Nga pajtimi i gjaqeve në politikë, Krasniqi: Koha të ulim fjalët dhe polarizimin në shoqëri
Profesori dhe kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Riza Krasniqi, ka folur për angazhimin e tij në politikë, duke e lidhur atë me përvojën e tij të gjatë në lëvizjen për pajtimin e gjaqeve në Kosovë, të udhëhequr dikur nga prof. Anton Çetta.
Në një deklarim publik, Krasniqi tha se pyetjet që i drejtohen më shpesh këto ditë lidhen me arsyen e angazhimit të tij politik.
“Profesor, përse u angazhuat? Profesor, përse nuk jeni angazhuar deri më tani? Ndoshta këto janë dy pyetjet që më bëhen pandërprerë këto ditë nga shumica e njerëzve që takoj”, u shpreh ai, duke shtuar se të dyja kërkojnë një arsyetim.
Sipas tij, shoqëria sot po përballet me mungesë besimi dhe polarizim të theksuar.
“Nuk më pëlqen të them se shihet me dyshim apo me mosbesim. Nganjëherë nuk dua t’ia pranoj vetes që kemi arritur në një shkallë të tillë sa nuk i besojmë njëri-tjetrit”, tha Krasniqi.
Duke kujtuar angazhimin e tij në pajtimin e gjaqeve, ai theksoi se ajo periudhë mbetet një nga pjesët më domethënëse të jetës së tij.
“Iu bashkova lëvizjes së të rinjve që udhëhiqej nga prof. Anton Çetta. Së bashku pajtuam mijëra familje në vend dhe shumë fëmijëve ua hapëm dyert e shkollave”, deklaroi ai.
Krasniqi solli edhe një kujtim familjar, duke treguar se babai i tij kishte shitur një armë për të blerë “Lahutën e Malcisë”.
“Ai mendonte se shqiptari, krahas pushkës, duhet ta ketë edhe librin. Besonte fort se, sikur të kishim më shumë libra sesa pushkë, punët do t’i kishim shumë më mirë”, u shpreh ai.
Ai tha se ka vendosur të përfshihet më aktivisht në politikë për të kontribuar në këtë drejtim.
“Për ata që thonë: ‘Ku ishe më herët?’, mund të them se mendoja se nuk kishte nevojë për një pajtimtar në politikë. Ndërsa për ata që më pyesin: ‘Përse, profesor?’, përgjigjja ime është e thjeshtë: për pajtim”, deklaroi Krasniqi. /Telegrafi/




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.