Nga: NDRIÇIM KULLA
Trashëgimia artistike e një piktori të madh dhe punëshumë si Kodra, nuk mund të mos jetë e shpërndarë gjithandej. Ai ka lënë 6000 vepra dhe vetëm më pak se gjysma e tyre janë të regjistruara.
Më tërheq shumë shkrimi i librave biografikë për personalitetet e shquar shqiptarë të fushave të ndryshme, dhe e kam provuar në dy raste këtë zhanër. Por akoma jo me një piktor. Nëse do ta kisha bërë, ky do të kishte qenë padyshim Ibrahim Kodra. Kjo për arsye se më tërheq shumë vepra e tij, por edhe jeta e tij. Kam parë aq shumë piktura të tij sa kam mundur, qoftë origjinale qoftë fotografi të tyre. Kam lexuar kujtimet e tij.
Jeta e tij është si një roman ku jeta e personazhit kryesor ecën si në një përrallë të bukur. Sa shanse mund të kishte që një djalë shqiptar nga katundi Ishëm në Shqipërinë e Mesme dhe i ardhur në kryeqytet si konviktor, të mund të shkonte në Europë që të studionte për të zhvilluar talentin e tij të rrallë prej piktori? Asnjë! Përveçse nëse kishte një rastësi fatlume. Në rastin e Ibrahim Kodrës rastësia fatlume ishte ndërhyrja e Mbretëreshës së re të Shqipërisë. Geraldina I erdhi dhe qëndroi në Shqipëri më pak se një vit. Gjatë kësaj kohe ajo i dha një bursë një djali 20-vjeçar të quajtur Ibrahim Kodra, që ky të studionte në Akademinë e Arteve të Bukura në Romë.
Dhe rastësia fatlume këtu ishte që mbretëresha, një aristokrate europiane që kishte shije për pikturën, pa sprovat e piktorit të ri dhe e kuptoi talentin e tij. Do të mjaftonte ky gjest i mbretëreshës në atë kohë të shkurtër që qëndroi në Shqipëri, që ajo të quhet se e ka kryer më së miri detyrën e saj ndaj vendit dhe kombit me të cilin u lidh me anë të martesës. Sepse mbretëresha bëri të mundur që një shqiptar të hyjë në elitën e pikturës botërore të shekullit XX.
Pak vjet më vonë pas mbretëreshës, edhe Kodra nuk mund të shkelte më në atdheun e tij në Shqipëri. Në rastin e Kodrës për arsye se stili i tij i pikturës konsiderohej dekadencë borgjeze në Shqipërinë komuniste. Kubizmi dhe postkubizmi, ato degë të pikturës që lëvronte kodra shaheshin rëndë nga kritika zyrtare e artit në kohën e komunizmit në Shqipëri. Fakti që Kodra ishte bërë i famshëm në Europë dhe në botë, që ishte miku i njerëzve të shquar të artit, nuk kishte rëndësi fare për regjimin komunist. Pothuajse të gjithë të mëdhenjtë e artit që e çmonin Maestro Kodrën ishin të anatemuar nga regjimi komunist. Kodra ftohej të hapte ekspozita në Beograd, por nuk mund të vinte në Tiranë!
E megjithatë Mjeshtri nuk u ftoh kurrë me atdheun e tij! Ai e mbajti flamurin shqiptar mbi kokën e krevatit në dhomën e gjumit. Vepra e tij “Shqipëria fantastike” tregon se sa e gjallë ishte Shqipëria tek ai, se sa fort e përjetonte ai Shqipërinë, si një realitet shumëngjyrësh, të tillë që nuk e përjetonin me siguri as ata që jetonin atje.
Miqtë e tij do ta çmonin kryeveprën e Ibrahim Kodrës dhe kritika do të qëndronte sidomos në vijat e fshehta, në atë që nuk dukej dhe do të kumtonin vijat e epshit dhe të talljes së lehtë. Do ta shikonin në kënde të fshehtë dhe në dritë jo të bollshme për të mos u reflektuar asgjë, do ta mbanin nëpër duar dhe do t’ia numëronin në të gjitha anët. Jo, nuk qe e turpshme as dhe poshtëruese ta shikoje atdheun tënd kaq lakuriq. Nuk do t’i shqitej nga kujtesa dhe gjithkujt kështu do t’i rrënjosej. Aty, kushdo, sado pak i vëmendshëm do të gjente sy shumë të mëdhenj, dallgë deti në një rrëmujë të bukur që jetonin fare pa kujdes që i mbanin të fshehura pjesët e kurmit të kolmë, duke shprehur vetëm aromë gruaje, që jepet, diçka ndezulluese ngopur me dritë hëne, një gjë veçanërisht trullosëse, që herë shihej duke vdekur dhe pastaj ngjallej edhe më e fortë, një vend që nuk kish qenë kurrë e lehtë të humbiste.
Shumë njerëz të mëdhenj të kohës së tij gjetën bashkëbiseduesin e këndshëm te djali nga Ishmi i formuar në akademitë dhe sallonet europiane. Ai vetë thotë pa u mburrur me miqësitë që kishte bërë: «Kam këmbyer opinione dhe humor me Alberto Moravian, Lorenc Olivierin, Franko Xefirelin, Euxhenio Montalen, Dino Buxatin dhe Xhuzepe Ungaretin».
Është e thjeshtë ta kategorizosh atë si lëvrues të abstraksionizmit, kubizmit e rrymave të ngjashme, por të gjitha këto kategorizime që kanë lidhje me gjeometrinë e sjellë në art, në fund të fundit, nuk na thonë ndonjë gjë për të veçantën e tij si piktor, nëse nuk depërtohet te gjeometria e shpirtit të tij. Këtë e ka bërë kritiku italian Francesco Carbone në «Kodra – ditë pas dite», ku shkruan:
“Lirizmi i vendosur dhe magjia e ngjeshur, por edhe vërtetësia e një drame antike dhe, në mënyrë moderne e konfliktuale njëkohësisht: Kodra ‘ikonathyes’ në fillim, dhe “ikoadhurues” më pas, pra rindërtues pamjesh të besuara përmes lojës së hollë të një gjeometrie ironike dhe lirike në të njëjtën kohë”.
Në veprën e madhe e të ndritshme të Kodrës ka shumë dritë, ka një gjë krejt të veçantë, ka patjetër diçka sensuale, që shfaqet papritur, që lë shenjë dhe po befas zhduket, ose të paktën syri i zakonshëm nuk e gjen dot. Ç’të jetë vallë ky ngacmim? Dhe vizitori para veprës së tij rri e vështron dhe e ka të vështirë të komentojë, është si të thuash duarbosh para saj. Ibrahim Kodrës thoshte vetë piktori i madh dukej se i mbushej studioja kurdoherë me flutura. Madje me flutura të mëdha, që shkundnin prush. A do të ishte e mundur? Por në penelin e tij gjithçka ishte e mundur. Dy të kundërta më të fuqishme, zbrazur te ngjyrat dhe totemi i tij i pavdekshëm: mëmëdheu! Me të dhe vendlindjen ishte bërë një pakt i heshtur. Sikur të ishim marrë vesh prej kohësh… Ai konsiderohet një nga përfaqësuesit më të mëdhenj të brezit të ri të piktorëve italianë. Paul Eluard dhe Marcel Marceau kanë shkruar për të dhe veprat e tij. Në pikturat e këtij piktori ka një takim lirik të gjeometrisë dhe lirizmit. Mbizotëron ngjyra e kaltër që luan në të gjitha nuancat dhe që përbën pjesë themelore të rezultatit shprehës.
“Humorizmi i lehtë është një lloj mënyre naive me të cilën ai trajton subjektet e tij që të bëjnë të kujtosh Kleenë…” shkruan Hans Kinkel, kritik gjerman.
Trashëgimia artistike e një piktori të madh dhe punëshumë si Kodra, nuk mund të mos jetë e shpërndarë gjithandej. Ai ka lënë 6000 vepra dhe vetëm më pak se gjysma e tyre janë të regjistruara. Një pjesë e veprës së tij zotërohet nga koleksionistë shqiptarë në botë dhe në Shqipëri. Ing. Kozma Dashi në Fier dhe Jashar Arrëza në Durrës janë koleksionistët më të mëdhenj në Shqipëri me veprat e Ibrahim Kodrës, me shpirtin e tij lënë trashëgim vendit të tij. Nuk kam asnjë peng tjetër përveç Shqipërisë, thoshte ai, edhe diku në një nga librat e parë, prej dorës së z. Abdulla Tafa, poeti që arriti të bëjë intervistën-libër me Maestro Kodrën, ose me lëndën e grumbulluar nga poetit milanez Sebastiano Graso. Ndërkaq shfletoj Albumin e Madh që po përgatit Xhevair Lleshi dhe Fatos Faslliu, Jashar Arrëza dhe ing. Kozma Dashi e që do të jetë një vepër padyshim e bukur. Dhe këtu gjej rastin të përshëndes Institutin e Edukimit e të Trashëgimisë që drejton z. Xhevair Lleshi, i lidhur aq ngushtë në këtë 100-vjetor me kremtimet e 100-vjetorit të lindjes së piktorit të madh. Viti 2018 çelet me një kalendar të veprës së tij.
Kodra nuk u kthye dot në Shqipëri kur iu bë e mundur të udhëtonte në atdhe. Ndoshta për shkak të ndjeshmërisë së tij të madhe si artist trembej se mos takimi me atdheun pas kaq kohësh do të ishte diçka e papërballueshme në moshën që kishte ai aq më tepër duke pasur parasysh ato që kishte dëgjuar për të. Ai kishte ruajtur në mendje një imazh të idealizuar të atdheut të tij. Ja, lexoni këtë pasazh: «Në kohën e ekspozitave në Kosovë, një miku im, kritik arti më tha: «Mjeshtër, ç’është kjo e kuqe kështu? As e Ticianit, as e El Grekos, as akordi ulëritës i së kuqes foviste të Matisit». Iu përgjigja se e kisha marrë nga flakërimi i lulëkuqeve të fëmijërisë. Ecja përmes grunjërash me lulëkuqe të purpurta në Ishmin e dashur të fëmijërisë sime dhe kisha përshtypjen se fluturoja nëpër galaksi. I shtrydhja fletëzat dhe në pëllëmbë mbaja vetë diellin e kuqëluar. Mbaja mbrëmjen e purpuruar të Ishmit brenda së cilës të dukej se ishe brenda një kaleidoskopi».
Ja, ky është Kodra, postkubisti i fundit, ai që edhe firmën e kishte vepër arti, sipas Pikasos.