Nis takimi i Haxhiut me von der Leyen, presidentja e KE-së mbërrin në Presidencë me rreth 40 minuta vonesë
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, e priti sot në Presidencë presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Pas këtij takimi, kreu i KE-së do të takohet edhe me kryeministrin Albin Kurti.
Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, e ka pritur sot në takim presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në oborrin e Presidencës në Prishtinë, siç njofton KosovaPress. Mediat janë lejuar të marrin pamje vetëm gjatë pritjes zyrtare, para se dy zyrtaret të zhvillojnë takimin kokë më kokë.
Sipas raportimeve, von der Leyen ka mbërritur në takim me rreth dyzet minuta vonesë. Pas takimit me Haxhiun, presidentja e Komisionit Evropian do të takohet edhe me kryeministrin Albin Kurti, me të cilin pritet të mbajnë edhe një konferencë të përbashkët për media.
Vizita e sotme e von der Leyen-it në Kosovë vjen në kuadër të turit të saj në Ballkanin Perëndimor, pas ndalesës në Shqipëri, dhe në fokus ka rrugën e Kosovës drejt Bashkimit Evropian, raporton Klan Kosova.
Më herët gjatë ditës, mbërritja e saj është pritur me protestë nga të rinjtë kundër aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë, nën moton “Jo në emrin tim”, ndërsa qytetarë kanë bllokuar përkohësisht rrugën ku kalonte autokolona e saj.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.