Nis “platforma e bashkëqeverisjes”, Rama: Arma e çdo shqiptari që do shtet, punë e mirëqënie
Platforma për bashkëqeverisjen me qytetarët, www.shqiperiaqeduam.al, është mundësia e çdo shqiptari për të qenë pjesë e koalicionit të madh të njerëzve të këtij vendi.
Kryeministri Edi Rama gjatë prezantimit të kësaj platformë është shprehur sot se ajo shërben për ta bërë Shqipërinë një vend të denjë për fëmijët tanë dhe po ashtu, është arma e çdo shqiptari që e do Shqipërinë me shtet, punë, mirëqenie, kundër çdo zyrtari e nëpunësi që e pengon njeriun e zakonshëm në zgjidhjen e halleve e në përmbushjen e shpresave e të ëndrrave të veta.
Kryeministri Rama u shpreh se pas platformës do të punojë një armatë njerëzish ditë e natë në mënyrë që asnjë kërkesë të mos anashkalohet.
Kryeministri prezantoi personat që do të punojnë për platformën e bashkëqeverisjes për ta kthyer platformën online të bashkëqeverisje me njerëzit një instrument të çdo shqiptari dhe shqiptareje që kërkon të kontribuojë për ta bërë Shqipërinë një vend më të mirë.
Më 31 korrik nisën aplikimet për anëtarët e rrjetit që do të koordinojë platformën dhe Kryeministri Rama tha se kanë qenë 800 aplikime që janë shqyrtuar nga një komision i posaçëm për të mbërritur tek përzgjedhja e 25 anëtarëve.
Rama: Ministrat përgjegjësit për zgjidhjen e problemeve të çdo qytetari
Kryeministri nënvizoi se, përmes kësaj platforme njerëzit do të marrin përgjigje dhe përgjegjës për çdo ankesë janë ministrat dhe minister, jo e zyrave për marrëdhëniet me publikun. Është detyrë e çdo ministri që nga dikasteri që drejton të japë zgjidhje për rastet kur është e mundur.
Kryeministri shtoi se, të gjitha denoncimet në media janë të mirëseardhura, por kjo platformë krijon mundësinë që ta zgjidhësh problemin direkt me njerëzit që sipas Kushtetutës dhe ligjit janë aty për të zgjidhur problemin.
Kjo, theksoi kreu i qeverisë, “ndihmon që qeverisja si proces të vihet përpara përgjegjësisë dhe problemi i trashëguar me korrupsionin në çdo zyrë të shtetit ku kërkohet ryshfet të kalohet”.