Nis gjyqi në Apel/ Vrasja e Ardian Nikulajt, të pranishëm në seancë edhe familjarët e biznesmenit! I pandehuri Saraiva: S�
Ditën e sotme po vijon të mbahet gjyqi ndaj Ruben Saraivës për vrasjen e Ardian Nikulajt.
Në gjyqin ndaj Saraivës janë të pranishëm i pandehuri, si dhe familjarë të Ardian Nikulajt. Për këtë arsye, në sallën e gjyqit ndodhen katër punonjës të Policisë së Burgjeve.
Avokati: Kërkojmë prishjen e vendimit me të cilin Saraiva është dënuar dhe rigjykimin e çështjes. Kërkojmë rimarrjen e provave vendimtare, mes tyre dëshminë e Valbona D., si dhe caktimin e një përkthyesi, për arsyet që kemi paraqitur.
Kërkesa kryesore është konstatimi i shkeljes së së drejtës për një proces të rregullt ligjor, si dhe konstatimi i papërdorshmërisë së dëshmisë së shtetases Valbona D., e marrë në shkelje të procedurave ligjore. Kërkojmë prishjen e vendimit të dënimit dhe dërgimin e çështjes për rigjykim në të njëjtën gjykatë, atë të Lezhës, por me një trupë tjetër gjykuese.
Sipas gazetares, Anila Hoxha, e cila po ndjek procesin, më pas ka marrë fjalën Ruben Saraiva, i cili ka deklaruar se ka kërkuar transparencën në hetim sipas të drejtës që i takon.
“Jam dakord me atë që tha avokati. Kërkoj ndjesë nëse përsëritem. Mendoj se, si qytetar i huaj, minimumi që duhet të më ofrohej është transparenca në proces, për provat dhe hetimin.
Transparenca është e drejta ime, jo vetëm si qytetar i huaj, por edhe si i pandehur, si dikush që nuk flet dhe nuk kupton shqip. Mendoja se gjykata, prokuroria apo kushdo tjetër do të më jepte mundësinë të kuptoja se çfarë po ndodhte.
Kam bërë kërkimet e mia nga burime të qëndrueshme, nga ambasada dhe nga një avokat. Pyetja ime ishte: Si qytetar i huaj, kujt i takon detyrimi për të më vënë në dispozicion aktet e përkthyera? Përgjigjja ishte e njëjtë nga të gjithë: përgjegjësia i takon prokurorisë dhe gjykatës, si në Shkallën e Parë, ashtu edhe në Apel.
Jam dënuar me burgim të përjetshëm. Mendoja se do të merrja të gjitha aktet e përkthyera dhe jo vetëm vendimin. Jam para jush totalisht i papërgatitur dhe i verbër për atë që ka ndodhur gjatë hetimit dhe gjykimit. Ndaj jam para jush për t’ju kërkuar: kërkoj transkriptet e seancave gjyqësore të mëparshme.
Për shembull, çfarë ka thënë dëshmitari? Pse, ndërkohë që përkthyesi po flet, askush nuk pret derisa ai të përfundojë? Kjo ndodhte gjatë seancave. Kur prokurorja bënte pyetje, unë kërkoja që të flitej më ngadalë, sepse dua të di se çfarë ka mbetur pa u përkthyer.
Asnjë nga këto nuk mund të konsiderohet transparencë. Tani që jemi në Apel, shpresoj të jeni neutralë dhe të drejtë. Është shumë e qartë se, përveçse në media, edhe gjatë procedimit penal unë jam përcaktuar si person fajtor. Çdo kërkesë e avokatit tim është refuzuar, ndërsa çdo kërkesë e prokurorisë është pranuar. Çdo shkelje procedurale ka ndodhur në dëm timin, për të më paraqitur si fajtor”, tha Ruben Saraiva.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.