Një cigare rrugëve të Triestes
Italo Svevo
Nga Alda Bardhyli
Kur Livia Veneziani mbërriti në Trieste nuk mund ta mendonte se ky udhëtim do ta ndante përgjithmonë me Marsejën. Në këtë qytet me shtëpi të thjeshta, nga ku mund të shihte nëse shëtiste deri larg detin, ajo do të tërhiqej nga vështrimi i një burri, që tymi i cigares i ngatërrohej në gishtërinj. Xhaketa e tij ishte e hirtë, atë mëngjes kur ndali pranë saj. Kishte diçka në këtë miqësi të çuditshme që vazhdonte çdo ditë deri në rrugicat më të largëta. Diçka që e bënte Livian të mbyllte shpejt punët e ditës dhe të shkonte në kafenenë ku rrinte ai. Quhej Aron Ettore Schmitz dhe përveç punës si bankier, i pëlqente të shkruante. Ishin pafund historitë që i tregonte asaj, teksa era e Triestes i përplasej në fytyrë. “Ai ishte ashtu si personazhet e librave që ka shkruar. Vite më vonë kur lexoja romanet e tij, shpesh më dukej sikur takoja Aron në kohët e para të takimeve tona”, do të shkruante Livia në librin me kujtime kohë më pas. Çdo dashuri duket sikur hyn natyrshëm në jetën e një shkrimtari, për t’u kthyer më pas në një lloj biblioteke të madhe kujtimesh, e cila dalëngadalë shpjegon një kohë. Ashtu u kthye dhe Livia, kjo vajzë e thjeshtë katolike me flokët e gjata nga Marseja për shkrimtarin e njohur italian Aron Ettore Schmitz, i njohur me pseudonimin Italo Svevo. Ata vunë kurorë kur ajo ishte 22 vjeç në vitin 1896, dhe nga kjo martesë do të kishin një vajzë, Letizian. “Jeta me të ishte si një libër”, do të shprehej Livia më vonë. Shkrimtar, dramaturg dhe tregimtar i njohur, më së shumti për romanin “Ndërgjegjja e Zenos”, Italo Svevo është një ndër autoritetet e letërsisë italiane. Një prozator i shkëlqyer do ta quante Eugenio Montale, i cili të bën të shohësh thellë inkoshiencës njerëzore. Svevo do të kthehej në një nga shkrimtarët më me ndikim për një brez të tërë të letërsisë italiane të pas viteve 1900. Ai lindi në Trieste (në atë kohë nën Austro-Hungarinë) në një familje hebreje me origjinë gjermane. Babai i tij kishte një biznes të vogël dhe Svevo u regjistrua në Institutin Superior Revoltella. Detyrohet t’i lërë në gjysmë studimet pas dështimit të biznesit të të atit dhe kalimit të tij në depresion. Këto ishin kohët kur ai ndjeu dëshirën për të shkruar. Ishte i bindur që një ditë, kur kjo situatë të përfundonte, ai do të shkruante. Në moshën 19-vjeçare ai nisi të punonte në një bankë lokale. Kjo punë do të zgjaste 20 vjet dhe do ta frymëzonte për librin e tij të parë “Një jetë” më 1893. Një karakter i çuditshëm, Svevos i pëlqente të depërtonte në gjërat e padukshme të jetës. Botimi i romanit “Ndërgjegjja e Zenos” do të ndryshonte përgjithmonë të ardhmen e tij. Me këtë libër, bëri një kapërcim nga proza klasike italiane e fundit të viteve 1900 te një letërsi me tone të thella psikologjike, dhe një stil modern. Të duket sikur ke lexuar Frojdin, por në një tjetër version të tij. Në fakt, Svevo ishte një njohës i mirë i teorive të psikanalizës së Frojdit dhe Jozef Brojes.
Ashtu si Frojdi kishte përdorur inkoshiencën dhe përvojën vetjake për “Interpretimin e ëndrrave”, një nga punët e tij më të vështira, edhe Svevo kishte sjellë te “Ndërgjegjja e Zenos” një rrëfim për muret e holla të ndërgjegjes së tij. Svevo përktheu në italisht “Interpretimin e ëndrrave” dhe kjo mund të ketë ndikuar në zgjedhjen e subjektit të këtij libri. Ka shumë kritikë që mendojnë se Zeno Cosini, personazhi kryesor i këtij libri, është vetë Italo Svevo. Nëse në libër, i kushtohen gati faqe të tëra pirjes së duhanit, në jetën e përditshme Svevo mbeti një duhanpirës i pandreqshëm. Ishte e pamundur ta shihje atë të mos mbante një cigare në duar. Miqtë, por edhe Livia në kujtimet e saj, tregojnë për varësinë që kishte i shoqi nga cigarja. Ajo ishte si një alkool i fortë që e ndihmonte për të shkruar. “Nëse do t’i bëje një dhuratë, që ai ta pëlqente, ajo mund të ishte një tavëll cigareje”, tregonte ajo më vonë. Nuk mund të jetë e plotë tabloja e jetës së Italo Svevos pa folur për miqësinë e tij me Xhejms Xhojsin. Ishte viti 1902 kur pas vdekjes së të ëmës, Xhojs la Dublinin dhe udhëton për në Trieste. Këtu u njoh me Italon, i cili në atë kohë ishte thjesht një nëpunës i trishtuar dhe anonim. Ai u regjistrua në kurset e anglishtes që jepte Xhojsi, për të nisur më pas një miqësi që do të ndikonte në krijimtarinë e të dyve. Në takimet mes tyre, Svevo do të zbulonte një dimension gati të heshtur, të tij, shkrimin. Kur i dha për të lexuar dorëshkrimin “Ndërgjegjja e Zenos”, Xhojsi do të befasohej nga stili dhe historia që mbarte dorëshkrimi. “Nëse unë nuk do ta kisha lexuar një natë në atë dhomë, gati të ftohtë, në një lagje të thjeshtë të Triestes, dhe do ta kisha lënë mënjanë si tregime të tjera që Svevo m’i kishte dhënë t’i lexoja, ky dorëshkrim do të përfundonte në kosh. Sigurisht që Svevo do ta kishte hedhur, ashtu siç kishte bërë me dorëshkrime të tjera”, do të shprehej Xhojs. Por “Ndërgjegjja e Zenos” ishte më shumë se një dorëshkrim. Me këtë libër, Svevo kishte nisur një erë të re në letërsinë italiane, duke e ndarë përgjithmonë nga stili klasik. Xhojs do ta ndihmonte atë ta përkthente më pas në frëngjisht, për t’u botuar në Francë, ku u prit mirë nga kritika. Svevo do të ishte model për Xhojsin gjatë kohës kur shkroi Uliksin. Personazhi i Leopold Bloom, i ngjan atij. Po kështu, Livia, bashkëshortja e Svevos, do të ishte një femër frymëzuese për personazhin e Livia Plurabelle në librin “Finnegans Wake” të Xhojsit. Flokët e saj të gjatë të verdhë i ngjallnin gjithnjë një dëshirë për t’i parë djaloshit nga Dublini. Një personazh tjetër i rëndësishëm në jetën e Italo Svevos është artisti Umberto Veruda. “Ata i shihje gjithmonë bashkë”, kujtojnë bashkëkohësit. Veruda do të edukonte tek ai shijen estetike, qoftë në të veshur, por dhe në përshkrimet që do t’u jepte më pas personazheve. Svevo është një shkrimtar i detajeve dhe kjo ndihet dhe kur e lexon tani letërsinë e tij më shumë se një shekull më pas. Befasuese janë dhe përmbledhjet me tregime të tij, ku shpaloset një botë që duket sikur udhëton nga Italia e fundviteve 1900 në atë çfarë ndodh sot në Europë. I dashuruar pas jetës, shkrimtari nuk mundi ta jetonte atë gjatë. Në shtator të vitit 1928, ai pësoi një aksident automobilistik dhe vdiq disa ditë më vonë, më 13 shtator 1928. Një duhanpirës i përjetshëm, vetëm në shtratin e vdekjes do ta “refuzonte” cigaren. Së shpejti, shtëpia botuese “Saras” do të sjellë për lexuesin kryeveprën e letërsisë së tij “Ndërgjegjja e Zenos” nën përkthimin e Enela Hilës. Një libër gati-gati tronditës për mendjen njerëzore, teksa lexon Zeno Cosinin të tregojë orët e gjata me psikanalistin, Doktorin S.