Politika

Nishani dekreton datën e re të zgjedhjeve

Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, ka dekretuar 25 qershorin si datën e re të zgjedhjeve, pas marrëveshjes së arritur mes kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe liderit të opozitës, Lulzim Basha.

Në një deklaratë të publikuar sot nga Presidenca e Shqipërisë thuhet se “Në vijim të iniciativës së tij institucionale e të vazhdueshme për të nxitur dialogun politik me synim gjetjen e zgjidhjes politike mbi baza kompromisi, presidenti i Republikës vlerëson maksimalisht këtë marrëveshje si një arritje të rëndësishme me interes për vendin dhe popullin shqiptar.”

Sipas dekretit të Nishanit, po në këtë datë (25 qershor 2017) do të zhvillohen edhe zgjedhjet vendore të pjesshme për kryetar të Bashkisë Kavajë.

Kujtojmë se më 18 maj pas negociatave të realizuara mes kryeministrit të Shqipërisë dhe njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama dhe kreut të opozitës, njëkohësisht kryetar i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, është zyrtarizuar marrëveshja Rama-Basha, që parashikonte mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare jo në datën e dekretuar fillimisht më 18 qershor, por më 25 qershor të këtij viti.

Me marrëveshjen në fjalë parashikohet që në përbërjen e qeverisë të jenë teknikë një zv.kryeministër, ministri i Brendshëm, ministri i Arsimit, ministri i Shëndetësisë, ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, ministri i Financave dhe ministri i Drejtësisë, që është vendosur të jenë propozime të opozitës.

Për miratimin e përbërjes së re të kabinetit qeveritar, Kuvendi i Shqipërisë, do të mblidhet nesër në një seancë të jashtëzakonshme.

Opozita filloi një protestë në çadrën vendosur para selisë së Këshillit të Ministrave në Tiranë, më 18 shkurt të këtij viti, duke kërkuar qeveri teknike për organizimin e zgjedhjeve parlamentare, ndërsa me arritjen e marrëveshjes protesta është ndërprerë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button