Politika

Nishani me vendorët e djathtë, gati kthimi i hartës në Kuvend

Takimi në vilën 31

Kreu i shtetit mbështet qeverinë për ndarjen, por kërkon respektimin e Kushtetutës

NGA ARTEMISA HOXHA

presidentiPak përpara skadimit të afatit për dekretimin e ligjit për ndarjen e re territoriale në vend, Presidenti Bujar Nishani paralajmëron rrëzimin e tij, duke e dërguar në Kuvend për rishikim. Këtë gjë e ka bërë gjatë një takimi që ka zgjatur rreth një orë e gjysmë në Presidencë mes tij dhe përfaqësuesve të Shoqatës së Komunave dhe disa prej krerëve të komunave të djathtë. Gjatë këtij takimi, kreu i shtetit e ka cilësuar reformën administrativo-territoriale një çështje madhore kombëtare, e cila ka ndikim të drejtpërdrejtë te qytetarët, tek interesat dhe problemet e tyre, te zhvillimi i territorit dhe ai ekonomik, tek infrastruktura dhe mbrojtja e mjedisit, e që është e lidhur gjithashtu edhe me sigurinë kombëtare. Pas këtij takimi, mësohet se mbledhja e radhës që do të mbahet në Presidencë ka të bëjë pikërisht me sigurinë në vend. Në takim kanë qenë të pranishëm vetëm kryekomunarët e djathtë, ku prezent ka qenë dhe drejtuesi i Komunës së Lazaratit, Dasho Aliko. Ndërsa mësohet se shoqata e bashkive, që drejtohet nga kryebashkiaku i Pogradecit, Artan Shkëmbi, nuk është ftuar në takimin e zhvilluar në vilën qeveritare me numër 31.

Arsyetimi

Në arsyetimin që ka dhënë kreu i shtetit gjatë konsultimit me ta dhe me përfaqësues të Shoqatës së komunave të Shqipërisë, ka thënë se ky ligj bie ndesh me Kushtetutën në momentin që nuk janë marrë parasysh propozimet e palëve të tjera të interesuara, si dhe vetë qytetarëve. “Reforma në fjalë në radhë të parë duhet të harmonizojë interesat jetike të qytetarëve shqiptarë me ato të shtetit. Mbështet plotësisht nismën e qeverisë për ndërmarrjen e reformës administrativo-territoriale, duke e konsideruar atë si një çështje të rëndësishme, por kryerja e saj duhet të bëhet në përputhje të plotë me interesat kombëtare, ato të qytetarëve dhe duhet të jetë një proces i mbështetur në Kushtetutën dhe ligjet e vendit”, thuhet në njoftimin zyrtar të Presidencës. Presidenti Nishani theksoi se kryerja e kësaj reforme shumë të rëndësishme, e cila kërkon ekspertizë dhe profesionalizëm, i ngarkon me përgjegjësi historike të gjithë ata që qëlluan të jenë aktorë vendimmarrës në këtë moment të caktuar, duke shtuar se ka marrë me dhjetëra letra, peticione nga qytetarët ku shprehen ankesat, kërkesat dhe referimet e tyre lidhur me procesin që i parapriu hartimit të ligjit që pritet të shqyrtohet nga Kreu i Shtetit.

Kanë qenë pikërisht kërkesat e shumta dhe ankesat që ka marrë përgjatë këtyre kohëve nga grupet e interesit, shoqata, si dhe përfaqësues të pushtetit vendor dhe Shoqatës së Komunave në lidhje me reformën territoriale, arsyeja kryesore për takimin e djeshëm.

Harrohen bashkiakët

Presidenti Nishani teksa kishte dërguar ftesa për gjithë krerët e komunave që ishin të pranishëm dje, por dhe nga ata që mungonin, nuk kishte ftuar Shoqatën për Autonomi Vendore ose siç njihet ndryshe atë të bashkive. Kreu i Shoqatës për Autonomi Vendore dhe njëherësh kreu i Bashkisë së Pogradecit, Artan Shkëmbi, konfirmon për gazetën “Shqip”, se ai nuk ka marrë asnjë ftesë nga Presidenca për të marrë pjesë në takimin e djeshëm që është bërë me Shoqatën e Komunave dhe disa prej krerëve të komunave të vend. “Nuk kam marrë asnjë ftesë për takimin që është mbajtur sot (dje)”, thotë Shkëmbi. Ndërkohë, që harta e re territoriale me 61 njësi vendore është miratuar në seancën e fundit parlamentare pa konsensusin e opozitës. Nga ana e saj, partia më e madhe në opozitë, PD-ja ka paralajmëruar dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të kësaj reforme nëse ajo do të kthehet sërish në Kuvend dhe ky institucion ta miratojë atë.

Reagimi

Kreu i Ekzekutiv i Shoqatës së Komunave lajmëroi kthimin e ligjit

 

Haxhimali: Nëse Kuvendi nuk

tërhiqet, beteja në Kushtetuese

Pas takimit me Presidentin, drejtori Ekzekutiv i Shoqatës së Komunave, Agron Haxhimali, ka paralajmëruar rrëzimin e ligjit ku paralajmëroi se do ta çojnë ligjin në Kushtetuese, nëse do t’i kërkohet Parlamentit që ta marrë sërish në shqyrtim dhe ta votojë. “Akoma kam bindjen se Parlamenti do ta marrë me seriozitet çdo kthim mbrapsht të këtij ligji dhe është në nderin e këtij Parlamenti nëse do kthehet apo jo që ta rishqyrtojë dhe ta marrë në konsideratë edhe një herë, jo vetëm Shoqatës së Komunave, por edhe opsioneve të tjera, nëse nuk do ndodhë dhe kjo ne do t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese. Çështja e referendumeve është një çështje që e zgjedhin vetë të zgjedhurit vendorë të komuniteteve që ka të bëjë me mua si Shoqatë e Komunave”, tha Haxhimali. Më tej, ai shprehet se Parlamenti nuk mori parasysh kërkesën e tyre, por pranoi se gjatë procesit janë zhvilluar konsultime me ministrin, Bledi Çuçi, si edhe me anëtarë të Komisionit të Posaçëm të Reformës Territoriale.

Kryekomunari

Qefalia: Mungova prej

pushimeve, jam pro hartës

Kreu i Komunës Dajt, Kujtim Qefalia, konfirmon për gazetën “Shqip”, që ka marrë ftesë për takimin e mbajtur mes disa krerëve të komunave në vend, që kanë kundërshtuar njësi të caktuara të hartës territoriale. Ai shprehet se arsyeja pse ka munguar kanë qenë pikërisht pushimet verore, jashtë Tiranës dhe asnjë arsye tjetër. Kujtojmë që Qefalia është zgjedhur kryetar i kësaj komune nga listat e PS-së në zgjedhjet e kaluara vendore. “Mua më kishte ardhur ftesa nga Shoqata e Komunave të Shqipërisë, por për arsye të mia nuk arrita që të kap dot orarin zyrtar me Presidentin e vendit. Sigurisht që do të merrja pjesë po të isha në Tiranë. Ne e kemi shprehur qëndrimin tonë në lidhje me këtë reformë, që e mbështesim, pavarësisht ndarjes së fundit të saj”, ka thënë kreu i Komunës Dajt, Kujtim Qefalia. Takimi i djeshëm mes kreut të shtetit dhe disa prej kryekomunarëve të djathtë në vend, erdhi pas miratimit të ndarjes territoriale në vend, ku sipas ligjit parashikohet që njësia bazë të jetë bashkia duke përjashtuar e shkrirë komunat.

 

“Gjeti Dashi Alikon arsye për rrëzimin e ligjit”

Braçe: Nishani, si sekretari organizativ i PD

Në një reagim të tij në rrjetin social Facebook, deputeti i PS-së, Erjon Braçe, kritikon mbledhjen e djeshme të Presidentit të vendit, Bujar Nishani, me vendorët, kryesisht të djathtë, duke marrë shkas se në këtë takim ka qenë dhe një prej personazheve të përfolura për aksionin në Lazarat, kreu i kësaj komune, Dasho Aliko. “Po si është e mundur? Nuk tha asnjë fjalë për Lazaratin; As kur ishte ministër i Brendshëm, as ku ishte ministër i Drejtësisë, as kur u bë sërish ministër i Brendshëm; madje as tani si President! Madje, madje, as si Komandant i Përgjithshëm nuk tha një fjalë të vetme edhe pse nga lartësia e Komandantit ankohet se po i marrin kompetencat!! Sot (dje), mu si sekretar organizativ i Partisë Demokratike, Presidenti i Republikës gjeti Dasho Alikon, kryetari i Lazaratit, si arsyen themelore për të rrëzuar ligjin për reformën administrative territoriale të Shqipërisë. Kulmi!! Është tërësisht i paanshëm dhe tërësisht përfaqësues i unitetit të Partisë, nga Malësia në Lazarat!”, shkruan Braçe në statusin e tij.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button