Tiranë 16°C · Pjesërisht vranët 17 April 2026
S&P 500 7,126 ▲1.2%
DOW 49,447 ▲1.79%
NASDAQ 24,468 ▲1.52%
NAFTA 84.00 ▼7.86%
ARI 4,849 ▲0.85%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1778 EUR/GBP 0.8705 EUR/CHF 0.9229 EUR/ALL 95.7934 EUR/MKD 61.6950 EUR/RSD 117.3999 EUR/TRY 52.7894 EUR/JPY 187.51 EUR/CAD 1.6152 EUR/USD 1.1778 EUR/GBP 0.8705 EUR/CHF 0.9229 EUR/ALL 95.7934 EUR/MKD 61.6950 EUR/RSD 117.3999 EUR/TRY 52.7894 EUR/JPY 187.51 EUR/CAD 1.6152
₿ CRYPTO
BTC $77,315 ▲ +3.12% ETH $2,421 ▲ +3.44% XRP $1.4793 ▲ +1.98% SOL $88.9000 ▼ -0.02%
S&P 500 7,126 ▲1.2 % DOW 49,447 ▲1.79 % NASDAQ 24,468 ▲1.52 % NAFTA 84.00 ▼7.86 % ARI 4,849 ▲0.85 % S&P 500 7,126 ▲1.2 % DOW 49,447 ▲1.79 % NASDAQ 24,468 ▲1.52 % NAFTA 84.00 ▼7.86 % ARI 4,849 ▲0.85 %
EUR/USD 1.1778 EUR/GBP 0.8705 EUR/CHF 0.9229 EUR/ALL 95.7934 EUR/MKD 61.6950 EUR/RSD 117.3999 EUR/TRY 52.7894 EUR/JPY 187.51 EUR/CAD 1.6152 EUR/USD 1.1778 EUR/GBP 0.8705 EUR/CHF 0.9229 EUR/ALL 95.7934 EUR/MKD 61.6950 EUR/RSD 117.3999 EUR/TRY 52.7894 EUR/JPY 187.51 EUR/CAD 1.6152
17 Apr 2026
Breaking
Opinion

Nëse Adriatik Llalla ka fuqi të “ringjallë” Gjykatën e Lartë!

Alfred Peza

Beteja politike e radhës e ka fokusuar gjithë vëmendjen e opinionit publik dhe atij mediatik, për një kauzë që ka sjellë një përplasje të re të opozitës me mazhorancën. E ndërkohë që “vetëtimat” dhe “bubullimat” po shkarkohen me tërsëllima në njërën anë të “qytetit”, ashtu si në realitetin e botës së krimit të organizuar, mafia me siguri është duke kalkuluar me gjakftohtësi, ekzekutimin e një krimi akoma edhe më të madh, në anën e kundërt të saj.

Vetëm kështu ndoshta mund të shpjegohet ajo që duket se po ndodh këto ditë në Tiranë, kur ish Kryeprokurori i Republikës Adriatik Llalla, ka hedhur një hap “tinzar” jashtë vëmendjes publike, për ti shpëtuar ndëshkimit ligjor për “korrupsionin në nivelet galopante ku është përfshirë gjatë kryerjes së detyrës”. E për të cilën ndaj tij, janë ngritur zyrtarisht akuzat nga më të rëndat, përfshirë edhe atë të pastrimit të parave të pista me prejardhje të natyrës kriminale.

Ish Ambasadori i SHBA Donald Lu në daljen e fundit televizive në Tiranë, tha dy javë më parë se i është kërkuar drejtësisë shqiptare që të kufizojë lëvizjet e Adriatik Llallës, nëpërmjet bllokimit të pasaportës “diplomatike”, në mënyrë që të mos i iki procesit penal duke iu larguar ndëshkimit të drejtësisë. Ish Kryeprokurorit i është ndaluar familjarisht hyrja në SHBA dhe është cilësuar prej saj, si një ndër njerëzit kryesorë që ka penguar reformën e drejtësisë në Shqipëri. E atëherë kur priten hapa të tjerë ligjorë në drejtim të tij, Adriatik Llalla duket se ka bërë një manovër për të dalë nga “çarku” i ndëshkimit, ku po endet i pashpresë prej muajsh.

Sipas një raporti mediatik, Gjykata e Lartë ka pranuar rekursin për pronat e sekuestruara të Adriatik Llallës në vlera marramendase të vendosura gjatë kohës që ushtronte funksionet publike, në një mbledhje në dhomën e këshillimit, pas kërkesës së depozituar pak kohë më parë nga avokati i tij mbrojtës. Ai e bazon kërkesën e tij në nenin 6 të Konventës Europiane (me siguri mund të jetë konsultuar për këtë me ish vartësen e tij të preferuar Rovena Gashi) duke u ankuar se ndaj tij, është zhvilluar një proces i parregullt ligjor në Apelin e Krimeve të Rënda.

Në seancën gjyqësore të 9 gushtit, megjithëse ishin të njoftuar nominalisht dhe publikisht, as avokati dhe as vetë Llalla nuk u paraqitën në sallë. Sipas kodit të procedurës, gjyqtari i çështjes në mungesë të palës së paditur, ka kërkuar asistencën e një avokati tjetër për të dhënë vendimin. Pikërisht këtë moment të krijuar me sa duket artificialisht me koshiencë, ish Prokurori i Përgjithshëm po mundohet që ta shfrytëzojë procedurialisht, për të çliruar listën e pafund të pronave të patundshme që i janë bllokuar deri në përfundim të hetimeve e gjykimit të çështjes ndaj tij.

Ka kohë që sirenat e politikës opozitare dhe mediave pranë tyre, këndojnë për pasojat e vettingut në sistemin e drejtësisë shqiptare, këngën e fundit të mjelmave. Pas Gjykatës Kushtetuese që është paralizuar në mungesë të një numri të pamjaftueshëm anëtarësh për realizimin e funksioneve të saj normale, alarmi u dha edhe për Gjykatën e Lartë. Duke paralajmëruar pas kësaj se nëpërmjet efektit domino, do të përjetojmë sëshpejti, rrëzimin e të gjitha shkallëve dhe niveleve të gjyqësorit shqiptar. Paralel me këtë, po i bihet këmbanave të alarmit publik edhe për organin e prokurorisë, e për rrjedhojë për kolapsin e pashmangshëm të të gjithë sistemit të drejtësisë shqiptare.

Por i gjithë ky alarm që mund të jetë i vërtetë për qytetarët e thjeshtë, kur vjen fjala për Adriatik Llallën, me sa duket rezulton të jetë fals. Gjykata e Lartë përbëhet nga tri kolegje: Administrativ, Civil dhe Kolegji Penal, me nga 3 anëtarë secili. Rezultatet e deritanishme të vettingut kanë bërë që këto kolegje të shkrihen. Nga Kolegji Penal vetëm Edmond Islamaj u konfirmua në detyrë. Të njëjtin fat ka pësuar edhe Kolegji Civil ku u rrëzuan dy anëtarë të tjerë, ndërkohë që në Kolegjin Administrativ është rrëzua deri tani vetëm njëri nga anëtarët. Siç shihet kolegjet e Gjykatës së Lartë nuk marrin dot vendime, duke bërë pas Kushtetueses, që edhe ajo të paralizohet, duke mos mundur që ti ushtrojë dot funksionet e saj normale.

Pas pranimit të rekursit, nuk dihet se nga kush e si do të shqyrtohet tashmë nga Gjykata e Lartë, ankesa e Adriatik Llallës. Por një gjë mund të thuhet me saktësi maksimale: Nëse ish Kryeprokurori i Republikës ia del që të ringjallë Gjykatën e Lartë, e bashkë me të edhe pronat dhe figurën e tij, atëherë kjo do të ishte dita më e zezë në rrugën e mundimshme për ringritjen e drejtësisë së re shqiptare.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.