Në shkurt u rritën importet dhe u thellua defiçiti tregtar
Importet në rritje për shumë grupe mallrash, sikurse janë produktet ushqimore, si dhe eksportet që kanë pësuar lëkundje në grupe të ndryshme kanë ndikuar në rritjen e defiçitit tregtar, i cili prej vitit 2000 njeh vetëm rritje.
Në muajin shkurt defiçiti tregtar arriti në vlerën 21 miliardë lekë, duke u rritur me 10,9 % krahasuar me shkurtin 2014 dhe 20,0 % në krahasim me janarin 2015.
Sipas INSTAT, në muajin shkurt importet e mallrave arritën vlerën 39 miliardë lekë, duke u ulur me 1,1 % në krahasim me shkurtin 2014 dhe duke u rritur 10,0 % në krahasim me janarin 2015, ku ndikimin kryesor e dhanë ato për energjinë, mineralet, metalet, etj. Kështu, rënie vjetore sipas peshës që zë çdo grup në importet, pësuan importet e grupeve: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me 37,3 % dhe “Materiale ndërtimi dhe metale” me 8,9 %.
Rritje më të madhe vjetore, sipas peshës që zë çdo grup në importet gjithsej, kanë pasur importet e grupeve: “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me 15,8%,“Ushqime, pije, duhan” 15,4 % dhe “Produkte kimike dhe plastike” 10,6 %.