Politika

Nis ndërtimi i aksit për Maliqin, Rama: Realitet pas shumë dekadash premtime

Nis puna për një aks me rëndësi strategjike për bashkinë e re të Maliqit, që bëhet realitet pas shumë dekadash premtime e harresa.

Maliqi do të lidhet me njësitë e tij administrative, Libonikun dhe Drithasin, me një rrugë të re, të standardeve bashkëkohore. Në rrugën ekzistuese, pothuajse e pakalueshme, është hapur kantieri i punimeve që pritet të përfundojnë brenda 7 muajve. Rruga do të ketë trotuare nga të dy krahët, korsi për biçikletat, gjelbërim dhe sistem ndriçimi.

Në kantierin e kësaj rruge ishte Kryeministri i vendit Edi Rama, i shoqëruar nga kryetari i bashkisë Maliq, Gëzim Topçiu.

“Është investimi më i rëndësishëm që Bashkia e Maliqit ka marrë. Besoj që do t’i japë një zhvillim shumë të mirë. Do të prishen të gjitha ndërtimet pa leje në pjesën e poshtme. Do ketë mure dekorativë guri dhe kangjella, e besoj do jetë pjesa më e bukur hyrëse e qytetit të Maliqit”, – tha kryebashkiaku Topçiu.

Rruga kap një gjatësi të përgjthshme prej 2,5 km. 1,1 km prej të cilave është rrugë e re që do të ndërtohet për këmbësorët, 8 metra gjerësi për qarkullimin e automjeteve, trotuare,  rrugë për biçikleta, pjesë të gjelbëruar dhe 2200 ndriçues.

Ndërkohë që përvec këtij segmenti, po asfaltohet edhe bulevardi kryesor i qytetit të Maliqit që arrin në gjatësi 2,5 km, i gjithë ky investim po realizohet me një ford të akorduar nga qeveria shqiptare në vlerën 1.6 miliardë lekë.

Ky është financimi më i rëndësishëm për bashkinë e Maliqit. Kjo është pjesa urbane e qytetit që do të sjellë një zhvillim shumë pozitiv për të gjithë zonën. Punimet parashikojnë prishjen e të gjitha ndërtimeve të paligjshme  dhe do të ketë mure dekorativ guri dhe kangjella duke sjellë në realitet infrastrukturën hyrëse më të bukur në qytetin e Maliqit.

Ky investim ka një impakt të menjëhershëm për Maliqin, pasi do të lehtësojë lëvizjen dhe daljen më shpejt në treg në një zonë shumë bujqësore dhe me potenciale të mëdha agroturistike. Investimet në Maliq përfshijnë edhe ndërhyrjen në fasadat e pallateve, rreth 12 000 metra katrorë, duke filluar nga Maliqi deri në Libonik dhe Drithas. 

Gjithashtu ky investim ndërhyn në 2,5 km kanalizime në të gjithë gjatësinë e rrugës, sipas standardeve më të mirë.

“Në Maliq ka disa potenciale që mund të zhvillohen edhe për turizmin edhe për agroturizmin. Këtu njerëzit janë shumë punëtorë, janë shumë të dedikuar, mirëpo rruga ishte një tmerr i madh që e priste hovin e njerëzve për të ardhur, ose për t’u rikthyer. Tani besoj, nga pikëpamja e projektit, është goxha e bukur, goxha turistike si rrugë”, – u shpreh Kryeministri Rama. 

Janë rreth 17 mijë banorë në Libonik dhe 8 mijë banorë në Maliq që e shkelin këtë rrugë, në total 25 mijë banorë. Por ky është segmenti në hyrje të qytetit të cilin e lëvizin të gjithë banorët e bashkisë Maliq që janë rreth 68 mijë banorë.

Ky aks është jo vetëm një segment hyrës por një aks i përbashkët që lidh qytetin me fshatrat përreth dhe e bën një qytet të tërë.

Në përgjigje të falenderimeve që banorët i shprehëm Kryeministrit Rama, për këtë investim të rëndësishëm, Rama tha se “mos më falenderoni mua, por faleminderit juve që na keni dhënë besimin dhe ne do të mundohemi ta kthejmë besim në punë. Jo gjithnjë ja kemi dalë t’i bëjmë punët siç do të donim, por hap pas hapi do ti bëjmë gjërat”.

Kryeministri Rama përgëzoi angazhimin e teknikëve dhe inxhinierëve, ndërsa theksoi se, e rëndësishme është që investimi të bëhet mirë dhe me standarde, “ne nuk jemi si ata që i bëjnë me daulle dhe pastaj të linte shkopin ti biesh vetë”, tha Rama.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button