Politika

Negociatat PD-PS, sot dorëzohen dokumentet për Komision Hetimor

 Mazhoranca dhe opozita do të takohen sot me njëra-tjetrën për të diskutuar propozimet konkrete të secilës palë dhe për të dorëzuar dokumente të shkruara për zgjidhjen e krizës. Tashmë e gjithë çështja ka mbetur pothuajse në një pikë të vetme, si do të merren materialet e votimit. PD kërkon që KQZ të hapë kutitë dhe materialet zgjedhore t’i dërgojë në Arkivin e Shtetit dhe që aty mund t’i marrë Komisioni Hetimor. Kjo kundërshtohet nga PS, e cila kërkon që materialet t’i marrë direkt nga kutitë dhe që kutitë të mos preken më parë. Për këtë pikë u zhvilluan edhe dy takimet në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Katër juristët, Fatmir Xhafaj e Damian Gjiknuri, për PS-në dhe Ilir Rusmali e Viktor Gumi për PD-në u mblodhën dy herë, por duke arritur një marrëveshje vetëm për dy pikat e para. Mbledhja e parë u zhvillua në orën 00:40 dhe mbaroi pas orës 02:00. Edhe pse palët arritën marrëveshje për pikën 2 dhe 3, nuk arritën që të bien dakot për pikën e tretë të projektvendimit për materialet zgjedhore. Ndërprerja e dytë ishte në orën 03:15, por edhe këtë herë marrëveshja nuk u arrit. Në orën 5:20 seanca plenare mbylli punimet me vendimin se do të mblidhet sërish ditën e hënë në mëngjes. Por, sipas të gjitha gjasave, edhe dita e hënë do të shënojë një dështim të negociatave. Deri më tani janë zhvilluar dhjetëra takime ku janë shkëmbyer ide e dokumente, por sërish çështja kthehet në pikën e nisjes dhe komisioni hetimor nuk ngrihet. 
***
Pas dështimit të negociatave të mëngjesit të djeshëm, PD dhe PS kanë vendosur që t’i japin edhe katër ditë kohë njëra-tjetrës. Duke shpresuar që data 27 dhjetor të shënojë edhe arritjen e marrëveshjes, dy forcat politike, në draftet e përgatitura prej tyre, do të japin opsionet konkrete se si mund të zgjidhet çështja e materialeve zgjedhore, të cilat janë të parashikuara në pikën e katërt të projektvendimit. Gjatë ditës së djeshme, përfaqësuesit e dy partive kanë shkëmbyer mesazhe të shumta për gjetjen e konsensusit. Socialistët duan që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të vendosë në dispozicion të Komisionit Hetimor që do të ngrihet të gjitha materialet zgjedhore duke përjashtuar fletët e votimit për të cilën mazhoranca është e prerë për të mos e pranuar. “Hetimi i shkeljeve, objekt i veprimtarisë së këtij komisioni (për sa lejon Ligji Nr. 8891, datë 02.05.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit”) do të bazohet në materialet, dokumentet ose provat që kërkohen të administrohen për qëllime hetimore, përjashto fletët e votimit që gjenden në kutitë e fletëve të votimit në kuptim të nenit 119, pika 3 të Kodit Zgjedhor. Procesi i hetimit do të përfshijë administrimin e të gjithë dokumentacionit zgjedhor që përfshihet në kutitë e materialeve zgjedhore të cilat ngarkohet KQZ t’i ruajë dhe t’i vendosë në dispozicion të Komisionit Hetimor të Kuvendit në kohën, vendin dhe mënyrën e përcaktuar prej Komisionit Hetimor të Kuvendit” thuhet në projektvendimin e PS-së. 
***
Është pikërisht kjo pikë, e cila i mban palët larg në arritjen e një marrëveshjeje për ngritjen e komisionit për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit 2009. Nga e djathta mësohet se demokratët nuk tërhiqen nga pretendimi i tyre për zbatimin e nenit 178, sipas të cilit dokumentet origjinale i dërgohen KQZ-së brenda 3 muajve nga shpallja e rezultateve të zgjedhjeve dhe se ky institucion mban një kopje dhe ia dërgon dokumentet origjinale Arkivit Qendror të Shtetit, në mënyrën e kërkuar prej tij dhe brenda 24 muajve pas shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve. Ndërsa për socialistët, siç edhe janë shprehur gjatë takimeve të sotme, është e papranueshme. Sipas PS-së, zgjidhja është gjetja e një klauzole ligjore, e cila nuk do të pengojë Komisionin Hetimor në marrjen në shqyrtim të materialeve zgjedhore.

Negociatorët e PD-së dhe PS-së kanë zhvilluar dy takime në orët e para të mëngjesit (00:40 -02:00 dhe 03:20-04:40) duke gjetur zgjidhje vetëm për dy pika. Takimet janë bërë në një nga zyrat e Parlamentit teksa deputetët e tjerë prisnin në sallë.

Negociatat mes PS-së dhe PD-së kanë mbetur vetëm në pikët e materialeve të votimit. Mazhoranca kërkon që materialet të dërgohen në arkiv dhe PS t’i marrë aty. Opozita kërkon që materialet t’i marrë direkt nga KQZ-ja pa përfshirë institucione të tjera.

Kuvendi i ka lënë katër ditë kohë grupeve negociatore për të gjetur zgjidhjen e kësaj pike. Dje, negociatorët kanë shkëmbyer mesazhe, ndërsa sot do të zhvillohet takimi ku do dorëzohen dokumentet konkrete.

Juristët e PS-së 
Vetëm një ditë para takimit PD-PS, ku palët do të shkëmbejnë dokumente konkrete, të gjithë juristët e PS-së, anëtarë të Komisionit të Ligjeve, zhvilluan një mbledhje për të diskutuar për pretendimet dhe propozimet e demokratëve. Mbledhja është drejtuar nga Sekretari për Çështjet Ligjore në selinë rozë, Fatmir Xhafaj. Gjatë mbledhjes, deputetët shkëmbyen pikëpamjet për propozimet për zgjidhje që opozita do t’i paraqesë sot demokratëve për arritjen e marrëveshjes që do t’i jepte fund krizës politike.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button