jashtë çdo standardi të transportit dhe pa kontroll profesional përbën një rrezik potencialisht të lartë për shëndetin, ku nga kjo sasi mishi mund të prekeshin me mijëra qytetarë.
“Malli është sekuestruar menjëherë dhe do t’i nënshtrohet trajtimit të mëtejshëm ligjor për të siguruar neutralizimin e plotë të rrezikut, ndërsa ndaj palës ka filluar procedura kundërvajtëse.
Dogana e Kosovës u bën apel të gjithë qytetarëve dhe bizneseve që të shmangin me çdo kusht aktivitetet biznesore joformale dhe kontrabandën. Mosnënshtrimi ndaj kontrolleve të parapara të sigurisë sjell pasoja të paparashikueshme për shëndetin publik, si dhe ndëshkime të rënda penale dhe administrative për të gjithë ata që shkelin ligjin e sigurisë ushqimore”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.