Nismat ligjore për hapjen e dosjeve, nis shqyrtimi në Kuvend
24 vjet pas rrëzimit të regjimit komunist në Shqipëri, pritet konkretizimi i hapjes së dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, të cilat janë s’hapur asnjëherë megjithëve ndërrimin e qeverive në vite.
Kuvendi do të nisë shqyrtimin e dy varianteve të projektligjit “Për hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit”. Konferenca e kryetarëve vendosi së fundi të përfshijë në programin tremujor të punimeve shqyrtimin e dy drafteve, njëri i propozuar nga qeveria dhe tjetri nga shoqëria civile, i mbështetur edhe nga dy deputetë të opozitës, Mesila Doda (PD) dhe Shpëtim Idrizi (PDIU).
Drafti i qeverisë, i depozituar në parlament më 5 janar 2015, parashikon që procesi të bëhet nga Autoriteti i Informimit Publik, një strukturë me pesë anëtarë, që do të jetë në varësi të Kuvendit. Shqipëria në këtë proces parashikon të ndjekë modelin gjerman, i cili ka rezultuar i suksesshëm. Pr/ligji merr parasysh vendimet e Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje dhe është në respekt të plotë të parimeve të Komisionit të Venecias.
Ligji i ri ka fushë veprimi hapjen e dosjeve për periudhën nga 29 nëntor 1944, kur u çlirua Shqipëria dhe deri më 21 mars 1991, kur u mbajtën zgjedhjet e para pluraliste në vend.
Drafti, që synon transparencën në këtë proces, përcakton se nuk do të ketë dënime kolektive, e shpallur kjo si antikushtetuese nga gjykata. Shqipëria, që është e fundit në këtë proces nga vendet e Lindjes, me këtë tentativë që nuk është e para, beson se do t’i japë fund njëherë e mirë këtij procesi që ka shërbyer më së shumti për të shantazhuar kundërshtarët në të kaluarën.
Pr/ligji i miratuar nga Këshilli i Ministrave pason nismën e shoqërisë civile, e cila krahas hapjes së dosjeve të ish-Sigurimit, parashikon edhe procesin e lustracionit përmes ruajtjes, përpunimit, administrimit dhe përdorimit të të dhënave të arkivave të ish-Sigurimit.
Drafti parashikon të vërë në dispozicion të publikut dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit gjatë periudhës së regjimit komunist 24 tetor 1944-31 mars 1991, për t’iu mundësuar atyre informacionin e plotë mbi ndikimin që kjo strukturë ka pasur mbi fatet e tyre. Po ashtu, ai synon të garantojë aksesin individual në të dhënat personale, të cilat ish-Shërbimi i Sigurimit të Shtetit mblidhte e arkivonte për personin, për të njohur qëndrimin e gjykimin për të dhe pasojat; të sigurojë mbrojtjen e personit nga dëmtimi i së drejtës për privatësi të shkaktuar nga përdorimi i të dhënave personale të ruajtura; të sigurojë dhe të nxjerrë në pah aktivitetin e plotë historik, politik dhe juridik të ish-Sigurimit të Shtetit dhe ta verë atë në funksion të nevojave publike studimore dhe edukuese.
Nisma e shoqërisë civile, e dorëzuar në Kuvend më 1 dhjetor 2014, përcakton gjithashtu rregullat e lustracionit në politikëbërje duke kontrolluar pastërtinë e figurës së çdo funksionari publik të zgjedhur apo të emëruar për periudhën 24 tetor 1944-31 mars 1991, lidhur me pjesëmarrjen e tij në strukturat politikëbërëse dhe zbatuese të diktaturës së proletariatit, si dhe drejtues apo punonjës operativ i ligjshëm ose i fshehtë, apo bashkëpunëtor sekret i ish-Sigurimit të Shtetit, deri më 2 korrik 1991 kur u krijua Shërbimi Informativ Kombëtar.