Kronika

I plagosuri që ‘u zhduk’ tek Rruga e Kavajës, i dënuar për trafik femrash bashkë me të atin

Shënjestra e sulmit të djeshëm në Rrugën e Kavajës në Tiranë ishte një 34-vjeçar, i identifikuar si Nelgert Astrit Pata. Sipas policisë, në drejtim të Patës u qëllua njëherë me pistoletë, por 34-vjeçari arriti të shpëtonte, pasi plumbi i kaloi pranë veshit dhe vetëm e lëndoi lehtë. Pas ngjarjes, Nelgert Pata u largua në këmbë dhe nuk u paraqit në asnjë spital për ndihmë mjekësore. Policia arriti të identifikonte Patën dhe po punon për kapjen e tij.

Mësohet se në vitin 2009, Nelgert Pata dhe babai i tij rezultojnë të jenë dënuar me 31 vite burg dhe 13 milionë lekë gjobë nga Gjykata e Krimeve të Rënda për trafik femrash për qëllime prostitucioni. Babë e bir, Nelgert dhe Astrit Pata u shpallën fajtorë për shfrytëzimin e të paktën dy femrave. Ndërsa për shfrytëzimin e një shtetaseje me emrin Brunilda, e paidentifikuar, gjykata e shpalli të pafajshëm të riun Nelgert Pata, për mungesë provash dhe faktesh.

Astrit Pata dhe i biri Nelgerti u arrestuan në vitin 2006, vetëm pak ditë pasi nga shteti norvegjez kishte mbërritur një letër- porosi, ku një shtetase me emrin Silvana Kalemi i akuzonte për trafikim dhe shfrytëzim prostitucioni. Gruaja rrëfente se ishte mashtruar nga Astrit Pata për martesë dhe fillimisht e kishte dërguar në Greqi. Më pas, Nelgert Pata e kishte trafikuar drejt Norvegjisë.

Për të marrë dëshminë e të shfrytëzuarës Kalemi, një trup gjykues i Gjykatës së Krimeve të Rënda mbërriti në shtetin norvegjez, ku gjatë përballjes me vajzën u vunë në dijeni të shumë fakteve kriminale.

Babë e bir janë akuzuar se në tetor të vitit 2005-ës kanë trafikuar një tjetër femër. Ajo quhet Albiona Ndreca dhe kishte një fëmijë të vogël. Dy të pandehurit Pata nuk i kanë pranuar akuzat e prokurorisë, duke pretenduar se nuk kanë lidhje me asnjë rast të trafikimit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button